Dy nxënësit e Gjimnazit të Specializuar Matematikor, Endi Ymeri dhe Verena Gashi kanë zënë vendin e dytë, përkatësisht të tretin në Olimpiadën Kosovare të Fizikës 2026, shkruan AlbanianEducation.net.
Endi dhe Verena janë kandidatë për ta përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare të Fizikës.
Më poshtë gjeni në detaje njoftimin e dhënë nga shkolla për dy nxënësit e saj.
Njoftimi i plotë i shkollës:
Endi Ymeri – Kandidat Kryesor për Gara Ndërkombëtare
Nxënësi i Gjimnazit të Specializuar Matematikor, Endi Ymeri, ka shënuar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në Olimpiadën Kosovare të Fizikës 2026, duke fituar vendin e dytë në nivel republikan për të gjitha grupmoshat. Veçanërisht, Endi është renditur i pari absolut në pjesën e zgjidhjes së detyrave teorike, duke dëshmuar nivel të lartë të përgatitjes, thellësi konceptuale dhe aftësi të shkëlqyera analitike në fizikë.
Ky sukses vjen pas një rrugëtimi të vazhdueshëm në ekselencë; vitin e kaluar Endi përfaqësoi Kosovën në International Physics Olympiad, e njohur si IPhO, në Paris, Francë – garën më prestigjioze botërore në fushën e fizikës për nxënës të shkollave të mesme.
Nga radhët e fituesve të këtij viti do të përzgjidhet ekipi përfaqësues i Republikës së Kosovës për garat ndërkombëtare, përfshirë European Physics Olympiad dhe International Physics Olympiad, dhe ky rezultat e pozicionon Endin ndër kandidatët kryesorë për përfaqësim.
Gjimnazi ynë shpreh krenarinë dhe urimet më të sinqerta për këtë arritje të radhës në rrugëtimin e tij shkencor.
Verena Gashi – Kandidate për Gara Ndërkombëtare
Nxënësja e Gjimnazit të Specializuar Matematikor, Verena Gashi, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Olimpiadën Kosovare të Fizikës 2026, duke fituar vendin e tretë në nivel republikan, mes nxënësve më të mirë të vendit.
Me këtë rezultat, Verena ka dëshmuar përgatitje të qëndrueshme, mendim analitik të zhvilluar dhe seriozitet të lartë akademik, duke përfaqësuar shkollën tonë me dinjitet dhe nivel profesional.
Nga radhët e fituesve të këtij viti do të përzgjidhet ekipi përfaqësues i Republikës së Kosovës për garat ndërkombëtare të fizikës, përfshirë European Physics Olympiad dhe International Physics Olympiad, dhe ky sukses e vendos Verenën ndër kandidatet potenciale për këtë përfaqësim.
Gjimnazi ynë shpreh krenarinë dhe urimet më të përzemërta për këtë arritje të merituar, duke i dëshiruar suksese edhe më të mëdha në vazhdim.