U RRITA ME PAVARËSINË
Unë quhem Sibora !
Jam 18 vjeçare dhe po rritem bashkë me shtetin tim Kosovën, dhe po është paksa hutuese për ne të rritemi bashkë me shtetin tonë në tranzicion. Ja pse unë bisedoj vazhdimisht me prindërit për ndryshimet që Kosova përjeton, e bashkë me të edhe unë .
Të pasur për baba një mjek veteran lufte dhe për mama një grua të formuar juriste nga veriu i Mitrovicës, është e lehtë të hamendësosh se kush janë idolët e mi.
Jam rritur me këngët e Arif Vladit që mi këndonte nëna, me Lahutën e Malsisë që ma lexonte babai, kam parë xhirimet që nëna i kishte bërë refugjatëve gjatë luftës, intervistën e saj dhe tezes në BBC, kam dëgjuar historitë e babit nga fronti i luftës, historitë e xhaxhait nga brigada e Pashtrikut.
Ne vizitojmë çdo vit varrezat e Jasharajve , ne vizitojmë edhe varrin e shokut të ngushtë të babit Fisnikut në Koshare.
Në lagjen ku jetoj kam përballë monumentin e ngritur për rreth 20,000 gra te përdhunuara gjatë luftës, pranë shtëpisë sime shoh shtatoren e Ibrahim Rugovës e atë të Zahir Pajazitit.
Jam rritur me traumën që armiku la pas në popullin tim por edhe me njerëzinë, tolerancën, dashurinë, besën që e ka vetëm kultura shqiptare dhe që lejojnë koekzistencën tonë me serbët e Kosovës, kur vetëm 27 vite na ndajnë nga lufta.
Për ne plagët janë akoma të hapura sepse janë mbi 1,000 te zhdukur, sepse askush nuk u arrestua për asnjë nga 20,000 përdhunime, askush nuk dha llogari për masakrat e Kosovës. Plagët i kemi te hapura sepse Serbia asnjëherë nuk kërkoi të falur.
Ky ka qenë dhe vazhdon të jetë realiteti i Kosovës edhe pas 18 vite që nga shpallja e pavarësisë ,shqiptarët e Kosovës ende kanë një brengë, e kjo ka të bëjë me borxhin ndaj atyre që kontribuan kaq shumë në pavarësinë e Kosovës.
Përkundër të gjithave unë nuk e urrej Serbinë, nuk e dua por e urrej atë çfarë i ndodhi popullit tim.
Unë mund të kem dy flamuj, dy himne dhe çdo vit të festoj dy ditë pavarësie. Por ne kemi një gjuhë, një kulturë, një të kaluar. Ne jemi një komb, ne jemi shqiptar. Urrejtja shuan komb dhe unë e dua kombin tim, ja pse kam mësuar të zgjedhë paqen.

Sibora Kelmendi është nxënëse e Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë