16.6% e qytetarëve nuk lexojnë asnjë libër në vit, derisa 38.3 për qind thonë se lexojnë vetëm 1 deri 3 libra për vit, sipas raportit hulumtues të organizatës ETEA dhe shtëpisë botuese “Dukagjini” të publikuar sot (e diel) me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit.
Raporti “Niveli i të lexuarit në Kosovë: Sfidat në të kultivuarit e kulturës së leximit” po ashtu ka nxjerrë në pah se vetëm 7.2 për qind e qytetarëve të marrin pjesë rregullisht në aktivitete të cilat janë të dedikuara për promovimin e librit dhe leximit, thuhet në komunikatë.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se për nivelin e ulët të leximit dhe mungesës së kulturës së leximit, qytetarët e Kosovës, në shumicë, kanë arsyetimin e njëjtë: 67.5 për qind e qytetarëve thonë se nuk kanë kohë të lirë për të lexuar dhe insistojnë se do të kishin lexuar më shumë nëse do të kishin më shumë kohë të lirë
“Gjithsesi, të pyetur për preferencat e tyre gjatë kohës së lirë, vetëm 20.7 për qind e qytetarëve thonë se do të lexonin një libër në kohë të lirë, derisa 45.8 për qind preferojnë të shohin program argëtues, me 33.5 për qind që zgjedhin të bëjnë aktivitet sportiv”, thuhet po aty.
Sipas hulumtimit, 31.29 për qind e qytetarëve nuk janë në gjendje të kujtojnë asnjë prej tre librave të fundit të lexuar. 11.3 për qind mund ta përmendin vetëm një titull libri, kurse 11.37 për qind dinë t’i përmendin dy tituj. Në përgjithësi, 52.24% nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash në total. Kjo e fundit lë të kuptohet se më shumë se gjysma e popullsisë së Republikës së Kosovës nuk ndërvepron pothuajse fare me librin.
Ndërsa librat më të preferuar të qytetarëve që janë anketuar, thuhet të jenë: “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit dhe “It ends with us” nga Coolleen Hoover.
Në këtë kuadër, gjatë anketimit në terren, respodentët janë pyetur edhe për qëndrimet e tyre lidhur me disa nga fjalitë dhe frazat e çuditshme të shpeshdëgjuara në komunikimet e përditshme të shoqërisë kosovare në raport me librin dhe të lexuarit, njëra prej të cilave është: “Me lexu shumë, bëhesh budallë”. Vlen të theksohet se 9.4 për qind e respodentëve kanë vlerësuar se kjo qëndron”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Ky hulumtim është realizuar gjatë muajve shkurt dhe mars të këtij viti.