Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur të mërkurën në një konferencë për media se ekzekutimi i pagave në sektorin publik për muajin gusht është bërë pjesërisht, për shkak të vonesave në procedimin e listave të grevistëve.
Ai ka theksuar se greva e shpallur nga BSPK-ja prej 25 gushtit, ka krijuar nevojën që të riprocedohen edhe llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga greva. Sipas ministrit, paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit gusht.
“Sa i përket ekzekutimit të pagave, sot është bërë vetëm pjesërisht, pra vetëm një pjesë e organizatave buxhetore është arritur të bëhet ekzekutimi i pagave, për shkak se procedimi dhe përgatitja e llogaritjes së listës së pagave merr kohë dhe zakonisht ky proces fillon në mes të muajt kur organizatat buxhetore I dorëzojnë listat e personelit që duhet paguar dhe pastaj që të dërgohen fillimisht në BQK dhe në llogaritë bankare të përfituesve. Greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajt gusht, nga datat 25 ka krijuar nevojën që të riprocedohen edhe llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga greva e shpallur. Dhe marrë parasysh që sipas nenit 18, detyrimi i punëdhënësit për të paguar punëtorin gjatë kohës sa është në grevë pezullohet dhe ne kemi bërë kërkesë nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e tyre”, tha ai.
Shefi i kuletës së shtetit, ka konsideruar të padrejtë ndalesën uniforme të pagës për gusht.
“Ne kemi konsideruar të pa drejtë që të shkojmë në ndalesë uniforme ashtu siç ka deklaruar SBASHK-u, të gjithë 25 mijë e 98 anëtarëve të SBASHK-ut t’u zbriten pagat për ditët që s’janë në punë, por kemi dashur që të kërkojmë nga komunat të na njoftojnë për vullnetin e lirë të pjesëmarrësve në grevë ose jo… Ndërsa, deklaratat e mësimdhënësve që refuzojnë të jenë pjesë e grevës, por edhe deklaratat e disa prej komunave apo organizatave buxhetore të tjera, siç është Universiteti i Prishtinës që nuk janë në grevë, por janë në pushim, ne kemi parë të nevojshme dhe të arsyeshme që të kërkojmë ato lista, prandaj nuk kemi arritur që të procedojmë me pagat në ditën sotme”, theksoi Murati.
Ai po ashtu ka thënë se një pjesë e madhe e organizatave buxhetore janë deklaruar se s’ka pasur grevë.
Ministri Murati ka ftuar mësimdhënësit që të nisin punën nesër më 1 shtator dhe prindërit t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.
Ndryshe, drejtues të SBASHK-ut gjatë ditës kanë bërë të ditur se më 1 shtator mësimi s’do të fillojë.
BSPK-ja të martën ka paralajmëruar padi ndaj ministrit Murati i cili ka thënë se do t’u ndalen pagat grevistëve për aq kohë sa qëndrojnë në grevë.