Ajo është shkronja e katërt e alfabetit të gjuhës shqipe. Por, ashtu si shkronja Ë, edhe kjo shkronjë ka futur në ankth të padurueshëm dy kombe të tëra (nëse e numërojmë si komb edhe Shqipërinë, e jo vetëm Kosovën). ‘Çështje apo ‘Qështje’, bëhet ndonjëherë çështja (por jo qështja) hamletiane.
Së pari, duhet ta dini që përdorimi i shkronjës Ç në vende tjera joshqipfolëse është më i pështjelltë se që mund ta merrni me mend.
Përveç alfabetit të shqipes, Ç-në mund ta gjeni edhe në alfabetin turk, azer e turkmen ndërsa përdoret edhe në gjuhën franceze, portugeze e gjuhën katalane mes pak tjerash.
Për fat të keq, në turqisht Ç-ja tingëllon si Q. Ndërsa, në gjuhën franceze e katalane si S. Ta zëmë, shkurtorja e klubit të futbollit Barcelona, “Barça”, lexohet si “Barsa”, ndërsa mbiemri “Français” lexohet si “fhrranse” pakashumë.
Sidoqoftë, le t’i kthehemi gjuhës dhe ç-së tonë.
Artikulli i përgatitur muaj më parë për shkronjën Ë nga Nacionalja çoi aq shumë pluhur sa e detyroi edhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, z. Mehmet Kraja, që të reagonte. Ai e quajti artikullin “gjënë më të shëmtuar që kishte lexuar”, ndërkohë që hidhte dyshime edhe mbi motivin e artikullit:
“Mos harroni se kjo ndodh në 50-vjetorin e Drejtshkrimit!” – kishte komentuar ai. Bëhej fjalë për Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që ishte mbajtur mes datave 20 dhe 25 nëntor 1972 (pra, rrafsh para pesëdhjetë vitesh) në Tiranë me praninë e diktatorit Enver Hoxha, duke gjymtuar gjuhën e folur e të shkruar shqiptarëve që s’i përkisnin dialektit toskë.
Ja çka thuhej në një kronikë televizive të regjimit të Enver Hoxhës.
“Profesor Eqrem Qabej duke folur mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe drejtshkrimit të shqipes argumentoi ndër të tjera arsyet e marrjes së një dialekti të caktuar (toskërishtja) si bazë të përbashkët të gjuhës së shkrimit,”
“Profesor Dhimitër Shuteriqi, vuri në dukje rolin që kanë luajtur letërsia dhe shkrimtarët për afirmimin e një gjuhe të vetme letrare të shkruar në bazë të dialektit jugor (toskërishtes),”
Pse e ngatërrojmë ç-në?
Ë-ja mund të jetë shkronjë identitare – ani pse problematike – për toskërishten. Por, çka është puna me Ç-në dhe pse ngatërrohet aq shpesh me Q-në?
Në të folur, për ta dalluar nga Q-ja ne i referohemi asaj si “ç-ja e fortë”. Në të shkruar ndërkohë, dallimi i ç-së nga q-ja është bërë një element i fortë inkuizitor për ata që quhen “nazistë të gramatikës” (ang. Grammar nazis). Viktimë e kësaj përndjekjeje janë bërë të gjithë, ndërsa xhelatë pak a shumë të gjithë.
Profesori Rrahman Paçarizi na tha se ngatërrimi i këtyre shkronjave në formën e shkruar ishte mungesë e leximit të teksteve të duhura.
“…nuk ka asnjë arsye për t’i ngatërru ç-në dhe q-në në formën e tyre të shkruar – i bie si me e ngatërru t-në me k-në, për shembull. Është çështje e kulturës së leximit, e kulturës së gjuhës. Dikush që i ka mësu shkronjat në moshën 5 a 6 vjeçare dhe është “kualifiku” me lexu tekste (libra, gazeta) nuk do të duhej t’i ngatërronte këto dy grafema që përfaqësojnë tinguj krejt të ndryshëm, pasi gjatë leximit, këto grafema, këto shkronja nuk hasen të ngatërruara (në rrjete sociale po). Pra, kur ke lexu tekste të duhura, këto shkronja i gjen të përdorura si duhet dhe i mban mend se ku përdoret secila prej tyre.”
Por, pse ngatërrohen atëherë?
“…dallimi në të folur, në shqiptim është një çështje krejt tjetër dhe i ka arsyet e veta, të cilat i vënë në vështirësi folësit e një pjese të shqipes, kryesisht të shqipes verilindore (përjashto Luginën e Preshevës e Kumanovën). Arsyet janë historike, pasi, q-ja del nga thjeshtimi i grupit konsonantik ‘kl’, që në një pjesë të shqipes ka dhënë ‘q’ e në një pjesë ka dhënë ‘k’. (ndonjëherë ‘q’ del edhe nga një ‘tj’, por që gjen përdorim periferik). Për këtë arsye, folësit të cilët në të folmen e tyre nuk e kanë dëgju dhe as e kanë shqiptu tingullin ‘q’, e kanë të vështirë jo vetëm ta shqiptojnë, por edhe ta bëjnë dallimin kur e dëgjojnë. Pastaj, ka vetëm pak raste kur kundërvënia kuptimore realizohet përmes përdorimit të tingujve ‘k’ e ‘q’ (çaj dru/qaj me lot, çark/qark e ndonjë tjetër, që s’po më kujtohet). Kjo ka bë që folësit të mos ndiejnë farë nevoje që të mobilizohen për ta bërë dallimin qoftë, në shqiptim, qoftë në të dëgjuar.“ – u shpreh z. Paçarizi, shumë prej kusherinjëve të të cilit bartin mbiemrin Paqarizi.
Ngjashëm u përgjigj edhe lektorja e Nacionales, znj. Rina Kryeziu:
“Në të folmet e Kosovës, në të folur, nuk ka dallim mes Ç-së dhe Q-së – të dyja shqiptohen njësoj, si ç. Kjo bën që këto të dyja të ngatërrohen edhe në të shkruar (të përdoret njëra në vend të tjetrës). Populli edhe kur i përmend në përditshmëri këto dy fonema, u referohet si ç e fortë dhe ç e butë (për q-në). Megjithatë, pjesa më e madhe e përdoruesve nuk i shkruajnë gabimisht ato, sese truri e regjistron formën e shkruar të një fjale kur e lexon atë, dhe përdoruesi i gjuhës do ta dijë saktë se shkruhet Çanta e jo qanta, dhe Qeni, e jo çeni. Ngatërrimet ndodhin më shpesh te përdoruesit e gjuhës që nuk kanë lexuar shumë.”
Ch në vend të Ç-së?
Përkthyesi Agim Morina nga Londra ka kohë që në përkthimet dhe shkrimet e tij përdor shkronjën Ch në vend të Ç-së.
Një gjë e tillë mund të lehtësojë përdorimin e shkronjës në tastierat në gjuhën angleze – që gjejnë përdorimin më masiv edhe mes shqiptarëve – por edhe mund të shërbejnë për ta dalluar më lehtë me Q-në për ata që nuk kanë pasur kohë të lexojnë sa duhet.
Profesori Paqarizi, na falni Paçarizi, nuk pajtohet me një gjë të tillë:
“Nëse dikur ka mundë me pasë nevojë për një bigraf ‘ch’ për ta shënju afrikatin* (fërkimoren) ‘ç’, tash zhvillimet teknologjike janë të tilla që e e kanë relativizu shumë këtë nevojë, pasi ç-në mund ta përdorësh në secilën tastaturë kompjuteri dhe telefoni. Nëse, bigrafi ‘ch’ do ta zgjidhte problemin e dallimit ndërmjet ç-së e q-së, edhe kish me pasë kuptim, por nuk mund ta gjej ndikimin që do ta ushtronte ch-ja në këtë kuptim. Prandaj, nuk shoh ndonjë arsye për ndërmarrje të tillë. Zgjidhjet fashioniste edhe mund të kenë ndonjë kuptim, por pritesa, dembelia nuk guxojnë me na udhëheqë drejt zëvendësimit të grafemës ‘ç’ me bigrafin ‘ch’ – çka me bë me ë-në pastaj?”
Për fat të mirë ose të keq, as lektorja e re Kryeziu nuk pajtohet me idenë.
“Zëvendësimi i Ç-së me bigrafin Ch nuk është as zgjidhje, as ide e mirë. Në gjermanishte p.sh. CH shqiptohet si velarja jonë H. E po ashtu, është edhe njëfarë komplikimi – ta zëvendësosh një shenjë të vetme me bigraf, dhe t’i detyrosh të gjithë përdoruesit e gjuhës ta mësojnë së riu shkrimin e saj. Edhe vetë ç-ja si shenjë, është krijuar si lehtësim, për ta zëvendësuar shenjën ʧ.”
Por, nëse këto kundërshtime do t’i marrin parasysh gjuhëtarët – e në veçanti qytetarët – e së ardhmes, mbetet për t’u parë.
*Afrikate f.sh.gjuh.
Bashkëtingëllore që nis të shqiptohet si bashkëtingëllore shpërthyese dhe mbaron si bashkëtingëllore fërkimore (p.sh. c, f, x, xh)
QIELLZOR mb.
1. anat. Që ka të bëjë me qiellzën, i qiellzës.
2. gjuh. Që shqiptohet duke e mbështetur shpinën e gjuhës te qiellza e fortë (për bashkëtingëlloret). Bashkëtingëlloret qiellzore q, gj. /NACIONALE/