Nxënësi i shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë, Anuar Mehaj, ka ndërruar jetë në një aksident trafiku që ndodhi ditën e hënë.
Këtë njoftim e ka dhënë Drejtoria e kësaj shkolle.
Njoftimi:
Jemi mësuar të shkruajmë e bëjmë njoftime vetëm për sukseset dhe të arriturat e nxënësve tanë, prandaj edhe po na dridhen duart dhe qajnë dhe shkronjat, tani kur po shkruajmë e bëjmë njoftime të tilla të dhimbshme, por ja që edhe vdekja është pjesë e jona, sado e dhimbshme, e papranueshme dhe e padashur qoftë ajo.
Humbjen tragjike të jetës së nxënësit të shkollës sonë, Anuar Mehaj (09.02.2015—03.05.2022), nxënës i klasës së 1-rë, në moshë jashtëzakonisht të njomë, rëndë po e përjetojmë të gjithë ne, nxënës e mësëmdhënës të shkollës sonë, por ja që edhe në këto çaste dhimbjeje, ne, si staf i shkollës, në emrin tonë, të nxënësve e të prindërve të shkollës sonë, gjejmë forcë që familjes së këtij engjëlli të vogël, t’ua shprehim ngushëllimet më të sinqerta të mundshme dhe njëkohësisht, bashkë me bashkëdhembjen që ndajmë me ju, ne lutemi që në botën e përjetshme, Parajsa të jetë vendbanim i tij kurse të gjallëve nga familja e ngushtë dhe e gjerë, Zoti Mëshirëplotë t’ua shtojë durimin!
Varrimi i të ndjerit bëhet sot me datë 04.05.2022, në varrezat e fshatit Prekaz të Skënderajt.
Me shumë dhembje e keqardhje,
Drejtoria