Fatlum Berisha, Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë ka folur lidhur me rastin në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë ku po dyshohet se një fëmijë 3-vjeçar u keqtrajtua nga edukatoret, derisa tha se edukatoret aktualisht po intervistohen nga policia dhe se pamjet e kamerave janë marrë nga Policia.
Por, sa i përket rastit, Drejtori Berisha ka thënë se nuk do e quante dhunë deri në momentin që një gjë e tillë do të vërtetohet nga ekspertët.
“Policia e ka bërë ftesën në drejtim të edukatorëve dhe në këto momente vetëm se janë në stacion të policisë ku po intervistohen të gjithë akterët që pretendohet se janë të përfshirë në rast. Kanë sekuestruar pajisjet e kamerave, ndërsa për hapat në vazhdim do të jemi në koordinim të plotë me policinë dhe Inspektoratin e Arsimit”, tha Berisha para mediave.
“S’do ta quaja dhunë deri në momentin kur vërtetohet prej ekspertëve. Edukatoret deri në këto momente nuk janë pezulluar”, shtoi ai.