Shkencëtarët kanë zbuluar si ndikon kjo në peshën e tyre trupore.
Një hulumtim i ri e ka lidhur shkuarjen vonë në krevat me rrezikun nga obeziteti te fëmijët e moshës deri në gjashtë vjeç, mirëpo shkencëtarët megjithatë thonë se prindërit për këtë shkak nuk do të duhej t’i detyronin të shkojnë herët në gjumë.
Në vend të kësaj prindërit do të duhej t’i orientonin në atë drejtim që të mbajnë ritmin e rregullt të jetës së fëmijës në kuptimin e kohës së racioneve dhe shkuarjes në krevat, ka thënë Dr. Claude Marcus, profesor i pediatrisë në Institutin Karolinska në Suedi, i cili udhëhoqi kërkimin, rezultatet e të cilit u botuan në revistën Pediatrics, transmeton Telegrafi.
Studimi, i cili është pjesë e një studimi më të madh për mbipeshën, u përqendrua në 107 fëmijë në Suedi.
Studiuesit monitoruan peshën, lartësinë dhe perimetrin e belit të fëmijëve nga viti i parë deri në vitin e gjashtë të jetës. Të gjithë fëmijët kishin përafërsisht të njëjtën madhësi në fillim të studimit.
Deri në orën 21, më së voni në shtrat
Gjumi i tyre është monitoruar shtatë ditë me radhë në një vit gjatë gjithë studimit duke përdorur një pajisje në krahun e fëmijës.
Shkencëtarët kanë konstatuar që fëmijët të cilët shpesh kanë shkuar vonë në shtrat, pas orës 21:00, kanë pasur vëllim më të madh të belit dhe indeks më të lartë të masës trupore deri në përfundimin e hulumtimit.
“Ajo shkuarje e vonshme në krevat ishte faktori i cili binte në sy. Ka qenë i lidhur me rritjen e peshës”, ka thënë Marcus.
“Mirëpo, atë që e shohim është vetëm lidhshmëria. Nëse e çoni më herët fëmijën në shtrat – a do të ndryshojë diçka? Kjo është diçka që nuk e dimë”.