Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Jemen, ku një gazetare 27-vjeçare shtatzëne, ka humbur jetën pasi një bombë e vendosur në makinën e bashkëshortit të saj shpërtheu.
Pajisja shpërthyese (bomba) ishte vendosur në makinën e bashkëshortit të gruas fatkeqe, i cili po ashtu është gazetar, raportojnë mediat vendase. Shpërthimi ndodhi, teksa çifti po nxitonte për në spital, pasi 27-vjeçarja do të lindte fëmijën e tyre të dytë.
“Bomba shpërtheu ndërsa gazetari Mahmoud al-Atmi e çoi gruan e tij, Rasa Abdallah, në spital për të lindur”, tha një zyrtar. Dy gazetarët kanë punuar për media të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare në gjuhën arabe.
Sipas disa banorëve të zonës, në makinë përveç saj dhe bashkëshortit ( i cili u plagos) ka qenë edhe fëmija i tyre i parë, i cili gjithashtu ka humbur jetën nga shpërthimi. Megjithatë ky informacion nuk është konfirmuar ende.
Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Aden, selia e përkohshme e qeverisë së përkohshme. Por besohet se ishte vepër e rebelëve shiitë Houthi, të cilët kanë luftuar kundër qeverisë së njohur ndërkombëtarisht që nga viti 2014.