Dy nxënës të shkollës “Krushë e Vogël” kanë arritur një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të dijes, duke u kualifikuar në finalen e prestigjiozes “Einstein Olympiad 2026”.
Nxënësi Enes Muharremi është kualifikuar në dy fusha, Matematikë dhe Shkencë, ndërsa Kean Zylfiu ka siguruar pjesëmarrjen në finalen e Matematikës, duke dëshmuar nivel të lartë të njohurive dhe përgatitjes akademike.
“Einstein Olympiad” është një olimpiadë ndërkombëtare në fushën e matematikës dhe shkencës, e themeluar në vitin 2024 në Berlin nga Albert Einstein Education Center, ku marrin pjesë nxënës të talentuar nga vende të ndryshme të botës.
Finalja ndërkombëtare do të zhvillohet nga 26 deri më 30 tetor 2026 në Berlin të Gjermanisë, ku Enesi dhe Keani do të kenë mundësinë të përfaqësojnë me krenari shkollën “Krushë e Vogël” dhe Kosovën përballë nxënësve më të suksesshëm në nivel global.

Merita për këtë arritje i takon edhe mësueses Belona Batusha, e cila me përkushtim, profesionalizëm dhe mbështetje të vazhdueshme ka udhëhequr, motivuar dhe inkurajuar nxënësit drejt sukseseve në gara të nivelit ndërkombëtar.

Ky sukses paraqet një dëshmi të potencialit dhe talentit të të rinjve kosovarë, si dhe të përkushtimit të shkollës në kultivimin e ekselencës në arsim.