Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka pranuar se do të ishte më mirë që prindërit të ishin njoftuar më herët për ndryshimet në blerjen e librave për nxënësit nga klasa I deri në IX këtë vit shkollor.
Vendimi i Ministrisë së Arsimit një javë para se të fillonte mësimi që prindërit t’ua blejnë vetë fëmijëve librat e më pas të rimbursoheshin, ka ngjallur reagime të shumta në opinion ditëve të fundit. Opozita e ka konsideruar si dështim të Qeverisë mossigurimin e librave për nxënësit, ndërsa pushteti është arsyetuar se po ndal keqpërdorimet.
Nagavci në një intervistë në “Konfront” të KTV-së ka thënë se vendimi është një nga disa nga veprimet që thotë se kanë marrë si Ministri për përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore.
“Vendimi nuk ka qenë i pamenduar, i paanalizuar dhe është marrë në një moment që është konsideruar si i domosdoshëm. Doja të përmend ndonëse ka ngjallë debat, është një nga disa veprime që kemi marrë në raport me përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore. Do të ishte më mirë që prindërit të ishin njoftuar më herët”, ka thënë Nagavci, duke u arsyetuar se edhe në vitet e kaluara ka pasur mungesë të teksteve të caktuara.
Ministrja e Arsimit ka thënë se vendimi për blerjen e librave në këtë formë ka ardhur për të rritur transparencën dhe për ta menaxhuar me kujdes buxhetin e shtetit, derisa ka përmendur disa nga keqpërdorimet që ajo thotë se kanë dalë nga raporti i auditorit.
“Në vitet e kaluara është abuzuar me shpërndarjen e librave. Këto dy vjet qeverisje, kemi parë edhe raste të ndryshme të gabimeve dhe të abuzimeve. Nuk mund të përgjithësojë të gjitha rastet. Ka qenë shpërndarja e një pakoje për fëmijët para-fillor. Vlera e pakos ka qenë 19.20 euro, i ka kushtuar buxhetit 500 mijë euro në vit. Dhe ka pasur raportime se këto pako nuk janë përdorur fare. Po i referohem një emaili të vitit 2020. Këto pako nuk i kemi shpërndarë në dy vjetët e qeverisë sonë”, ka thënë Nagavci.