E thotë raporti: Studentët paguajnë për nota dhe libra

- Advertisement -

Një raport i publikuar nga Qëndresa Qytetare mbi gjendjen e universiteteve në Shqipëri, ka nxjerrë në pah të dhëna alarmante.

- paragrafi 1 -

Korrupsioni është i përhapur në mënyrë masive në universitetet publike. Nga të dhënat e mbledhura në tetë institucione të arsimit të lartë, rezulton se 9 nga 10 studentë (89.98%) pranojnë ekzistencën e korrupsionit, ndërsa format më të zakonshme mbeten pagesa në këmbim të notës dhe shitblerja e detyruar e librave.

- Advertisement -

Rreth 1 në 10 studentë (9.61%) pranojnë se kanë ofruar vetë ryshfet për të marrë një notë më të mirë, duke treguar se ky fenomen është bërë pjesë e normalitetit akademik.

Raporti ngre shqetësime serioze edhe për profesionalizmin dhe etikën e stafit pedagogjik. 69.84% e studentëve të Universitetit të Tiranës e perceptojnë plagjiaturën si të përhapur tek pedagogët, ndërsa 73.4% besojnë se ka profesorë që nuk e zotërojnë lëndën që japin.

Problem mbetet edhe respektimi i orarit: 22.92% e studentëve thonë se pedagogët i zhvillojnë pak ose aspak orët e tyre. Këto të dhëna nënvizojnë mungesën e disiplinës profesionale dhe rënien e standardeve akademike.

- Advertisement -

Një tjetër gjetje shqetësuese lidhet me faktin që 8 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë, të larguar nga sistemi i drejtësisë gjatë procesit të Vetingut, janë rikthyer në universitete si pedagogë, si në institucionet publike ashtu edhe në ato private.

50 pedagogë dhe punonjës universitetesh janë hetuar nga organet e drejtësisë për korrupsion, kryesisht në universitetet e Elbasanit, Shkodrës dhe Bujqësorit, duke përfshirë raste të ryshfetit për nota, manipulimit të provimeve, abuzimeve me detyra dhe shkeljeve të etikës profesionale.

Sipas raportit, një pjesë e madhe e studentëve shohin si zgjidhje të vetme vetingun në arsim, një proces që do të verifikonte pastërtinë e figurës së pedagogëve, titujt akademikë, plagjiaturat, respektimin e orarit dhe cilësinë e mësimdhënies. /Euronews.al