SHKOLLA INDIKATOR I NDRYSHIMEVE
“Arsimi është çelësi për të zhbllokuar botën, një pasaportë drejt lirisë.”
Oprah Winfrey
Paraqitja e shkollave ka rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të njeriut, shoqërisë dhe kulturës, sepse në të rregullohen, sistematizohen dhe barten përvojat e njerëzimit.
Shkollat e para i hasim në shoqërinë skllavopronare dhe atë në vendet e lindjes së largët, para dyqind ose treqind mijë vitesh para erës tonë.
Shkollat e para janë themeluar në Kinë,Egjipt,Indi,Greqi, që në shekullin e IV-të para erës së re.
Pra, duke filluar nga civilizimet e lashta siç janë Kina, Egjipti, Mesopotamia, shkollat ishin më të organizuara dhe të ndërlidhura në sistem, në qoftë se organizimi nacional përkatësisht shtetëror ishte më i gjerë dhe më i qëndrueshëm.
Shikuar historikisht mund të themi se gradualisht me zhvillimin e shkollës zhvillohet dhe shoqëria, kështu që si është zhvilluar dhe ndryshuar shoqëria kanë ndryshuar detyrat, qëllimet, metodat, mjetet, përmbajtjet, statuti i nxënësve në shkollë.
Kur flasim për reformimin e shkollës nga ajo tradicionale në atë bashkëkohore, është e patjetërsueshme që të bëhet edhe riorganizimi i saj edhe atë mendohet në riorganizimin, përkatësisht reformimin e brendshëm dhe të jashtëm të shkollës.
Edukimi dhe arsimi fillor ka për qëllim që të mundësojë:
-Zhvillim harmonik të nxënësve (si atë kognitiv, emocional, social dhe psikomotorik) në përputhje me aftësitë e tyre individuale dhe rregullat zhvillimore dhe zhvillimin e personalitetit të nxënësit të bazuar në parimet e respektimit të të drejtave të njeriut,
-Aftësimin e nxënësve të miratojnë sistem të njohurive dhe aftësive për veprim të pavarur, efikas dhe krijues në mjedis shoqëror dhe natyror,
-Respektimin e njerëzve pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, sociale, kulturore dhe fetare, aftësitë e tyre fizike ose mendore,
-Krijimin e vetëdijes dhe kujdesin e nxënësve për shëndetin e tyre dhe rëndësinë e mjedisit të shëndetshëm.
Shkolla përfaqëson një institucion të organizuar dhe të specializuar për arsimimin e çdo individi, ajo ka ndikim të madh në çdo vend.
Shkolla bashkëkohore para se gjithash duhet të sigurojë arsim që nënkupton sigurimin e kualitetit të arsimit, qasje të barabartë për të gjithë dhe arsimim të përshtatur për nevojat individuale dhe sociale. Shkolla bashkëkohore duhet të përbëhet nga karakteri human i arsimit, pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve në punën e shkollës (mësimdhënës, nxënës, prind), sinqeritetit në punë, transparence në punë dhe sigurisht që duhet të ekzistojë edhe decentralizimi në punën e shkollës.
Shkolla është treguesi (indikator) i ndryshimeve pozitive ku në shkollë gjatë gjithë kohës arsimohemi dhe edukohemi.
Nxënësit fillimisht vijnë në shkollë njoftohen me shkollën ku nisin të socializohen me shokët, shoqet dhe stafin arsimor.
Nga mosha 5 vjeçare ne klasat parafillore dhe klasën e parë nxënësit vijnë nga familjet e ndryshme dhe disa vështirë socializohen.
Në mësimdhënie për fat të keq më së shumti dominojnë teknikat tradicionale, të cilat në masë të madhe i pasivizojnë nxënësit, në llogari të rolit dominues të mësimdhënësit.
Kërkesat bashkëkohore e theksojnë procesin e mësimit, për çka është e nevojshme ndryshime në atmosferën në paralele në të cilën interakcioni i fëmijëve duhet të ketë rol udhëheqës, përmes: shtytjes së mësimit kritik dhe të pavarur, punës individuale dhe më partner, mësimit përmes zgjidhjes së problemeve, stuhi idesh dhe diskutime grupore, mësimit projektues, hulumtimit të pavarur, aftësisë për përdorim të më shumë burimeve të dijes, punimit të esesë, prezantimit vizual dhe simboleve grafike. Përdorimit të qasjeve alternative, përdorimit të teknologjisë dhe sistemeve informatike etj.
Mësimdhënësit fillor luajnë shumë role brenda një orë mësimore:
a)Rolin e Prindit, sepse mësuesi duhet të jetë shumë i afërt me nxënësin e klasës se parë sa që nxënësi të heq dorë nga prindërit biologjik e të qëndroj me mësuesin,e kuptoni sa vështirë është që të arrihet kjo?
b)Rolin e Psikologut që ta njohim gjendjen e tij fizike,shpirtërore e emocionale,ku shikimi i mësuesit detyrimisht duhet të jetë i butë (përkëdhelës),vëzhgues,matës,analizues dhe vlerësues.
c)Rolin e Pedagogut fillimisht kemi të bëjmë me edukatën sepse nxënësit vijnë nga familjet e ndryshme me edukim familjare që dallojnë njëri me tjetrin dhe mësimdhënësi 1-5 duhet t’i harmonizoj dhe orientoj në mënyrën me të mirë të mundshme dhe me kujdesin maksimal që mos ta lëndoj personalitetin e nxënësit.
d)Rolin e Mësimdhënësit përsëri e ka të vështirë ta luaj mësuesi/ja nga se edhe njohurit e nxënësve në klasën e parë janë aq të diferencuara saqë, në shumë raste i thua vetës si është e mundur gjithë ky dallim i nivelit të njohurive me moshatar të njëjtë?
Nga klasa e gjashtë e deri në të nëntën nxënësit veç janë përgatitur për një kapitull të ri ku nga një mësues/e kalojnë në një numër me të madh të mësimdhënësve ku fillimisht nxënësit duhet të mësojnë metodën pedagogjike të çdo mësimdhënësit (qasjen).
Nga kjo klasë mësimdhënësit duhet t’i hulumtojnë nxënësit për orientimet e tyre në karrierë,ku vazhdimisht përcjellën nga mësimdhënësit me anë të nënshtrimit të vlerësimit të ndryshëm brenda periudhave të caktuara dhe në fund të klasës së IX-të pas konsultimit të kujdestarit të klasës me këshillin e arsimtarëve e kontakton prindin dhe i jep sugjerime për fëmijën e tij se në cilën lëmi jetësore duhet të vazhdojë.
Duke ia dëshmuar prindit,që ne kemi bërë vlerësimin e vazhdueshëm, përcjelljen e vazhdueshme të nxënësit.
Atëherë qysh ne kur e pranuam fëmijën në moshën 5-6 vjeçare e kemi ambientuar, socializuar me klimën shkollore dhe është përgatitur për jetë, i gjithë ky proces jo i lehtë aspak mund ta quajmë se shkolla është indikator i ndryshimeve.
Puna e shkollës efektive përfshin në vete:
-Zhvillimin profesional të kuadrove të veta, veçanërisht të mësimdhënësve,
-Aftësim profesional të mësimdhënësve për mentorim të kolegëve të tij, të mësimdhënësve praktikant dhe të mësimdhënësve të ardhshëm,
-Zbatimin e inovacioneve,
-Gjetjen e formave dhe modeleve për punë ekipore dhe bashkëpunim me ekipet projektuese të shkollës,
-Pajisjen e hapësirave,
-Sigurimin e teknikave dhe të çdo lloji tjetër të kushteve për hospitim shkollor.
Shkolla efektive bashkëkohore duhet të dijë të ballafaqohet me problemet në familje, problemet ndërmjet gjeneratave dhe bashkëkohësve, përmbajtjen e kohës së lirë të fëmijëve, dilemat personale, paragjykimet dhe qëndrimet e fëmijëve me sfida specifike të zhvillimit, realizimin e të drejtave dhe nevojave kulturore të fëmijëve si dhe kënaqësinë nga dituria si dobi personale dhe e përbashkët.
Shkolla duhet të realizojë mësim kualitativ, të krijojë klimë socio-emocionale për mësim dhe punë, të pranojë dhe zgjidhë probleme në mësim, të nxitë avancimin individual të fëmijëve me sfida specifike në zhvillim, t’i respektojë mundësitë e ndryshme dhe nevojat e fëmijëve, të nxitë mësim krijues, gara dhe të krijojë klimë të kënaqësisë nga e arritura, dhe të paraqet shembull të mirë për strukturën e mirë organizative.
Shkolla ndryshime ka sjellur duke dhënë:
-Përkrahje në zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
Institucionet shkollore duhet të përcjellin vazhdimisht trendët me të reja arsimore, pedagogjike, teknologjike e shoqërore.
Një mbështetje ka qenë dhe vazhdon të jetë trajnimi i mësimdhënësve për kurrikul, duke u mundësuar planifikimin e planeve vjetore, dymujore, javore dhe ditore.
Realizimi i suksesshëm i planeve janë indikator për kualitet, ku duke dhënë përkrahje në realizimin e suksesshëm të tyre po e shohim shkollën indikator për zhvillim dhe ngritje të cilësisë.
-Përkrahje në zhvillimin e aktiviteteve jashtëshkollore.
E dimë që aktivitetet jashtëshkollore ndikojnë në rritjen dhe formimin e nxënësve duke u mundësuar të nxjerrin në pah edhe talentet e tyre.
P.sh në shkollën tonë kemi aktivitete të ndryshme muzikore e sportive. Zhvillohen aktivitete muzikore për festimin e ditës së shkollës, organizimi i lojërave sportive (garave) me shkolla të tjera duke thyer kështu barrierat shoqërore dhe të krijojnë lidhje shoqërore të shëndetshme më të tjerët.
-Motivim të nxënësve
Motivimi përkufizohet si entuziazmi ynë për të bërë diçka.
Na ndihmon të vendosim një qëllim dhe ta arrijmë atë.
Shkolla i përkrah (motivon) nxënësit duke i bërë që të ndihen të rëndësishëm. Si motivimi i tyre për pjesmarrje në aktivitete jashtëshkollore, motivimi me këshilla, sigurime të burimeve të ndryshme të informacionit etj.
-Bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin
Shkolla duhet të bashkëpunoj me prindërit, ata duhet të mbahen të informuar për arritshmërit e fëmijëve të tyre, zhvillimin dhe progresin.
Atyre duhet tu ofrohet mundësia për të kontribuar në të nxënit dhe progresin e tyre. Pra, duhet të bashkëpunojmë me prindër por edhe me komunitet edhe për mirëmbajtjen e mjedisit fizik të shkollës.
Zhvillimi i procesit edukativo-arsimor në vitet në vijim nuk do të varet vetëm nga vullneti i një personi ose i një grupi të vogël të njerëzve, por nga veprimi i shumë përbërsve, mësimdhënës, nxënës, prindër, kompani, medium, administrate, pale politike dhe tjera. Numër i madh i ndryshimeve nuk mund të zbatohen nëse nuk i përkrahë shumica më e madhe e faktorëve.
Shkolla bashkëkohore apo ajo efektive misionin e saj mund në tërësi ta plotësojë vetëm nëse i respekton parimet e hapjes drejt kushteve dhe nevojave të fëmijëve, në frymën e konventave dhe standardeve ndërkombëtare.
Një shkollë e mirë konsiderohet ajo shkollë e cila, brenda autonomisë dhe fleksibilitetit të lejuar, shfrytëzon në mënyrë efektive kapacitetin që ka në dispozicion për ndërtimin e profilit të vet në funksion të zhvillimit të kompetencave të nxënësve të saj dhe në të mirë të avancimit të lokalitetit në të cilin vepron.
Egzon Haxhijaj, drejtor i shkollës “Ndre Mjeda në Rakosh”
Referencat:
- Rabije Murati. Demokratizimi i sistemit edukativo-arsimor në Republikën e Maqedonisë. Tetovë, 2016. Faqe 23.
- Instituti Pedagogjik. Udhëzues për udhëheqjen e zbatimit të kurrikulës në shkolla. Dhjetor, 2015
- High speed training. Understading the importance of motivation in Education.
- Instituti pedagogjik i Kosovës.Udhëzues për vlerësim të brendshëm të shkollës.Prishtinë, 2016