“Po sjell tri modele të përdorura prej meje në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi ndër vite. Zakonisht këtë veprimtari e zhvilloj në javët e para të shkollës. I porosis nxënësit që të ndihen të lirë dhe të shkruajnë si e mendojnë ata vetë. Shpesh befasohem dhe gëzohem” nga Entela Kazazi (Shingjergji).
Në fëmijërinë time kujtoj që për mua mësuesi më i mirë ishte ai që më thërriste në emër. Kjo gjë më jepte një ndjesi besimi, sigurie, rehatie dhe ishte si të thuash një pohim i faktit se ekzistoja në klasë.
Në rolin e mësueses sfida ime më e madhe, në çdo fillim viti shkollor ka qenë ambicia për të fiksuar emrat e nxënësve të rinj. Mendoja se kështu u jepja të kuptonin se i njihja, se i konsideroja, se e kisha për zemër përparimin e tyre, se i bëja të ndiheshin mirë. Ishte si një lloj sinjali konfirmues, si për ata që kishin sjellje të përkorë dhe përparonin, si për ata që kishin vështirësi të përqendroheshin dhe mësimin nuk e kishin objektiv kryesor. Unë mendoj se të dish emrat e nxënësve të tu apo t’u drejtohesh atyre në emër është hapi i parë drejt njohjes së tyre.
Por dikur, kuptova se edhe pse kjo gjë ishte vërtet rezultative, vetëm kaq nuk mjaftonte. Me kohën dhe përvojën formësova bindjen se përpara se të synojë përvetësimin e kompetencave të caktuara tek nxënësit, çdo mësues duhet jo vetëm të dijë emrat, por edhe t’i njohë nxënësit e vet.
Sfida ime bëhet më e vështirë sa herë punoj me klasat e 10-ta. Me ndryshimet demografike, shoqërore dhe zhvillimin e teknologjisë së informacionit, duhet ta pranojmë se 15–vjeçarët e sotëm nuk janë ata të 20 viteve më parë. Interesat janë të tjera, qasjet ndaj Botës dhe Tjetrit janë të tjera, ndjeshmëria, intelekti dhe imagjinata janë të tjera. Prapa çdo fytyre të re fshihet një univers më vete, potenciale të panjohura. Disa syresh janë një libër i hapur, janë ekstoversë, më të gatshëm për t’iu zbuluar botës. Të tjerë janë introversë, fjalëpakë, ndoshta të turpshëm, ndoshta të kompleksuar dhe nuk të japin shumë mundësi për t’i njohur. Ndonjëherë, zbulimi i këtyre të fundit është një surprizë befasuese.
Është e qartë se mësuesve u intereson më së shumti të njohin nivelin e zotërimit të kompetencave kyçe dhe atyre lëndore prej nxënësve të rinj. Kjo është e kuptueshme pasi njohja paraprake të ndihmon të planifikosh duke mbajtur parasysh nevojat vetjake dhe përvojat paraprake të nxënësve, të lejon të zgjedhësh metodat dhe strategjitë e duhura, të organizosh punën me grupe dhe të planifikosh detyra të personalizuara në përputhje me nivelet e tyre.
Synimi i shkollës për rritjen intelektuale, shoqërore, estetike dhe emocionale të nxënësve në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi arrihet përmes zhvillimit gjuhësor dhe letrar të tyre. Për këtë arsye, në çdo fillim viti, pasi kam bërë një prezantim të vetvetes (emri, përvoja në punë, informacion rreth shkollës sonë, por edhe ndonjë informacion “të padëmshëm” rreth asaj që më pëlqen ose jo, pra realitetit tim personal etj.) unë zhvilloj me nxënësit e mi një detyrë të shkurtër me shkrim, e cila përmes ca pyetjeve, në dukje me karakter personal, rreh të zbulojë formimin gjuhësor dhe letrar përmes njohjes paraprake të botës së tyre. Bëhet fjalë për disa pyetje-ese, ose shkrim të lirë që kërkojnë përgjigje të shkurtra (vetëm me një paragraf).
Zakonisht këtë veprimtari e zhvilloj në javët e para të shkollës, por gjithsesi jo më vonë se muaji i parë. I porosis nxënësit që të ndihen të lirë dhe të shkruajnë si e mendojnë ata vetë. Nuk ka përgjigje të sakta apo të gabuara dhe nuk do të vlerësohen me notë. Koha në dispozicion është 10 minuta. Edhe pse në gjykimin tim është një kohë mëse e mjaftueshme, shpesh befasohem nga nxënës që e kanë të vështirë të shkëpusin stilolapsin nga dora. Dhe kjo më gëzon…