Mësuesja e shkollës “Dardania” në Prishtinë, Elenë Stublla, thotë se fëmijëve në klasë të parë u mësohet materia, ata akoma s’i dinë shkronjat.
Ajo kritika ka pasur edhe për literaturën për nxënës.
“Unë jam mësuese e klasës së parë dhe po ta shihni literaturën e klasës së parë është për të të ardhur keq. Fëmijës në klasë të parë i mësohet se çka është materia e ai akoma nuk i ka mësuar as shkronjat. Për mua janë ca lëndë që nuk është dashur të figurojnë fare në klasën e parë”, ka theksuar Stublla.
Ajo ka thënë se edhe kushtet e punës i kanë të vështira.
“Jetojmë në një epokë ku kërkohet shumë punë nga mësimdhënësi, ndërsa të gjitha mjetet që të ofrohen janë një shkumës dhe një tabelë. E ku mund të kërkosh llogari nga një mësues që nuk po e bën punën tij, kur ti nuk ia ofron kushtet minimale për të zhvilluar një orë mësimore”, ka deklaruar Stublla në emisionin Konfornt në KTV.
Ajo ka thënë se sfidues është edhe numri i madh i nxënësve.
“Është shumë sfiduese, unë punoj në një nga shkollat më të mëdha që ka komuna e Prishtinës, me mbingarkesë të numrit të nxënësve, të zhvillosh mësim me një numër aq të madh të nxënësve nuk mund të kërkosh cilësi, sepse në një orë prej 45 minutash është e pamundur t’i përfshish 40 e më shumë nxënës”, është shprehur Stublla.