Prej katër vitesh merret në mënyrë profesionale me modeling, ndërsa si e vogël e ka ditur që do jetë një ndër profesionet e saj.
Nuk është prej modeleve që bën ‘zhurmë’ me gjëra negative vetëm e vetëm që të jetë në vëmendje të opinionit, por puna e saj deri tani flet shumë për profesionalizmin e saj.
Fjala është për Eglantina Osmanollaj e cila vjen nga qyteti i bukur i Prizrenit, e cila në një intervistë dhënë për median “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) tregon në detaje se kur nisi të merret me modeling, sa e vështirë është ky profesion në Kosovë, jep një mesazh për vajzat e djemt që duan ta ndjekin këtë rrugë.
Eglantina në mënyrë të veçantë flet edhe për punën që ka bërë me fëmijët që duan të merren me modeling, ndërsa ju dërgon një mesazh tejet të vlefshëm prindërve.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë intervistën me modelen nga Prizreni, Eglantina Osmanollaj dhënë për Kids Of Kosova.
Një CV e shkurtër e juaja?
Tung për stafin e juaj! Emri im është Eglantina Osmanollaj, e lindur në Prizren por jetoj në Prishtinë. Jam në përfundim të studimeve në Universitetin e Prishtinës për Ekologji dhe Mbrojtje të Mjedisit, por dhe njëkohësisht merrem me modeling, punë kjo që e bëjë me gjithë zemër. Udhëtimet i konsideroj si pjesë të stilit tim të jetesës, të cilat më inspirojnë për të ëndërruar e punuar çdo ditë.
Jeni modele e njohur. Kur filluat të merreni me modeling, në çfarë moshe? Si e kujtoni?
Nuk kam shumë vite që jam pjesë e botës vizuele në mënyrë profesionale, 4 vite deri më tani. Mirëpo, kaherë ka qenë ëndërr për mua, qysh prej fëmijërisë. Prindërit e mbajnë mend dhe ende ma kujtojnë se si e vogël, kam vëne ndonjë mbulesë tavoline ose rrobe çfarëdo rreth vetës edhe kam performuar nëpër shtëpi. Asnjëherë nuk jam ndjerë e gatshme të marrë ndonjë hap të madh deri në momentin kur aplikova në Miss Universe Kosovo 2019. Po e ceki këtë si ‘highlight’ të bukur të jetës sime, ku për herë të parë u ndjeva e sigurt në vetvete në atë se çfarë po bëjë dhe njerëzit po e vlerësonin. Atë natë mora dhe 2 çmime mjaft të mira. Ishte hap i vogël, po për mua shumë i madh. Që atëherë, ndihem e lumtur që kam takuar shumë fotografë, dizajnerë, njerëz të fushës së modës në Kosovë e Shqipëri, njerëz të artit të bukur e që më kanë bërë ta dua edhe më shumë punën si modele.
Sa është e vështirë që një vajzë në Kosovë të merret me modeling?
Kosova është vend i vogël, mundësitë edhe më të vogla për të qenë modele full time. Ka shumëçka që të inspiron për të bërë art në Kosovë, por pak përfitime rrjedhin nga ky profesion. Fatmirësisht, tanimë ka agjensione që merren me modele/modelë që nga moshat e vogla, gjë që nuk ka qenë shumë aktuale në fëmijërinë time.
Ç’mesazh keni për vajzat, por dhe djemtë që duan të ndjekin këtë rrugë?
Për të qenë modele/model të duhet për ta dashur shumë. Nëse jo në Kosovë, ekzistojnë mundësitë që të aplikosh në dhjetëra agjensione online, mjafton që të kërkosh për to. Gjithçka tjetër që të vjen si sfidë, bëhet më e përballueshme. Tash është edhe më e lehtë që të futesh në biznesin e modeling përmes rrjeteve sociale, ku mundesh me e promovu vetën në fushat që ti je më i/e mirë.
Ju keni bërë për një kohë keni qenë dhe mësuese për fëmijët që merren me modeling. Si e kujtoni këtë përvojë?
Të punosh me fëmijë ka qenë një periudhë shumë e lezetshme për mua. T’i mësosh për diçka të ndjeshme, ideja për të qenë para kamerës ka qenë edhe pak e vështirë, për vet faktin që janë ende duke u rritur. E kam ndjerë si obligim të jem e saktë me e përcjell në atë mënyrë që ata e kuptojnë. Sado që është praktikuar profesioni i modelit dhe modeles, në fund të ditës prapë janë fëmijë dhe kjo nuk duhet ndikuar në aktivitetet tjera fëmijërore. Kemi mbajtur orë të fotografisë ku kemi ushtruar pozimin para aparatit, pastaj ecjen në sfilatë, mënyra se si duhet të qëndrojmë dhe ecim në skenë. Gjatë orëve gjithmonë kemi dëgjuar muzikë, kemi luajtur lojë të ndryshme argëtuese për ta, gjithashtu kemi përcjellur video të fëmijëve që veç janë pjesë e modelingut. Për ta përmbledhur, jam kënaqur dhe kam mësuar shumë prej tyre.
Çfarë ju thoni prindërve që duan që fëmijët e tyre të merren me modeling?
Për prinderit e kam vetëm një mesazh: Fëmijët e meritojnë me i ndjek pasionet e tyre duke filluar prej moshës së vogël, dhe nëse dëshirojnë të merren me modeling, lejoni me u marrë me modeling. Prej juve presin përkrahjen e plotë të pakusht, që të mund ta arrijnë sigurinë në vetvete për rrugën që do të marrin.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen e afërt?
Fillimisht, do të punoj me disa brende të Kosovës me të cilat kam filluar bashkëpunimin këtë vit. Planifikoj të bëjë më shumë udhëtime vitin që po vjen dhe t’i mirëpres ato të paplanifikuarat.
Për fund, përmend tre modelet tuaja të preferuara…
Ka shumë figura që inspirohem çdo ditë prej tyre, e sidomos periudhës së viteve të 90’ta. Do të specifikoja Cindy Crawford për atë kohë, ndërsa për periudhën që jemi tash, Tako Natsvlishvili dhe Kendall Jenner.
/KidsOfKosova.net/