Vajza, të cilën Leonora* e kishte rritur e vetme në një shtëpi dydhomëshe me qira tashmë ka përfunduar shkollën e mesme dhe po pret regjistrimin në Fakultetin Ekonomik.
Lotët e gëzimit, të mbështjellë me pendesën për të gjitha mundësitë që vajza e saj i ka humbur për shkak të kushteve të rënda ekonomike, po e përcjellin Lenorën përderisa po përgatit një çaj. Biseda për fatin e saj, ndonëse kanë kaluar 20 vjet, mbetet ende e freskët. Leonora bën pjesë në grupin e më shumë se 2000 nënave që, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në dhjetë vitet e fundit kanë rritur fëmijët të vetme.
Luf*ta mes frikës dhe guximit
Ishte viti 2002 kur Leonora, një vajzë e re, kishte nisur një lidhje. Pas disa muajsh që ajo kishte mbetur shtatzënë, ishte braktisur nga partneri. Nën ndrojtjen e stigmës, paragjykimit, madje edhe largimit nga shtëpia, Leonora e mbajti të fshehur shtatzëninë e saj për gjashtë muaj sa jetoi në shtëpi të prindërve.
“Jam vesh gjon’, tepër gjon’, nuk kom hongër mos me shtu’ peshë e mos me u vrejtë që e kom ni fëmi n’bark, po tani hupsha peshë. E kom pas një shtatzani të randë”, tregon Leonora për Grazetën.
Më pastaj, Leonora ishte vendosur në një shtëpi të vjetër, qiranë e së cilës ia pagoi babai i saj. Ky i fundit, nën frikën e margjinalizimit të vajzës së tij dhe të paragjykimit të familjes nga shoqëria, gënjeu që vajzën e martoi në Gjermani dhe se menjëherë e kanë gjetur zgjidhjen që ta dërgojnë jashtë vendit.
“Ka qenë shumë e randë për mu me nejt tonë kohën me kry ulun në sy babës, po shyqyr, t`paktën për qatë kohë, u rahatova”, vazhdon ajo rrëfimin për Grazetën.
Dhimbje e vazhdueshme
Vajza e Leonorës qëndron e ulur në karrigen e tryezës që sot ishte plot, si rrallë herë më parë, përderisa dëgjon nënën e saj duke treguar për vështirësitë e kaluara. Leonora, e kujdesshme, rrëfen duke e shikuar shpesh me bisht të syrit vajzën e saj e cila tash e sa kohë po e bënte krenare.
“Masi kam lind, kanë fillu’ hala ma shumë probleme. Ish i dashuri është paraqit’ goxha do herë, po kurrë s’ka dashtë me e marrë vajzën e me e rrit. As unë s’kom dashtë me u kthy ai, po bile me na pas ndihmu’ kah pak”, thotë Leonora.
Me gisht bëri nga dritarja, nga pjesa tjetër e qytetit, për të shenjuar një shtëpi të vjetër e të vogël. Atje, ato kishin kaluar një periudhë të madhe të jetës së tyre. Po atje, Leonora kishte kaluar javën me një pako makarona, për t`i kursyer paratë që t’i blejë libra dhe ngjyra vajzës që kishte filluar rrugëtimin e dijes.
“Kam fillu’ punën menjëherë, kam punu’ në një furrë, kam marrë pare aq pak sa që as shpenzimet nuk m’i kanë mbulu’”, Leonora rrëfen për Grazetën.
Ballafaqimi me kushtet e rënda ekonomike mbetet problem e sfidë në vete për nënat vetushqyese. Gallup dhe Comparecamp kanë raportuar se personat të cilët luf*tojnë më së shumti për ushqim dhe kulm mbi kokë janë nënat beqare. Si shembull marrin 148 vende të botës ku rreth 13% e nënave beqare të moshës 18 deri 60 vjeç kanë pasur një fëmijë më të ri se 15 vjeç. Sigurimi i ushqimit për familjen e tyre ka qenë sfida më e madhe.
Leonora nuk mund t’i numërojë netët e kaluara pa gjumë, duke qarë për vajzën e cila shpeshherë kërkonte gjëra që për fëmijët e tjerë ishin të zakonshme. Një çantë me barbi-kukulla, një fletore me vizatime e ndonjëherë edhe takimi me babin e saj ishin kërkesat e vajzës.
Për të siguruar vendbanim më të përshtatshëm, Leonora kishte punuar në dy vende. Rrugën nga furra e bukës për në market e bënte, dhe vazhdon ta bëjë ende, disa herë brenda ditës. Me nguti e djersë shkon nga njëra pjesë tek pjesa tjetër e qytetit për të siguruar paratë, me gjysmën e të cilave e paguan qiranë e banesës. Tash e pesë vite ato jetojnë në një apartament më të përshtatshëm e që i përmbush nevojat bazike të tyre.
E fortë për të bijën
“Kurrë s’kisha mujt me bo çka je tu bo ti!” Këto ishin fjalët që Leonora i dëgjonte prej dy kolegeve të saj të punës.
Një nënë beqare, sipas Leonorës, nuk bën gjë më shumë se sa një nënë e martuar. Ajo thjesht e rrit fëmijën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, por e vetme. Kjo është përgjigja e saj për dy koleget e punës dhe për çdo njeri që ndan të njëjtin mendim.
Ndër shumë paragjykime, atë e këshillonin ta gjejë sa më parë një burrë dhe të shpëtojë nga ky makth.
Derisa punonte në furrë e kthehej, ndonjëherë vonë, duke kaluar nëpër lagjen ku gjendej streha e tyre e vjetruar, Leonora përballej me paragjykime nga më të ndryshmet.
“Rrallë m`kanë folë mirë. M’kanë bo me vaj mu dhe çikën. Asaj tu i thanë kush rrin me ty, ti pa babë, e mu fjalë hala ma të randë m’kanë thanë. Zaten, kur jeton në qytete të vogla, qito sene i ki”, thotë Leonora.
“Çika jem e ka nji babë, ani pse nuk jemi t’martum e nuk e ka pranu’. As nuk m’vyn nji burrë, as nji dashnor me m’pshtu. Nuk e shoh jetën me fëmijën që kom vendos me lind si një makth, bile-bile m’ka ba edhe ma t’fortë. Mundem me kan’ edhe nanë edhe babë për ta, deri sa t’vendos me e taku’ e me u përballë me ta ajo vetë”, Leonora thotë për Grazetën.
Ani pse Leonora kishte gjetur ngushëllim dhe mbështetje tek familja, të njëjtin fat nuk e pati në shoqëri. Në një kohë të ndjeshme, kur kishte nevojë për dashurinë, ngrohtësinë dhe mirëkuptimin e dy shoqeve të saj të ngushta, ato po ia bënin të pamundur ngritjen në këmbë:
“Eh moj çikë, tash ishe kan’ n’punë e ku me dit’ çfarë djali kishe gjet’. S’të la veç me gishta në gojë, po edhe me bark të frymë. Tash krejt andrrat harrojë se reni që i realizon nuk o’. Ani tash që po bohesh nanë kaq e re…”
Megjithatë, Leonora zgjodhi të vendoste vetë për jetën e saj. Të ardhurat mund të mos i ketë sa për jetë luksoze, por të paktën i fiton vetë. Si një nënë e re dhe beqare, ajo kishte fituar që moti pavarësinë e saj. Historia e saj do të bëhet histori motivuese për të bijën, të cilën ajo shpreson ta rrit në frymën e ëndrrave të saj dhe të mburret me të një ditë.
Shëndeti mendor te nënat vetushqyese
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), gjinia është përcaktuese kritike e shëndetit mendor dhe çrregullimeve mendore. Rastet më të shpeshta tek gratë janë depresioni gjatë shtatzënisë ose pas lindjes së fëmijës. Deri sa, sipas të njëjtit raport të OBSh-së, në nivel botëror përqindja e këtyre grave është nga 10% deri ne 13%, në vendet në zhvillim kjo përqindje është më e lartë – 15.9% gjatë shtatzënisë dhe 19.8% pas lindjes. Në raste të vuajtjeve të rënda, ekziston rreziku që nënat ta shqyrtojnë edhe vetëvrasjen.
Përveç kësaj, kriza ekonomike, stresi i përditshëm, konfliket e përditshme, dhuna psikologjike, fizike dhe seksuale ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor te gratë.
Psikologia Albulena Selmanaj-Tolaj tregon se në nivel global, e veçanërisht në kulturën tonë, gratë vetushqyese përballen me sfida të shumta, sidomos në aspektin psikologjik. Disa nga problemet që psikologia i thekson janë depresioni, çrregullimet e ankthit dhe stresi post-traumatik.
“Si nëna që janë të detyruara të kujdesen të vetme për fëmijët dhe mirëmbajtjen e shtëpisë, ato privohen edhe nga sasia e mjaftueshme e pushimit apo gjumit, gjë që i çon në një lodhje kronike dhe pamundësi që t’i kushtojnë kohë minimale vetvetes”, thotë Selmanaj-Tolaj për Grazetën. Përveç tjerash, gratë vetushqyese përballen edhe me stigmatizimin apo paragjykimet, duke nisur nga familjarët, shoqëria apo edhe vetë ish-partneri, shton ajo.
Por, mbi të gjitha, nënat vetushqyese janë heroina. Ato rrisin e eduktojnë fëmijët e tyre të vetme, ani pse në komunitet, për çdo ditë ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet dhe shpeshherë janë pjesë e harruar e shoqërisë.
*Emri është ndryshuar për ta mbrojtur privatësinë e të intervistuarës./grazeta/