Kosova këtë vit është e përfaqësuar në TEKNOFEST 2025 nga organizata EngineeringHER Future (EHF), një organizatë me mision fuqizimin e vajzave të reja në fushën e inxhinierisë, e themeluar nga Erblina Bunjaku, studente në vitin e fundit në Matematikë (Honours) në Universitetin e Edinburgh-ut në Skoci, Mbretëri e Bashkuar, shkruan AlbanianEducation.net.
Ekipi EngineeringHER Future, i vetmi ekip nga Kosova ka arritur në finalet e TEKNOFEST 2025, festivali më i madh në botë i aviacionit dhe teknologjisë.
Ky është një sukses historik për vendin tonë, pasi është përfaqësuar Kosova në mesin e mbi 565 mijë ekipeve dhe 1.2 milionë pjesëmarrësve nga 96 shtete.
Gjatë pjesëmarrjes në Stamboll, janë takuar me Selçuk Bayraktar, Kryetarin e Bordit të Fondacionit T3 dhe Kryetarin e Bordit Drejtues të TEKNOFEST, i cili vizitoi stendën EngineeringHER Future dhe u njoh nga afër me projektin.
Padyshim se ky është një moment frymëzues dhe një dëshmi se Kosova ka potencial të madh në fushën e inovacionit, shkencës dhe teknologjisë.
EngineeringHER Future, e themeluar në vitin 2023, e ka krijuar një ekip të përbërë nga tri vajza të talentuara, të cilat janë alumni të programeve të organizatës Verena Gashi, Ersa Kalaja dhe Tringë Halabaku, të gjitha nxënëse ekselente të Gjimnazit të Specializuar Matematikor në Prishtinë.
Erblina, e diplomuar nga ky gjimnaz në vitin 2022, është këshilltare e ekipit.
Në vetëm dy vite veprimtarie, EHF ka themeluar klube të inxhinierisë në 73 shkolla të mesme dhe të larta në Kosovë, duke përfshirë mbi 73 vajza të reja në aktivitete praktike dhe inovative në fushën e teknologjisë.
Ekipi këtë vit po garon në nivelin e shkollave të mesme, në kategorinë e teknologjive edukative, me projektin “Prove It”. /AlbanianEducation.net/.