E premte, 20 Shtator, 2024

Edhe 193 shkolla nën dry deri më 2030-n

- Advertisement1-

Janë 193 institucione arsimore në Kosovë që nuk i plotësojnë kushtet të qëndrojnë të hapura për shkak të numrit të vogël të nxënësve. E të gjitha këto priten të mbyllen brenda shtatë vjetëve. Por me gjithë alarmin se shkollat e vogla janë duke i dëmtuar nxënësit që vijojnë aty procesin mësimor, institucionet vendimmarrëse hezitojnë t’i mbyllin. Kundërshtimet nga komuniteti, mungesa e hapësirave për t’i sistemuar mësimdhënësit, e afërsia e shkollave me zonën kufitare me Serbinë, janë disa nga arsyetimet që i japin institucionet vendimmarrëse për mosmbylljen e shkollave, të cilave u ka humbur gjallëria
Godina me tri dhoma mësimore e pa tualet brenda është “tempulli i dijes” për 16 nxënësit e Dumnicës së Epërme në Podujevë, fshat që shtrihet një kilometër afër vijës kufitare me Serbinë.

Këtë vit është paraparë që procesin mësimor ata ta zhvillojnë në shkollën amë “Kadri Kadriu” në Llaushë, fshat i cili ndodhet tri kilometra larg vendbanimit të tyre.

- Advertisement -

Por vlerësimi se kjo paralele e ndarë e shkollës “Kadri Kadriu” është në interesin nacional për të evituar boshatisjen e fshatit në afërsi me shtetin serb, është pengesa që i ndan këta dy vogëlushë dhe nxënësit e tjerë të vijojnë mësimet në objektin që është dy herë më i madh dhe ka trefishin e nxënësve.

Drejtori i shkollës, Ismet Halimi, thotë se mosmbyllja është edhe kërkesë e prindërve.

“Ne kemi biseduar edhe me drejtorin e drejtorisë dhe e kemi analizuar situatën që në këtë zonë që është zonë kufitare për shkak të kërkesës së prindërve, që të mos largohen nga ta edhe pse shkolla tjetër nuk është edhe shumë larg, t’i lëmë këtu ta vazhdojnë punën, por kjo nuk do të thotë që në vitin e ardhshëm ndoshta do të mbarten në shkollën amë, atje ku do të socializohen dhe do të shoqërohen me të tjerë, por megjithatë edhe këtu bëhet një punë shumë e mirë, edhe objekti shkollor dhe infrastruktura shkollore janë të mira”, thotë Halimi.

Sipas një dokumenti që Ministria e Arsimit e ka hartuar për trajtimin e shkollave me pak nxënës është evidentuar nevoja e mbylljes së 193 shkollave amë dhe paralele të ndara nga tash e deri më 2030.

Këto 193 shkolla nuk i plotësojnë kriteret ligjore për të qëndruar të hapura. Sipas udhëzimit administrativ, për kriteret, themelimin dhe shuarjen e institucioneve arsimore parauniversitare një shkollë fillore duhet të ketë minimumin 60 nxënës, ndërsa shkolla e mesme e ulët nga klasa e 6-të deri në të 9-n, së paku 160 nxënës.

Sipas kësaj analize, godina në fshatin kufitar dhe 77 shkolla të tjera kanë qenë të parapara të mbyllen sivjet. Në analizë këto institucione arsimore janë vlerësuar me prioritet të lartë të fuzionohen, pasi numërojnë më pak se 30 nxënës.

- Advertisement -rrrrrrr

Por sivjet në Ministri të Arsimit janë deponuar vetëm 8 kërkesa nga komunat për pushimin e veprimtarisë së institucioneve edukativo-arsimore për shkak të numrit të vogël të nxënësve.

Në Komunën e Podujevës e arsyetuan mospërfilljen e analizës me interesin shtetëror që ka, sipas tyre, mbajtja aktive e objektit të vjetërsuar.

“Është edhe pjesa e fshatit Bërvenik dhe pjesa e fshatit Dumnicë, është afërsia me kufirin Kosovë-Serbi dhe interesi shtetëror është për shkak se nxënësit të qëndrojnë afër shkollës, për shkak se kur po udhëtojnë nga një shkollë në tjetër, atëherë shpeshherë prindërit po detyrohen që t’i lënë ato vendbanime dhe të largohen nga ato fshatra e të shpërngulen në qytete”, thotë Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.

Zona kufitare është kriter i vendosur edhe në legjislacionin për themelimin dhe shuarjen e shkollave. Aty theksohet se veprimtaria e një institucioni në këto zona mund të vazhdojë vetëm nëse ka minimalisht 20 nxënës.

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, vlerëson se kriteri i zonës kufitare është cenim i së drejtës së fëmijës për të pasur edukim të mirëfilltë.

“Kufijtë i mbron ushtria, policia. Kjo është një marrëzi që duhet të hiqet nga përdorimi pasi nuk është kurrfarë argumentimi. Shiko çfarë po ndodh, popullata janë shpërngulë, e kanë vendosë një shkollë aty dhe thonë kjo shkollë le të na mbron. Kjo është dyfytyrësi”, thotë Rexhaj. “Një fëmijë e kanë lënë aty, e thonë le të mbetet se duan me na boshatis fshatin”.

Katër nxënës është maksimumi që ka një dhomë klasore në Dumnicë të Epërme. Puna me numër të vogël të nxënësve, sipas mësimdhënëses së klasës së tretë, Saranda Rexhepi-Fejzullahu është më e lehtë, pasi ka kohë për përkushtim ndaj të gjithëve.

Por pranon se një ambient i tillë është i vështirë për nxënësit.

“Kjo e ka të mirën se mundem t’i përkushtohem në masë më të madhe secilit nxënës veç e veç për kontrollimin e detyrave, me u marr me aktivitete. Normal që ndoshta është pak e vështirë me më pak nxënës për nxënësit, por është edhe e mira që po mundemi me iu përkushtu maksimalisht”, thotë mësimdhënësja Rexhepi-Fejzullahu. “Kanë atë konkurrencën edhe këtu se cili po i punon detyrat më mirë, cili po mëson më shumë, por jo ndoshta si me qenë me më shumë nxënës”

90 mijë nxënës më pak

Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), për 13 vjet ka rënë për rreth 90 mijë numri i nxënësve në nivel vendi. Në vitin 2010 numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte mbi 300 mijë nxënës, e sivjet janë rreth 212 mijë nxënës.

Arsyet e numrit të vogël të nxënësve nëpër shkolla, sipas ASK-së, janë rënia e natalitetit dhe migrimi i familjeve nga Kosova, si dhe shpërngulja e qytetarëve nga zonat rurale në ato urbane.

Projeksioni i ASK-së për vitet 2011-2061 tregon se 2034-ta pritet të jetë viti kur Kosova do të fillojë të ballafaqohet me depopullimin si problem demografik, i cili nga dekada në dekadë do të thellohet vazhdimisht.

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se mbyllja e shkollave është e dhimbshme për sistemin arsimor dhe për vendin, i cili aktualisht njihet për popullsinë më të re në Evropë.

Ai thekson se është i nevojshëm fuzionimi i tyre, pasi, sipas tij, ka mungesë socializimi të duhur për nxënësit dhe të konkurrencës së dijes mes tyre.

“Në shumë raste ndodh që klasat edhe të kombinohen, pra të bëhen bashkë nxënësit e klasave të para, dyta, treta, të katërta dhe të pesta që quhen paralele të kombinuara dhe kjo pa asnjë dyshim ndikon në cilësinë e mësimit, ajo konkurrenca më e vogël brenda klasës. Pastaj, shkolla të tilla që ndodhen në zona rurale ku nxënësit kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin, edhe kjo ndikon dhe shpeshherë ndodh që mësimdhënësit janë të së njëjtës familje dhe e gjithë kjo ndikon në cilësinë e punës që zhvillohen të shkolla të tilla”, thotë Pupovci.

Sipas tij, institucionet arsimore me numër të vogël të nxënësve nuk e ndien dorën e shtetit në masën që marrin shkollat e mëdha. Mungesa e ambienteve rekreative, teknologjisë e materialeve arsimore, është evidente në këto shkolla.

Pikërisht për këtë, në Komunën e Suharekës thonë se i kanë mbyllur tri shkolla që ishin paralele të ndara.

Elunda dhe Syarti për katër vjet klasën e ndanë me gjenerata më të mëdha se ta, pasi mësimin e zhvilluan në paralelen e ndarë të shkollës “Edit Durham” në fshatin Dolloc, ku edhe jetojnë.

Tash ata dhe tetë nxënësit e tjerë janë sistemuar në shkollën amë në Mushtisht, që ndodhet katër kilometra larg nga vendbanimi i tyre.

Ata thonë se qëndrimi në një klasë me 20 nxënës ka ndikuar në rritjen e disponimit për të vijuar shkollimin.

“Kam bërë më shumë shoqëri pasi atje nuk ka pasur shumë nxënës… Atje ka pasur mendime më pak, e këtu ka mendime më shumë”, thotë Syart Rrahmani, nxënës në SHFMU “Edith Durham”. “Më pëlqen paradite, se jam më produktiv”.

Edhe bashkëmoshatarja e tij ka argumentet e saj.

“Mirë më shkon dita. Shoqërohemi me shokë dhe shoqe dhe luajmë së bashku… Jemi shumë nxënës dhe shoqërohemi më lehtë”, thotë Elunda Destani, nxënëse e së njëjtës shkollë. “Zgjohem paradite dhe vij në shkollë me autobus. Na bie autobusi këtu dhe në shtëpi na dërgon. Tani me shoqe këtu flasim për mësime… në Dolloc kam qenë vetëm me një vajzë në klasë, s’kam pasë shoqe”.

Mësimdhënësja e tyre, Erita Avdylaga, e cila po ashtu u transferua në këtë shkollë nga fshati Dolloc, thotë se ka vërejtur përparim te zhvillimi intelektual i dy nxënësve.

“Ka qenë shumë problematike. Do të thotë gjysmën e orës më është dashur ta planifikoj për një klasë, gjysmën e orës për klasën tjetër. Ka qenë problematike se edhe koncentrimi i nxënësve ka ndikuar dhe nuk ka qenë në nivel”, thotë mësimdhënësja Avdylaga. “Dallimi është shumë i madh këtu. Edhe nxënësit që kanë ardhur i kanë mendimet më ndryshe. Konkurrenca është më e madhe… Ndryshe është tash për këta se këtu kanë punë vetëm me moshatarët e tyre, dhe jo me një klasë që është moshë më e vogël apo më e madhe”.

“Ka pasur nxënës e ka pasur hare këtu”

E objekti shkollor i ndërtuar në vitin 2001 në fshatin Dolloc tani ka mbetur veç një fantazmë.

Selman Hajdari, punëtor teknik, është i vetmi person që hyn dhe del nga hapësirat që dikur shërbenin si tempull i dijes për nxënësit e fshatit.

Hajdari, i cili i ka përcjellë gjeneratat për më shumë se 20 vjet, mbylljen e shkollës e ka përjetuar rëndë.

Ujitjen e luleve dhe heqjen e pluhurit nga bankat tash nuk e bën me motivin e dikurshëm.

“Punën e bëj këtu si gjithmonë, por pa nxënës është vështirë. Jemi adaptuar me nxënës e me arsimtarë… Është goxha qetësi pa nxënës e kjo po ma vështirëson punën, mirëpo tash ka rënë numri dhe e vlerësuan edhe prindërit që duhet t’i dërgojnë në shkollën poshtë”, thotë Hajdari. “Kjo është vështirë për fshatin, por edhe për ne se ka pasur nxënës e ka pasur hare këtu, tash kanë shkuar në Perëndim dhe e bëri Perëndimi të veten, i mori fëmijët tanë”.

Ministria nuk ka zbuluar se cilat komuna kanë shtruar kërkesa për mbyllje të institucioneve arsimore.

KOHA ka pyetur edhe në drejtoritë komunale lidhur me mundësinë e mbylljes së ndonjë institucioni arsimor.

Në Komunën e Vushtrrisë, sipas projeksioneve të bëra nga Ministria dhe Drejtoria Komunale e Arsimit, dy paralele të ndara dhe një shkollë amë është dashur të fuzionohen sivjet.

Përmes një përgjigjeje me shkrim Drejtoria Komunale e Arsimit ka njoftuar se asnjë nga shkollat sivjet nuk është fuzionuar, meqë komuniteti dhe bordi drejtues i shkollave nuk kanë lejuar. Në Drejtori thanë se komuniteti ka kërcënuar me ndaljen e nxënësve nga shkolla nëse ndodh kjo.

Ish-zëvendësministri Rexhaj thotë se komuniteti dhe nevoja për të mbuluar normat e numrit të madh të mësimdhënësve janë ndër shkaqet që institucionet arsimore, të cilave u ka humbur gjallëria, mbeten ende të hapura.

Rexhaj thekson se kur merren vendimet për shuarjen apo jo të shkollave, nuk shihet si preokupim kryesor gjendja e fëmijëve nga institucionet vendimmarrëse.

“Dikush e ka shikuar shkollën, dikush e ka shikuar mësimdhënësin, dikush e ka shikuar objektin, dikush e ka shikuar transportin. Më së paku fëmijët. Fëmijët duhet me qenë elementi i parë”, thotë Rexhaj.

Kërkohen vendime të guximshme

Drejtoritë komunale pranojnë se shpeshherë arsyeja e mosmbylljes së institucioneve është edhe mungesa e vendeve për sistemimin e mësimdhënësve.

Në kohën kur numri i nxënësve ka shënuar ritme të larta të rënies, numri i mësimdhënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka mbetur pothuajse i njëjtë duke shënuar rënie prej më pak se 0.25 për qind në vit. 17.856 ishte numri i mësimdhënësve në vitin 2010, ndërsa 13 vjet më vonë është për 757 më i vogël.

Remzi Bajselmani, drejtor i Arsimit në Suharekë, thotë se sistemimi i mësimdhënësve është i vështirë.

“Të drejtën të them ka qenë njëra nga arsyet që të ruhet stafi, sepse nuk ka pasur vende pune për sistemimin e tyre, mirëpo ne kemi filluar qe 2-3 vjet, rrjedhimisht duke i përgatitur vendet e punës, sistemimin e mësimdhënësve. Më herët ka qenë pak më vështirë, por edhe numri ka lejuar që të jenë, se janë zona malore, e numri i fëmijëve ka lejuar në një formë, por rënia është shumë e shpejtë. Brenda dy vjetëve ka rënie mbi 50 për qind. Kështu që tani janë bërë kushtet”, thotë Bajselmani.

Por problemi i tashëm i sistemimit të mësimdhënësve, sipas Pupovcit, është punësimi i dikurshëm i pamenduar nga komunat.

“Duhet të merren edhe veprime të guximshme. Domethënë nuk është e thënë që mësimdhënësit të largohen nga komuna, por gjithnjë duhet ta kemi parasysh se gjatë një viti 5 për qind e forcës së punës së mësimdhënësve pensionohen. Pra thjesht mjafton që të mos bëhen punësime të reja aty ku nuk ka nevojë. Shpeshherë komunat këto punësime i bëjnë në mënyrë mekanike, sepse dëshirojnë t’i mbushin ato vende ose dëshirojnë të punësojnë njerëz sa më shumë”, thotë Pupovci.

Sipas të dhënave statistikore të ASK-së, në këta trembëdhjetë vjet janë gjithsej 175 institucione arsimore më pak. Trend më të madh të mbylljes së shkollave mes shtatë komunave më të mëdha në vend ka shënuar Gjilani, me gjithsej 23 institucione arsimore. E në Prishtinë janë 17 shkolla më pak. Në Pejë dhe Gjakovë numri i institucioneve që kanë mbyllur veprimtarinë arsimore është 8, përkatësisht 7. Në Mitrovicë janë dy shkolla më pak e Ferizaj e Prizreni bëjnë diferencën në këtë statistikë. Në këto dy komuna janë nga dy institucione arsimore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët më shumë se që ishin 13 vjet më parë.

Bazuar në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA për nxënësit kosovarë më 2015 dhe 2018, rezulton se madhësia e paraleles ka ndikim në performancën e nxënësve në lëndën e matematikës, shkencave natyrore dhe në lexim.

Nxënësit, të cilët kanë vijuar procesin në klasa me më pak se 15 nxënës dhe ata në klasa me mbi 35 nxënës, kanë treguar rezultate më të dobëta.

Në raportin e PISA-s është theksuar po ashtu se ka dallim në rezultate në mes të nxënësve nga fshati dhe atyre nga qytetet më të mëdha.

Për 40–50 pikë është dallimi, që mesatarisht është e barabartë me dijen e fituar nga një nxënës për një vit të plotë shkollor.

Kjo dukuri mund të prekë edhe 16 nxënësit e Dumnicës së Epërme në Podujevë. / KOHA

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Armend Perolli, nxënësi shembull nga Prizreni: Punoi gjatë verës dhe nuk shkoi në pushime – me paratë që dhuroi u blen materiale shkollore për 12...

Një shembull i jashtëzakonshëm vije nga një nxënës i klasës së pestë të shkollës...

Shkencëtari kosovar Besnik Krasniqi, përfshihet në listën e shkencëtarëve më me ndikim në botë

Një arritje e jashtëzakonshme për shkencën kosovare ka ardhur këtë vit, pasi Profesori Besnik...

Këshilla për mësuesit dhe prindërit që të organizojnë mbledhje të frytshme në shkollë

Organizimi i një mbledhjeje të frytshme mes mësuesve dhe prindërve për të diskutuar mbarëvajtjen...

14 persona pre e mashtrimit të mësueses nga Peja

Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesën për masën e paraburgimit ndaj mësimdhënës, Gjylfidane...