Ish-ministrja e arsimit, Hykmete Bajrami ka deklaruar se e shtuna nuk ishte ditë mësimi, por sipas saj, ditë dështimi.
Bajrami ka potencuar se përgjegjësia për dështimin e sotëm të mësimit është e inistrres Arbërie Nagavci.
“Shumica e nxënësve në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk kanë shkuar sot në shkollë. E njëjta situatë ishte pothuajse në secilën shkollë. Diku shkuan dy nxënës, diku katër e diku tjetër shtatë. Por, mësimi nuk u mbajt.
Nxënësit nuk përfillën urdhrin e ministres Nagavci. As kërcënimet se do t’i përdorë inspektorët për mbikëqyrur mbarëvajtjen e mësimit këtë të shtunë nuk funksionuan. Përgjegjësia për dështimin e mësimit është e ministres Nagavci, e cila hartoi kalendarin mësimor pa e pyetur askënd. As prindërit dhe as përfaqësuesit sindikalë të arsimit.
Sipas Bajramit, partia në pushtet, Qeveria dhe ministrja Nagavci po i konsiderojnë fëmijët, SBASHK-un e prindërit sikur të ishin opozita e këtij vendi.
“Qasje krejt e gabuar. Nuk bisedojnë me SBASHK-un; nuk bisedojnë me prindërit, nuk bisedojnë me mësimdhënësit. E kërcënojnë se do të përdorin inspektorët. Rezultati: DËSHTIM Krejt çka dinë është shantazhi. Inatet i kanë me të mëdha se qëllimin. Me dialogu duhet sidomos me ata që nuk pajtohesh, andaj ulu dialogo me SBASHK-un, me prindërit dhe me të gjithë derisa të pajtoheni për kompensim të orëve, sepse qasja juaj vetëm dështim po na sjellë asgjë tjetër.”, ka shkruar ish-ministrja, e cila ka shtuar se humbësit janë fëmijët, familjet dhe gjithë shoqëria.
Sot është raportuar se ka pasur mungesë të nxënësve në disa shkolla.
Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) ka deklaruar se dita e sotme është ditë e humbur e mësimit. Sipas SBASHK-ut, nuk mund të thuhet që ka pasur sot proces mësimor.
Ndryshe, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka deklaruar se mësimi të shtunave është gabim dhe se ai do të refuzohet.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) para dy ditësh ka informuar se dita e shtunë, 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat. MAShTI ka potencuar se gjatë një muaji të grevës, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor, të cilat duhet të zëvëndësohen.