Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në Durrës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën në ambientet e një shkolle të mesme.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:15, në palestrën e shkollës “Marie Kaçulini”, e cila aktualisht përdoret pasdite për zhvillimin e mësimit nga gjimnazi publik “Gjergj Kastrioti”, pas dëmtimit të këtij të fundit nga tërmeti dhe procesit të rindërtimit.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, nxënësi teksa ndodhej në palestër, është ndjerë papritur keq dhe ka humbur ndjenjat. Menjëherë është njoftuar urgjenca dhe i mituri është transportuar me autoambulancë drejt spitalit, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet që vdekja të ketë ardhur për shkaqe natyrale, konkretisht si pasojë e një arresti kardiak.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat, në bashkëpunim me grupin hetimor, po kryejnë veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. /TCH