Një lajm i dhimbshëm për arsimin në vend, në veçanti për atë llapjan ka ardhur këtë mëngjes.
Profesoresha e Shkollës së Mesme Ekonomike në Podujevë, Fahrie Blaku, ka vdekur sot. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, përmes një postimi në Facebook.
Postimi i tij:
Në mëngjes u zgjuam me një lajm fort pikëllues, atë të ndarjes nga jeta të profesoreshës Fahrie Blaku, e cila për një kohë ka qenë edhe drejtoreshë e Shkollës së Mesme Ekonomike në Podujevë.
Fahrija ka dhënë kontribut të madh për arsimin llapjan, duke shkolluar dhe edukuar shumë gjenerata. Ajo është shquar për profesionalizëm të lartë dhe përkushtim të madh në secilën detyrë që ka kryer.
Në emër të Komunës së Podujevës dhe në emër timin personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Blaku, kolegëve e nxënësve, si dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerën!