Data 6 Prill shënoi Ditën Botërore të Sportit për Zhvillim dhe Paqe. Në kuadër të kësaj dite ju prezantojmë me esenë fituese të javës në projektin “Mendimi im, Forca Ime”, me temë “Sporti dhe Shëndeti”, shkruar nga Alisia Gjergji, shkolla “Lezha Academic Center”, Lezhë.
Ata që do të lëvizin më shumë dhe do të hanë shëndetshëm, do të jetojnë më gjatë! Sporti dhe ushqimi janë përgjegjës të shëndetit mendor, fizik, gjendjes emocionale dhe kujtesës! Kjo nuk është hipotezë, por një fakt i vërtetuar shkencërisht. Sporti, ushtrimet fizike, ecja, ushqimi i shëndetshëm duhet të hyjnë fort në jetën e përditshme të çdo individi që dëshiron të ruajë aftësinë në punë, shëndetin dhe një jetë të plotë e të gëzueshme. Aktivizimi dhe mbushja e veprimtarive ditore me aktivitete sportive ndikon drejtpërsëdrejti në gjendjen tonë. Sipas studiuesve amerikanë të shëndetit njerëzit që merren me sport kanë më pak mundësi për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit një në tre fëmijë në Evropë janë mbi peshën normale apo obezë. Ekspertët vlerësojnë se ky fenomen është në rritje të vazhdueshme dhe për këtë fajësojnë mënyrën e të ushqyerit, stilin e jetesës dhe mungesën e aktivitetit fizik. Kjo ka ndikuar shumë edhe në vetëbesimin e popullsisë.
Obeziteti në ditët e sotme është bërë i shpeshtë, duke shkaktuar edhe sëmundje të rënda edhe në mosha të reja. Për shkak të ndikimit edhe në paraqitjen e jashtme, kjo shoqërohet me stres, dembelizëm, ankth dhe depresion.
Sporti kosiderohet si ilaç i shpirtit, mendjes dhe trupit. Sporti është kulturë e trupit dhe e jetës, largim nga bota digjitale dhe shfrytëzim i natyrës, afër realitetit dhe mirëqënies vetjake. Sporti ka një ndikim të rëndësishëm për mendje të shëndetshme dhe sjell zhvilllim të kapaciteteve dhe shkathtësive mendore, mban larg veset e këqia, ndihmon në ruajtjen e raporteve dhe marrëdhënieve mes njerëzve dhe krijimin e një shoqërie aktive, të gjallë dhe të shëndetshme.
Shëndeti është elementi i parë dhe më i rëndësishëm i lumturisë. Kjo është aq e vërtetë, saqë edhe një lypës me një shëndet të mirë është më i lumtur se një mbret shëndetlig. Parandalimi i sëmundjeve është shumë herë më mirë se terapitë e shërimit.
Por, sporti është edhe shumë më tepër se shëndet fizik. Sporti është në fakt një mekanizëm zhvillimi tek njerëzit dhe sidomos tek të rinjtë. Përmes tij ne mësojmë se këmbëngulja, vullneti dhe puna e përditshme na çojnë drejt fitores. Përmes sportit ne mësojmë se mund të rrëzohemi dhe të humbasim shumë shpesh, por këto nuk duhet të na ndalojnë për të arritur qëllimet tona, përkundrazi, duhet të shërbejnë si arsye për të punuar edhe më tepër e për t’u përmirësuar.
Në sport ne edukohemi me konkurrencën e ndershme, por edhe me frymën e skuadrës dhe lumturinë e ndarjes së fitores me një ekip që na mbështet dhe inkurajon çdo ditë. Kështu, përmes sportit ne krijojmë edhe më tepër vlerësim për të tjerët, socializohemi me një grup që ka të njëjtat interesa me ne, përmirësojmë komunikimin dhe bëhemi edhe më bashkëpunues sepse në fund jemi të gjithë bashkë.
Sporti na mëson në fakt se çdo lojë, ashtu si edhe jeta, ka rregulla të cilat duhet t’i zbatojmë me përpikmëri, duhet disiplinë dhe punë e përditshme për të qënë një sportist i suksesshëm dhe pas çdo fitoreje nuk lumturohemi vetëm ne, por edhe të gjithë ata që na ndjekin në çdo hap tonin. Prandaj krijoni një jetë të shëndetshme, vraponi më shpesh, luani më shpesh dhe merrni frymë thellë, kështu do jeni më të lumtur!