Në ambientet e Shkollës së Mesme të Lartë “Medreseja Alauddin” në Prishtinë u zhvillua ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së ushtruesit të detyrës së drejtorit.
Në këtë ceremoni morën pjesë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, Shefi i Arsimit për Arsimin e Mesëm të Lartë në Drejtorinë e Arsimit, z. Ridvan Islami, si dhe stafi i shkollës.
Me këtë rast, u shpreh mirënjohje dhe falënderim i sinqertë për Fadil Hasani për kontributin dhe përkushtimin e tij shumëvjeçar në edukimin e brezave dhe në udhëheqjen e shkollës. U vlerësua lart angazhimi dhe puna e tij në avancimin e proceseve edukativo-arsimore dhe në zhvillimin institucional të shkollës.
Detyrën e re si u.d. i drejtorit e pranoi Prof. Ekrem Maqedonci. U theksua se përvoja, profesionalizmi dhe vizioni i tij do të jenë vlerë e shtuar për shkollën, stafin dhe nxënësit.
Myftiu Tërnava, z. Islami dhe stafi i shkollës i uruan Prof. Maqedonci suksese në detyrën e re, duke i dëshiruar shëndet dhe mbarësi në angazhimin e tij.
Prof. Ekrem Maqedonci që nga viti 2010 është profesor në Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë. Ai ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Dituria Islame” për dy mandate dhe ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore.
Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin Al-Az’har (tri vite në Damask, Siri, dhe vitin e katërt në Kajro, Egjipt), ndërsa studimet pasuniversitare i ka kryer në Universitetin e Jinanit në Tripoli, në drejtimin e Jurisprudencës Islame.
Shkollën e mesme e ka përfunduar në “Medresenë Alauddin” në Prishtinë, ndërsa shkollën fillore në vendlindjen e tij, në Sharban, Komuna e Prishtinës.