Disa prindër ushtrojnë presion mbi mësuesit për nota të larta, duke injoruar aftësitë reale të fëmijës. Përmes një rasti konkret, shkrimi kritikon këtë qasje dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit prind-mësues për një edukim të shëndetshëm, duke vënë në pah ndikimin negativ të këtij presioni te nxënësit.
“Zoti mësues, po përjetoj një shok tepër të madh në këto momente, pasi im bir paskësh marrë notën tetë në testin tuaj, ndërkohë që im bir ka qenë dhe do mbetet nxënës vetëm i dhjetave.” – ishin fjalët e para të zonjës, e cila vijoi trysninë dhe debatin e saj pa iu dridhur fare qerpiku, – Mos më thoni se im bir është nxënës i tetës, pasi ai vetëm mbyllet në dhomën e tij dhe mëson me orë të tëra si derri. Po ç’mësues jeni ju, që pa menduar fare, pa gjykuar fare përparimin e tim biri shkoni dhe i ulni notën? A e dini se sa e rëndësishme është mesatarja për të? Kemi gjithë këto kohë që mendojmë vetëm për atë mesatare të shkretë. Ai ka pësuar një shok të madh, e bashkë me të edhe ne si familjarë. Si nuk ju dhemb dora kur e vini atë notë? Si e masakroni kaq pamëshirshëm gjendjen shpirtërore të fëmijës tim? Ç’e kujtoni veten se po bëni? Mos pandehni se po bëheni një hero? Mos pandehni se dikush do u japë ndonjë medalje?…”
E dëgjoi me vëmendje në fakt tërë atë duf dhe mllef të zonjës ndaj tij në atë bisedë telefonike. Priti me shumë durim dhe maturi që zonja në telefon të mbaronte bisedën – debat të saj, në mënyrë që të kish mundësi t’i jepte një përgjigje të shkurtër, pavarësisht se ishte po aq i bindur se çfarëdo përgjigje t’i jepte, zonja nuk do pajtohej. Pasi e vetmja gjë që do e qetësonte atë zonjë do ishte ndryshimi i asaj note, e cila padyshim që nuk do ndryshonte.
Ishte mëse i bindur në maturinë dhe qetësinë që ruante dhe duhej të ruante, pasi në klasë kishte dhënë të gjitha shpjegimet dhe argumentimet e duhura jo vetëm të birit të saj, por natyrshëm gjithsecilit prej nxënësve adoleshentë. Po aq sa ishte edhe bindur se çfarëdo shpjegimi që kishte dhënë nuk kishte depërtuar fare në mendjen dhe shpirtin e adoleshentit, sepse ky i fundit ishte imponuar që duhej të merrte vetëm nota pozitive. E për më tepër se nuk ishte as hera e parë që merrte nota poshtë dhjetës. Ishte një nxënës tipik mekanik, që nuk mësonte për arsyetime, por thjesht për notë. Të kishte një mesatare të pëlqyeshme. Kaq ishte synimi i tij. Por ja që nuk ishte fare në gjendje të jepte vetë mendimet e tij, sinë një moshë të atillë që ishte, por gjithnjë ishte ose e ëma ose i ati, por më së shumti e ëma që këmbëngulte me forcë për rritje të notave.
Kishte qëlluar madje edhe herë të tjera që, zonja në telefon i kishte dërguar mesazhe të ndryshme duke shfaqur pakënaqësinë ndaj gjendjes së të birit për notat mesatare dhe pak mbi mesatare që merrte. Ishte po ajo zonjë që sa herë vinte në takime me prindër shfaqte një ton aspak të duhur ndaj mësuesve të shkollës duke këmbëngulur me shumë forcë që i biri duhej të ishte një nxënës i notave shumë të mira. Si të mos kishin mjaftuar këto, s’kishte nguruar të fuste edhe miq të ndryshëm ndërmjetësues për përmirësime të detyrueshme të notave. Por ja që s’ia kishte dalë mbanë.
Rasti në fjalë nuk mund të themi se është i panjohur si fenomen në realitetin tonë shqiptar, ku tipologjitë e prindërve shfaqen në forma të ndryshme:
- Prindër që ushtrojnë presione psikologjike ndaj fëmijës për rezultate të larta në emër të dinjitetit dhe fytyrës që përpiqen të shfaqin në opinion.
- Prindër që shfaqen si intelektualë të angazhuar në takimet me mësuesit apo bisedat në rrethe shoqërore, por që as kanë marrë ndonjëherë mundimin, qoftë edhe t’u hedhin një sy materialeve lëndore që ofrohen në shkollë.
- Prindër që luftojnë krenarinë e tyre prindërore përkarshi dobësisë dhe brishtësisë së fëmijës adoleshent.
- Prindër që turbullojnë mendjet e brishta të adoleshentëve me aspirata të papërputhshme me natyrën e tyre.
- Prindër që vetëm për hir të një note të lartë s’lënë gurë pa lëvizur, me qëllim për ta ngritur fëmijën e tyre në degëzime të pamundura.
- Prindër që nuk kanë marrë një herë mundimin të kuptojnë personalitetin dhe dinjitetin e mësuesit që edukon fëmijën e tyre.
- Prindër që mendojnë se protagonizmi është një armë e fortë në arritjen e një qëllimi sublim për ta duke shkuar deri në masakrim të figurës dhe autoritetit të një mësuesi.
- Prindër që nuk kuptojnë se çfarë është bashkëpunimi, pasi janë produkte të një totalitarizmi të pashembullt, të cilin e shohin si një krenari për veten.
- Prindër të ushqyer me një naivitet të trashëguar, të cilin përpiqen t’ua përcjellin edhe adoleshentëve si një armatë e qëndrueshme.
- Prindër që nuk kuptojnë zhvillimin e fëmijës së tyre dhe krenohen me dhjetat e ciklit të ulët duke i ofruar si dëshmi suksesi edhe për klasat e ciklit AMU dhe AML.
Çdo mësues profesionist e di dhe e ka të qartë se asnjë natyrë fëmije, veçanërisht kur mbërrin në adoleshencë s’është dhe s’ka si të jetë e njëjtë. Ndaj edhe raportet që krijohen duhet të jenë të atilla që, teksa japin shpjegime për adoleshentët, qoftë për një NVv qoftë për një NTp apo edhe për një vlerësim të një mini-testi duhet të kenë në konsideratë që të reflektojnë edhe për prindërit e tyre.
S’duhet harruar se në shumë raste e rrethana është e domosdoshme të edukohen dhe arsimohen mendjet e prindërve paralelisht me mendjet dhe shpirtrat e adoleshentëve. Të tillë adoleshentë shfaqen të rritur brenda një guaske duke mos patur as forcën më minimale për të depërtuar përtej portës së shtëpisë apo portës së shkollës.
Një kategori e tillë nxënësish përpiqen gjithnjë të shfaqen në radhët e ekselencës duke ua imponuar së pari vetes së tyre, e më pas rrethit shoqëror se janë modele të notave të mira. Por kur të tillë nxënës nuk tregohen praktikë në njohuritë që marrin, kur shtrëngojnë mendjen dhe shpirtin e tyre me mësimet mekanike për t’u shfaqur një fotografi në radhët e më të mirëve, kur nuk janë në gjendje të shprehin mendimet dhe përjetimet e tyre për një kauzë sociale e shoqërore, kur hezitojnë të jenë pjesë e projekteve ekstra kurrikulare, s’mund të pretendohet të bëhen krahu i djathtë i zhvillimeve shoqërore. Nota e tyre është një notë imponuese e prindit të tyre, që krekoset në llumin e injorancës për t’u shfaqur një ”figurë”.
Duhet t’u qëndrohet sa më larg këtyre ”figurave”, pasi s’bëjnë tjetër, veçse dëmtojnë procesin.
© Portali Shkollor