SHFMU “Ndre Mjeda”, Rakosh-Istog
Drejtor: Egzon Haxhijaj
Rakosh, 2023
RËNDËSIA E EDUKIMIT PARASHKOLLOR
“Mësimi fillon që në foshnjëri, shumë kohë përpara se të fillojë edukimi formal dhe
vazhdon gjatë gjithë jetës.
Mësimi i hershëm lind mësimin e mëvonshëm dhe suksesi i hershëm sjell sukses të
mëvonshëm, ashtu si dështimi i hershëm sjell dështimin e mëvonshëm”.
James J. Heckman
Fëmijëria e hershme konsiderohet si faza më e rëndësishme e zhvillimit. Zhvillimi i hershëm i shëndetshëm i fëmijës, i cili përfshin zhvillimin fizik, social/emocional dhe gjuhësor/kognitiv (secili po aq i rëndësishëm), ndikon fuqishëm në shëndetin mendor dhe fizik, aftësitë e shkrim- leximit dhe numërimit, në suksesin jetësor.
Rëndësia e moshës parashkollore në zhvillimin e fëmijës nuk mund të mbivlerësohet. Sipas
Karen Brown, "Gjatë kësaj kohe, shumë ndryshime dinamike zhvillimore po ndodhin në sferën e zhvillimit fizik, social, emocional, moral, kognitiv dhe komunikues. Të gjitha ato ndihmojnë fëmijën të kuptojë më mirë botën, veten dhe njerëzit e tjerë, dhe të krijojnë mundësinë për të përmbushur nevojat dhe dëshirat e tyre në një mënyrë të pranueshme shoqërore.
Vitet e hershme të zhvillimit të fëmijëve janë të spikatura në ndërtim të personalitetit të tyre dhe formësimit të karakterit të tyre.
Parashkollori ofron një kuadër edukativ për fëmijët ndërmjet moshave 3 deri në 6 vjeç që
kontribuon ndjeshëm në zhvillimin e tyre dhe adreson nevojat e tyre në fillim të rrugëtimit të tyre nëpër sistemin arsimor shtetëror. Është e rëndësishme që ky takim i parë të jetë një përvojë konstruktive për fëmijët dhe familjen e tyre, duke krijuar një ndjenjë besimi që do t'i shoqërojë ata që në parashkollor dhe në të gjithë sistemin shkollor.
Në klasën e tyre parashkollore, fëmijët bashkohen me grupin e bashkëmoshatarëve, duke
formuar ndërveprime të ndryshme sociale. Ata gjithashtu zhvillojnë ndjeshmërinë,
ndërgjegjësimin si dhe vlerat morale dhe integritetin shoqëror.
Nëpërmjet përvojave të tyre të larmishme, fëmijët njihen me botën dhe kurioziteti i tyre i
natyrshëm i shtyn ata të hulumtojnë më tej, të zgjidhin problemet dhe të kuptojnë potencialin e tyre në një sërë lëndësh.
Fëmijët e vegjël nxiten të luajnë në një gamë të gjerë përvojash loje: lojëra simbolike, lojëra me role (lojëra socio-dramatike) si dhe lojëra të strukturuara të bazuara në rregulla. Fëmijët mësojnë të shprehin veten në mënyrë krijuese në mënyra të ndryshme.
Parashkollori u ofron atyre hapësirën për të përjetuar lëvizjen dhe për të zhvilluar vetëbesimin dhe ndjenjën e kompetencës dhe kontrollit.
Personaliteti unik i secilit fëmijë zhvillohet duke theksuar individualitetin nga njëra anë dhe
ndjenjën e përkatësisë nga ana tjetër. Stafi arsimor parashkollor punon sipas një qasjeje
sistematike që merr parasysh fëmijët, prindërit dhe familjet e tyre, si dhe karakteristikat e
komunitetit të tyre. Stafi inkurajon fëmijët të mësojnë dhe të hulumtojnë, duke zgjeruar
horizontet e tyre si nëpërmjet aktiviteteve të para-strukturuara ashtu edhe atyre spontane.
Mësohen përmbajtje dhe lëndë të ndryshme në mënyra të ndryshme, si dhe zbatimi i programeve të kurrikulës bërthamë, sipas moshës, zhvillimit dhe preferencave të fëmijëve.
PROCESET ZHVILLIMORE NË FËMIJËT E MOSHËS PARASHKOLLORE
Zhvillimi i fëmijëve të moshës parashkollore karakterizohet nga ndryshime thelbësore në çdo fushë: fizike, emocionale, sociale, gjuhësore dhe kognitive. Zhvillimi nuk është vetëm biologjik – ai buron gjithashtu nga përvoja e fituar dhe mësuar nga mjedisi rrethues i fëmijës. Këto ndryshime të rëndësishme janë të ndërlidhura dhe me ndikim reciprok.
Ndryshimet emocionale dhe sociale: fëmijët zhvillojnë një vetëdije për emocionet dhe
pikëpamjet e të tjerëve. Ata zhvillojnë aftësinë për të rregulluar ndjenjat e tyre, përshtatin sjelljen e tyre për t'u përfshirë në aktivitetet. Ata mësojnë të përballen me zhgënjimet dhe të përqendrohen në një qëllim.
Ata zhvillojnë vetëvlerësimin dhe ndjenjën e kompetencës, bota e tyre sociale zgjerohet, fëmijët në parashkollor krijojnë ndërveprime me fëmijët e moshës së tyre dhe me të rriturit jashtë rrethit të tyre familjar. Ata fitojnë aftësi jetësore dhe norma shoqërore dhe mësojnë të zgjidhin konfliktet në mënyra që mundësojnë marrëdhënie shoqërore dhe miqësi.
Zhvillimi i gjuhës: ka një kuptim më të thellë të gjuhës së folur dhe fëmijët bëhen më të
artikuluar, duke u shprehur më rrjedhshëm. Zhvillohen aftësitë gjuhësore dhe ata janë në gjendje të zhvillojnë një bisedë, fjalori dhe aftësitë e tyre konceptuale rriten si dhe përdorimi i drejtë i sintaksës në të folur. Prezantimi i tyre me libra dhe materiale të tjera leximi i inkurajon ata të mësojnë, të lexojnë dhe të shkruajnë.
Zhvillimi ndijor-motorik: fëmijët rriten dhe përmirësojnë aftësitë e tyre fizike, orientimin e tyre hapësinor dhe pavarësinë e tyre. Ata bëhen të vetëdijshëm për trupin e tyre dhe janë në gjendje ta përdorin atë në mënyrë efikase dhe të përfitojnë kënaqësi nga kj. Aftësia e tyre për të përdorur mjete të ndryshme i ndihmon ata të zgjerojnë gamën e aktiviteteve të tyre.
Aftësitë kognitive: aftësitë njohëse zhvillohen dhe ata fillojnë të përdorin procese komplekse për të mësuar dhe kuptuar botën përreth tyre. Kurioziteti i tyre shtohet dhe duan të hulumtojnë, të zgjidhin probleme dhe të gjejnë shpjegime për fenomene të ndryshme. Ata fillojnë të kuptojnë dhe të ndërtojnë simbole, imagjinata e tyre e pasur shprehet në lojë dhe zhvillojnë procese të mendimit abstrakt.
EDUKIMI PARASHKOLLOR NË KOSOVË
Edukimi parashkollor paraqet nivelin e parë të arsimit parauniversitar në Kosovë, përkatësisht shkallën 0 të Standardeve Ndërkombëtare të Klasifikimit të Arsimit (ISCED), në të cilën përfshihen fëmijët deri në moshën 6 (gjashtë) vjeçare. Edukimi parashkollor në Kosovë, organizohet në institucionet parashkollore publike (çerdhet dhe kopshtet) dhe institucionet parashkollore private, qendrat/kopshtet me bazë në komunitet dhe klasat përgatitore të cilat funksionojnë në kuadër të shkollave fillore (niveli parafillor).
Kosova ka hartuar për herë të parë Ligjin për edukimin parashkollor në vitin 2006, atëherë kur është përgatitur edhe kurrikula e parë për fëmijët e moshës 3 deri në 6 vjeç dhe standardet e përgjithshme të edukimit parashkollor, që përfshinin moshën 3 deri në 6 vjeç. Në vitin 2011, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) me mbështetje të UNICEF, ka hartuar standardet e zhvillimit dhe të mësuarit për fëmijërinë e hershme 0-6 vjeç.
Pas vitit 2000, institucionet shtetërore filluan t’i kushtojnë më shumë rëndësi edukimit
parashkollor.
Edukimi parashkollor është përkrahur në vazhdimësi nga partnerë zhvillimor ndërkombëtar si UNICEF, Save the Children, Caritasi Zviceran, Banka Botërore, Bashkimi Evropian si dhe nga organizata jo-qeveritare të tjera të cilat synonin gjithëpërfshirjen në edukimin parashkollor dhe përmirësimin e cilësisë së këtij niveli.
Zbatimi i projektit edukativ me fëmijën në qendër i ashtuquajtur, programi “Hap pas Hapi” në çerdhe dhe kopshte, si projekti i parë i zhvilluar në nivelin e edukimit parashkollor në Kosovë, arriti të sjellë ndryshime në praktikën e punës me fëmijët dhe të krijojë një praktikë më fleksibile me forma të ndryshme të punës duke synuar edukimin e fëmijëve për të qenë qytetar të një shoqërie demokratike. Pikërisht nga ky program burojnë edhe nismat e para drejt ndryshimit të praktikës së punës me fëmijët dhe hapat metodologjikë të përparuar që vlerësojnë marrëdhëniet interaktive të rritur-fëmijë dhe fëmijë-fëmijë.
Kuvendi i Kosovës, në vitin 2006, miratoi Ligjin Nr. 02/L52 për Edukimin Parashkollor, i cili
për herë të parë rregullonte organizimin e edukimit parashkollor në Kosovë. Me miratimin e këtij ligji, gradualisht u vendosën shtyllat për një edukim më të organizuar dhe më cilësor. Ky ligj, përcaktoi qartë, qëllimin e edukimit parashkollor, parimet mbi bazën e të cilave do të organizohej edukimi parashkollor, organizimin dhe përmbajtjen e edukimit parashkollor publik dhe privat, financimin, të punësuarit në institucionet parashkollore, mbrojtjen e të dhënave dhe deri tek mbikëqyrja e punës. Si rezultat i ristrukturimit të sistemit të arsimit dhe ligjit për edukimin parashkollor, në vitin 2006 hartohet edhe dokumenti i “Standardeve të përgjithshme të edukimit dhe arsimit parashkollor (3-6 vjeç) në Kosovë” dhe dokumenti i “Kurrikulës së edukimit parashkollor (3-6 vjeç) në Kosovë”, të cilat paraqesin politikat e para për edukimin parashkollor.
Në bazë të Kornizës Kurrikulare të Arsimit Parauniveritar në Kosovë, edukimi parashkollor në Kosovë, organizohet në dy nivele. Niveli i parë, përfshin moshën prej lindjes deri në moshën 5 vjeçare (i ndarë në grupmoshat lindje deri në 3 vjeç dhe 3 deri në 5 vjeç) dhe niveli i dytë moshën 5 deri në 6 vjeç, pas së cilës fëmijët, sipas ligjit regjistrohen në shkollën fillore.
EDUKIMI PARASHKOLLOR (mosha 0-5 vjeç)
Mosha e fëmijëve nga lindja deri në 3 vjeç, deri më tani është parë si sektor i shëndetit dhe i mirëqenies sociale dhe deri më tani ka qenë e përjashtuar pothuajse nga çdo proces i planifikimit të investimit në aspektin edukativ, përderisa studimet e fundit të neuroshkencës tregojë se investimi në moshat më të hershme të zhvillimit të hershëm janë vendimtare për zhvillimin e mëtejmë të personalitetit të fëmijëve.
Gjatë këtij niveli, fëmijët nëpërmjet lojës, përkrahen në zhvillimin e hershëm personal, përfshirë:
-Zhvillimin e aftësisë për të komunikuar në gjuhën amtare nëpërmjet aktiviteteve që ndihmojnë artikulimin e drejtë të fjalëve, pasurimin e fjalorit dhe ushtrimin e aftësisë për të dëgjuar të tjerët,
-Zhvillimin e njohjes së të menduarit, zgjidhjen e problemeve, kuptimin e koncepteve,
procesimin e informatës dhe inteligjencën e përgjithshme,
-Zhvillimin fizik, ushtrimin e koordinimit të lëvizjeve trupore, zhvillimin e forcës, të ekuilibrit, muskujve, koordinimin sy-dorë dhe aftësimin për manipulim me objekte të ndryshme të përdorimit ditor,
-Vetëdijesimin gradual për veten, për të tjerët dhe për mjedisin që e rrethon,
-Zhvillimin e aftësive për të respektuar rregullat, për të dalluar të drejtën nga e gabuara dhe për të dalluar veprimet që lejohen prej atyre që janë të ndaluara,
-Nxitjen dhe aftësimin për t’u angazhuar në mënyrë aktive në aktivitete praktike, për të vlerësuar rreziqet dhe për të respektuar rregullat elementare të higjienës dhe sigurisë.
EDUKIMI PARASHKOLLOR (KLASA PËRGATITORE) (mosha 5-6 vjeç)
Në klasën përgatitore përfshihen fëmijët e moshës 5-6 vjeçe.
Fëmijët në klasën përgatitore ndihmohen për krijimin e përvojave edukative për ambientim/ përshtatje në një formë të sistemuar të të nxënit nëpërmjet lojës-punës-mësimit. Për këtë moshë fëmijëve duhet ndihmuar për t’i zhvilluar bazat themelore të të nxënit, që përfaqësojnë elementet themelore të leximit, të shkrimit dhe të veprimeve me numra, shkathtësitë e shprehive sociale e qytetare por dhe të kuptuarit e të drejtave, obligimeve dhe përgjegjësive të tyre që do t`u ndihmojë të rrisin gatishmërinë e tyre për shkollimin fillor dhe për jetë.
Kurrikulat lëndore/programet mësimore janë hartuar për shtatë fusha kurrikulare, përkatësisht për lëndët mësimore që dalin nga këto fusha, për Gjuhët dhe Komunikimin, Artet, Matematikën, Shkencat e Natyrës, Shoqërinë dhe Mjedisin, Jeta dhe Puna, dhe Edukatë Fizike, Sportet dhe Shëndeti.
Për dallim nga fushat tjera kurrikulare, fusha Gjuhët dhe Komunikimi përbëhet nga gjuha amtare dhe gjuha e parë e huaj (Gjuha angleze). Gjuha e parë e huaj (Gjuha angleze) mund të fillohet të mësohet apo të mos mësohet nga kjo moshë (sidoqoftë MAShT ka përgatitur programin), për këtë vendos institucioni ku fëmijët vijojnë mësimin, bashkë me edukatorë dhe prindër.
Edukatorja/ri mësimdhënien duhet ta realizojë të integruar, nëpërmjet aktiviteteve në formë të ojës, duke e ndërlidhur me punën dhe jetën e përditshme të fëmijëve në mënyrë që të kuptojnë drejt marrëdhënien e tyre me mjedisin natyror dhe me mjedisin e krijuar nga njeriu.
Referencat:
1. Our Kids. The importance of preschool. 17.03.2023
2. Ministry of education. Preschool educational practice. State of Israel, 18.03.2023
3. European Union Kosovo. Edukimi Parashkollor në Kosovë.
4. Ministria Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Kurrikulat