Edukimi i fëmijëve përfshin disiplinën dhe vendosjen e limiteve, për mirërritjen e tyre fizike dhe ke.
Kjo do të thotë që shpeshherë prindërve u duhet të thonë jo, por mbajtja deri në fund e jo-së bëhet e vështirë përballë këmbënguljes, të qarave dhe zemërimit të fëmijës.
Nëse prindi e kthen përgjigjen e tij nga jo në po, kjo realisht nuk ka shumë efekte pozitive të mëtejshme në edukimin e tij. Nuk duhet perceptuar si tolerim apo kompromis, sepse në të vërtetë do të thotë thjesht që prindi po dorëzohet përballë reagimit të fëmijës. Është thelbësore që prindi të jetë koherent me qëndrimin dhe fjalët e tij përballë fëmijës. Në të kundërt, i krijion atij bindjen dhe përshtypjen se mund të marrë atë që kërkon duke qarë, duke përplasur këmbët, duke goditur apo hedhur gjëra. Nuk duhet krijuar në asnjë mënyrë tek fëmija ideja që ai mund t’i marrë gjërat që dëshiron në atë formë, sepse kjo do modelojë sjellje të ngjashme tek ai dhe kur të rritet.
Natyrisht që fëmija nuk e mirëpret jo-në kur kërkon dicka që do. Në këtë pikë prindërit duhet të tregohen realistë dhe mos të presin që fillimisht fëmija të jetë fare i qetë përballë jo-së. Por, qëndrimi që duhet të mbajë në këtë rast prindi, është të tregohet i qetë dhe i durueshëm dhe përballë reagimit të fëmijës. Ky i fundit ka të gjithë të drejtën e vet të shprehë mosmiratimin, ndjenjat dhe emocionet e tij; thjesht duhet ta bëjë këtë në mënyrën e duhur.
E rëndësishme pra është që prindi të mos krijojë konfuzion tek fëmija dhe të përdorë standarde të ndryshme gjykimi e vlerësimi. Nëse fëmijës i është shpjeguar dhe argumentuar paraprakisht pse nuk duhet ta bëjë një veprim të caktuar, pse duhet të zbatojë disa rregulla e orare, atëherë jo-ja duhet mbajtur deri në fund.
Nga ana tjetër, prindi duhet të ketë parasysh që fëmija rritet duke eksploruar mjedisin i lirë, që do të thotë që i duhet thënë jo vetëm në rastet kur realisht është e nevojshme. Fëmijës i thuhet jo vetëm për gjërat që janë shumë të rëndësishme dhe gjithmonë duke ia shpjeguar motivet që qëndrojnë pas kësaj përgjigjeje. Në të kundërt, nëse fëmija dëgjon vetëm “jo” dhe “mos” do të rritet me një klimë negative dhe nënvlerësuese.