E premte, 20 Shtator, 2024

Eseja nga nxënësja Rugova Çelaku shpallet fituese e javës

- Advertisement1-

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi, ka njoftuar se eseja e shkruar nga nxënësja Rugova Çelaku me temë “Madhështia e Librit”, është shpallur fituese e javës në projektin “Mendimi im, Forca Ime”, shkruan Albanian Education.

Postimi i ministres Kushi:

- Advertisement -

Ju prezantoj me esenë fituese të javës për ZVA Tropojë në projektin “Mendimi im, Forca Ime”, me temë “Madhështia e librit”, krijuar nga Rugova Çelaku, shkolla “Ali Ibër Neza”.

Libri është një ndër shpikjet më të mrekullueshme të njerëzimit. Kur Johan Gutenberg i dha botës makinën e shkrimit, arti, kultura dhe shkenca u futën në një periudhë të zhvillimit epokal, duke mundësuar ndryshime rrënjësore të shoqërisë njerëzore. Papiruset dhe pergamenat ia lanë vendin letrës.

Njerëzit e letrave shkruan libra dhe libri u bë pjesë e pandarë e jetës shoqërore. Fillimisht në klasat e larta të shoqërisë në periudhat historike të mbizotërimit të mbretërive, ku lexuesit dhe krijuesit ishin oborrtarët dhe institucionet e krijuara nga sundimtarët, e më pas rrethi i lexuesve u zgjerua duke prekur shtresa të gjera të shoqërisë. Elitat intelektuale e kishin librin objekt dhe subjekt të punës së tyre. Shkrimtarët, filozofët, mendimtarët, krijuesit i dhanë fuqi universale librit duke e shndërruar atë në një nga vlerat më të mëdha të njerëzimit.

Nobelisti Orhan Pamuk thotë: “Një ditë lexova një libër dhe e gjithë jeta ime ndryshoi”. Kjo është fuqia madhështore e librit. Si kategori estetike e së bukurës ose të madhërishmes klasifikohen sende dhe objekte që bien në sy, si: parqe, lulishte, katedrale, skulptura, kështjella, pallate mbretërore a presidenciale, ura gjigante e shumë të tjera, por libri jo. Ky i fundit kur lexohet, bie fjala nga miliona lexues në shumë gjuhë të botës, bukurinë dhe madhështinë që krijon me lexuesin, me shijet, ndjesitë, përjetimet, emocionin dhe pasionin që transmeton tek ai, nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër në botë.

Sot kur teknologjia digjitale ka arritur nivele të jashtëzakonshme, kur mediat vizive dhe elektronike, si televizioni, kompjuteri dhe interneti janë tregues i qartë i përparimit të njerëzimit, i shpikjeve të mëdha të mendjes njerëzore, por përsëri, asgjë nuk e zëvendëson magjinë e librit. Libri është emocion, ndjenjë, fantazi, imagjinatë. Libri është empati. Mjafton të fillosh të lexosh dhe menjëherë ti vesh këpucët e dikujt tjetër dhe udhëton mes faqesh në jetën e tij. E kështu, imagjinata e autorit bëhet imagjinata jote, ke mundësi të jetosh jetë të tjera, të hapësh horizonte të reja ndjesish, të udhëtosh në kohë dhe në vende ku ndoshta nuk mund të jesh dot asnjëherë fizikisht. Kupton të mirat dhe të këqiat e sjelljes njerëzore, por edhe fatkeqësive, vuajtjeve dhe humbjeve. Kështu mund të vlerësosh më tepër lumturinë e sidomos atë të rigjetur, njerëzit që ke pranë, miqtë por edhe armiqtë. Sepse libri na mëson se jeta ka ngjyrën e bardhë dhe të zezë, por edhe shumë ngjyra të tjera të pafundme mes tyre.

Librat na bëjnë të pasur dhe të bukur, sepse nuk ka njeri më të bukur se ai që ka një mendje të tillë, e nuk ka pasuri më të madhe se dija. Aristoteli, Homeri, Platoni, Njutoni, Kanti, Lajbnici, Shekspiri, Aligeri, Servantesi, Balzaku, Dostojevski, Uitman, Bernsi, Eminesku, Mickievici, Markezi, Gëte, Asturias dhe emra të tjerë pafund të dijes njerëzore, mes tyre edhe shqiptarët që na bëjnë krenarë si Kadare, Agolli e shumë të tjerë, vijnë si të tillë përmes librave të tyre, që janë thesaret më të çmuara të njerëzimit. Janë pikërisht këto personalitete “thirrja” për t’u bërë madhështorë si librat e tyre, shkronjë pas shkronje e fjalë pas fjale. Njeherë që ju do ta dashuroni leximin, do të jeni gjithmonë madhërisht të lirë.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Armend Perolli, nxënësi shembull nga Prizreni: Punoi gjatë verës dhe nuk shkoi në pushime – me paratë që dhuroi u blen materiale shkollore për 12...

Një shembull i jashtëzakonshëm vije nga një nxënës i klasës së pestë të shkollës...

Shkencëtari kosovar Besnik Krasniqi, përfshihet në listën e shkencëtarëve më me ndikim në botë

Një arritje e jashtëzakonshme për shkencën kosovare ka ardhur këtë vit, pasi Profesori Besnik...

Këshilla për mësuesit dhe prindërit që të organizojnë mbledhje të frytshme në shkollë

Organizimi i një mbledhjeje të frytshme mes mësuesve dhe prindërve për të diskutuar mbarëvajtjen...

14 persona pre e mashtrimit të mësueses nga Peja

Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesën për masën e paraburgimit ndaj mësimdhënës, Gjylfidane...