Egzon Gashi, themelues i organizatës arsimore “Teach For Kosova”, e ka përmendur një gabim që sipas tij është bërë gjatë 15 viteve të fundit nga Ministria e Arsimit, në lidhje me tentimin për vlerësimin apo zhvillimin e performancës së mësimdhënies në Kosovë.
Sipas tij, në Kosovë është tentuar që të zbatohen instrumente të shteteve të tjera, pa i përshtatur me kontekstin apo me nevojat që i ka Kosova, respektivisht sektori i arsimit.
Gashi, i cili ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), tregoi se është duke punuar për ta krijuar një instrument, i cili pastaj do të mund të përdorej nga drejtorët e shkollave për t’i vlerësuar performancat e mësimdhënësve.
Sipas tij, Kosova duhet të marrë shembuj nga vendet perëndimore apo ShBA-ja, por së pari duhet të përshtatet me kontekstin dhe rrethanat e arsimit që mbizotërojnë në vendin tonë.
“Po mendojmë bashkë me Universitetin ta krijojmë një instrument të ri i cili mund të përdoret prej drejtorëve apo kushdo që do ta bëjë vlerësimin e performancës, dhe të jetë i kontekstualizuar me nevojat e Kosovës dhe të përshtatet me sistemin tonë arsimor, d.m.th. është shumë e rëndësishme të kemi shembuj të ndryshëm të vendeve, por nëse nuk përshtatet me kontekstin e Kosovës, është shumë vështirë të ketë sukses”, ka deklaruar Gashika deklaruar Gashi për Dukagjinin.
Ai është shprehur se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve nuk mjafton të bëhet një herë në vit, por sipas tij, kjo duhet të bëhet pesë herë në vit, varësisht nga nevojat.
Sipas themeluesit të “Teach For Kosova”, është shqetësuese mënyra apo ndikimi politik në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave. Gashi ka theksuar se kjo është një nga të metat e arsimit në Kosovë. Sipas tij, drejtorët nuk duhet të jenë politikë, sepse pastaj “aty mund të hyjnë edhe interesa të tjera në arsim”.
Gashi ka theksuar nevojën e shtimit të llogaridhënies dhe përgjegjësisë së drejtorëve të shkollave, në këtë mënyrë sipas tij edhe vlerësimi i performancës për mësimdhënësit do të jetë më cilësor.
Ai ka thënë se në 10 vitet e fundit janë vlerësuar vetëm 700 mësimdhënës.