E mërkurë, 5 Shkurt, 2025

Elementët kryesorë të projektit kurrikular për kualifikimin e mësuesve

- Advertisement1-

Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi

Shkrimi i një projekti kurrikular është i rëndësishëm për zhvillimin e mendimit kritik dhe krijues, pasi ndikimi i tij është i padiskutueshëm për zhvillimi i aftësive analitike dhe vendimmarrëse. Nxit më së miri gjetjen e rrugëve inovative për të zhvilluar ide të reja. Kjo mund të përfshijë zhvillimin e aktiviteteve të reja, përdorimin e teknologjisë, si dhe zhvillimin e materialeve mësimore tërheqëse. Projekti të jep mundësi për përshtatje dhe fleksibilitet. Ndihmon në gjetjen e rrugëve më të përshtatshme për zgjidhjen e problemeve. Krijon mundësi për angazhim dhe motivim të të gjithë nxënësve pavarësisht arritjeve apo cilësive të tyre. Kjo ndihmon në krijimin e një mjedisi mësimor më të gjallë dhe më tërheqës. E gjej shumë pozitive që udhëzimi i ri ka vendosur që projekti të mos jetë më pjesë e dosjes profesionale që dorëzohej në ZVAP dhe vlerësohej në të “thatë”, por të vlerësohet aty në mjedisin real dhe jetësor dhe të shohësh se çfarë realisht sjell. E quaj pa vend t’u kërkohet mësuesve të dorëzojnë projektin kurrikular apo planin e orës së mësimit bashkë me dosjen profesionale në ZVAP deri në datë 7 shkurt. Sigurisht vlerësuesit do të njihen me të kur projekti të zbatohet, s’ka arsye t’i vështirësojmë jetën mësuesve. Ju lutem zyrtarë të arsimit mos i stresoni mësuesit, bashkëpunoni me ta, duke u krijuar kushte të përshtatshme pune për të pasur sukses në një proces të tillë që është edhe risi e udhëzimit.

- Advertisement -

Sipas udhëzimit 17, datë 22.7.2024, “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të punonjësve arsimor” i ndryshuar, për mësuesit specialit dhe mjeshtër, vlerësimi i procesit të kualifikimit mbështetet tek zhvillimi i orës mësimore të hapur ose/dhe projekti kurrikular që organizohen në shkollën përkatëse të kandidatit me një klasë të caktuar.

Në neni 8 të udhëzimit janë përcaktuar edhe parimet bazë të procedurave të vlerësimit me orë mësimore të hapur dhe/ose projekt kurrikular.

“Krijimtaria”; aftësia për të krijuar diçka të re dhe origjinale, shpesh duke përdorur imagjinatën dhe mendimin inovativ.

“Risia; aftësia për të sjellë ide, produkte, ose procese të reja dhe të përmirësuara. Krijimin dhe zbatimin e zgjidhjeve inovative që sjellin përparime dhe ndryshime pozitive në mësimdhënie.

“Profesionalizmi”; sjellja dhe qëndrimi që tregon një nivel të lartë të aftësive, etikës dhe përgjegjësisë në zhvillimin e procesit mësimor-edukativ. Përkushtimin ndaj standardeve të larta të cilësisë dhe integritetit në kryerjen e detyrës së shenjtë të mësuesit.

“Gjithëpërfshirja”; praktika e përfshirjes së të gjithë nxënësve, pavarësisht nga dallimet e tyre, në aktivitete, vendime dhe mundësi. Synon të sigurojë që të gjithë të ndihen të mirëpritur, të respektuar dhe të vlerësuar.

- Advertisement -rrrrrrr

“Efektiviteti”; aftësia për të arritur rezultatet e dëshiruara me përdorimin më të mirë të burimeve të disponueshme.

Sigurisht që ora e mësimit ka një strukturë të caktuar dhe mësuesit janë të familjarizuar me të. Projekti kurrikular ka ndërlikimet e veta pasi kërkon angazhim dhe parapërgatitje më të mira për të pasur sukses. Në vijim, do të përpiqem të paraqes në mënyrë të përmbledhur, fazat në të cilat kalon një projekt i suksesshëm dhe cili mund të merret si model.

Një mësues duke parë interesin e nxënësve si dhe mundësitë reale për realizimin e një projekti të caktuar vendos pasi ka vlerësuar disa alternativa për zgjedhjen më të mirë duke gjetur titullin i përshtatshëm dhe domethënës. Më tej projekti i shkruar përveç titullit ka pjesën standarde siç është hyrja apo problemi që kërkon të zgjidh. Më poshtë një listë me elementët kryesorë që duhet të ketë një projekt:

Hyrja dhe problemi.

Qëllimi dhe objektivat: Përshkrimi i qëllimit kryesor të projektit dhe objektivat specifike që synohen të arrihen.

Përmbledhje e Projektit: Një përmbledhje e shkurtër që përfshin përshkrimin e projektit, rëndësinë e tij, si dhe fjalët kyçe.

Përfituesit: Rezultatet e të nxënit.

Plani i punës: Hapat dhe aktivitetet që do të ndërmerren për të realizuar projektin duke caktuar afatet kohore si një kalendar të qartë për secilin hap të projektit.

Burimet dhe buxheti: Identifikimi i burimeve të nevojshme (financiare, njerëzore, materiale) dhe buxheti i parashikuar për secilin aktivitet gjatë ciklit të projektit.

Rreziqet dhe menaxhimi i tyre: Identifikimi i rreziqeve të mundshme dhe rrugët për menaxhimin e tyre.

Përgjegjësitë dhe rolet në grup: Përshkrimi i roleve dhe përgjegjësive të anëtarëve të skuadrës.

Monitorimi dhe vlerësimi: Metodat për monitorimin e progresit dhe vlerësimin e rezultateve të projektit.

Dokumentacioni dhe raportimi: Dokumentet që do të krijohen dhe raportet që do të dorëzohen gjatë dhe pas përfundimit të projektit.

Mesazhi përfundimtar dhe falënderime: përfshirja e palëve të interesuara apo përfitues të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga ky projekt.

Një model i thjeshtuar për një projekt shkollor, i ndarë me faza dhe që mund të përshtatet në varësi të lëndës dhe kërkesave specifike të projektit mund ta konsultoni në vijim:

Faza 1: Përgatitja dhe planifikimi. Ka të bëjë me identifikimin e temës së projektit, e cila duhet të jetë e qartë, e fokusuar dhe e arritshme. Mblidhja e informacioneve bazë për temën dhe identifikimi me burimet e mundshme (libra, artikuj, internet, intervista, etj.) kanë të bëjmë me hulumtimin paraprak dhe me përcaktimin e qëllimeve kryesore të projektit, të asaj çfarë doni të arrini me këtë projekt. Gjithë ky proces do të siguronte planifikim të mirë të kohës përgjatë secilës fazë dhe detyrë të projektit.

Faza 2: Hulumtimi, mbledhja dhe analiza e të dhënave. Kjo fazë nënkupton mbledhjen e të dhënave dhe informacione të detajuara për temën. E rëndësishme është që këto burime të jenë të besueshme dhe të diversifikuara. Informacioni i mbledhur organizohet në mënyrë logjike duke dhënë mundësin për të identifikuar modele dhe për të përcaktuar se cilat pjesë janë më të rëndësishmet për projektin.

Faza 3: Shkrimi i projektit: Gjatë shkrimit të versionit fillestar të projektit kujdesemi të përfshijmë të gjitha pjesët kryesore (prezantimi, përmbajtja, përfundimi). Kjo fazë ndiqet nga një tjetër që ka të bëjë me përmirësimin dhe redaktimin duke rishikuar draftin për gabime dhe paqartësi dhe duke u siguruar që struktura e projektit të jetë logjike dhe informacioni i saktë.

Faza 4: Zhvillimi i projektit: Kjo është dhe faza kur projekti zbatohet, klasa zhvillon aktivitete në klasë ose sjell dhe prezanton pjesë të veprimtarive për të cilat ka qenë e angazhuar jashtë mjedisit shkollor. Tabelat, grafikët, fotot ose diagramet do të ndihmonin për të dhënë kuptim projektit.

Faza 5: Prezantimi i projektit; Mundësi e mirë do të ishte të përgatitni një prezantim të shkurtër dhe efektiv duke përdorur slide ose materiale vizuale për të mbështetur atë. Në këtë fazë mësuesi kujdeset për të orientuar nxënësit të ushtrohen për të folur qartë dhe me besim, në përshtatje me kohën e caktuar. Procesi i prezantimit mund të shoqërohet me pyetje dhe ju duhet të merrni masa të përgjigjeni pyetjeve dhe të ofroni sqarime nëse është e nevojshme.

Faza 6: Vlerësimi dhe reflektimi; Sigurisht që në këtë fazë duhet të merrni parasysh komentet dhe sugjerimet të cilat janë një instrument i rëndësishëm për të identifikuar pikat e forta dhe ato që mund të përmirësohen. Të gjitha sugjerimet janë një mundësi për reflektim mbi procesin e punës dhe mësimet e nxjerra.

Të shkruash një përmbledhje të shkurtër të përvojës tuaj gjatë zbatimit të projektit, të ruani një kopje për referenca të ardhshme dhe të japësh informacion për publikun janë elementët e fundit që nuk duhen anashkaluar gjatë zbatimit të një projektit kurrikular.

Ky mund të jetë një model i përshtatshëm për shumicën e projekteve shkollore dhe mund të modifikohet sipas nevojave specifike pasi prerje të kornizuara nuk ka.

Suksese me projektin tuaj!

© Portali Shkollor 

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Hamit Sejdiu” në Kërpimeh zgjedh kryesinë e re të Këshillit të Prindërve

Shkolla "Hamit Sejdiu" në Kërpimeh të Podujevës ka zgjedhur kryesinë e re të Këshillit...

Qortohet se nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë – 10-vjeçari kinez i hakmerret babait

Një djalë 10-vjeçar, i qortuar nga i ati për moskryerjen e detyrave të shtëpisë,...

Nxënësja Alea Dvorani, fiton “Çmimin e Parë” në manifestimin “Flaka e Janarit”

Alea Dvorani, nxënëse e shkollës "Meto Bajraktari" në Prishtinë ka fituar "çmimin e parë"...

Nga Malvina Rista: Fëmijët në Epokën Digjitale: Konsumatorë të Teknologjisë apo Krijues të Dijes?

Jemi në epokën e teknologjisë dhe informacionit, ku interneti është bërë pjesë e pandashme...