Kushtet e mjerueshme në Gjimnazin “Dr Shaban Hashani” në Ferizaj kishin trazuar thuajse gjithë vendin.
Për shkak se gjendja e objektit ishte tejet e rëndë, profesoresha e kësaj shkolle Zoja Lohaj Konjufca, kishte kërkuar kushte më të mira për nxënësit edhe bojkotuar mësimin në këtë shkollë.
Vetë Zoja Lohaj Konjufca sot ka njoftuar se kanë përfunduar ndërtimet e objektit të ri të kësaj shkolle, edhe pse, ende nuk është kthyer personalisht në procesin mësimor.
Lexoni të plotë postimin e saj:
Kauza e Suksesshme për Arsim me Dinjitet – Një Shembull për të gjithë.
Të dashur miq,
Sot dua të ndaj me ju një histori që nuk është thjesht personale, por një shembull se si zëri i një individi mund të bëhet forca e ndryshimit për shumëkënd. Një vit e tre muaj pas një udhëtimi të vështirë, sot ndjej krenarinë më të madhe për faktin se nxënësit e shkollës sime më në fund po ndjekin mësimin në një objekt të ri, të denjë për ta dhe për brezat e ardhshëm.
Në shkollën ku punoja dikur, kushtet fizike ishin poshtëruese – jo vetëm për nxënësit, por edhe për mua si mësimdhënëse, e cila kishte kaluar vite të tëra duke studiuar për t’u bërë një mësuese e përkushtuar për të rinjtë. Mungesa e ujit të pijshëm, erërat e papërballueshme nga tualetet e papastra, karriget dhe tabelat e dëmtuara, ftohtësia e dhomave të klasës, e deri te tavani që rridhte ujë gjatë orës mësimore, ishin vetëm disa nga sfidat e përditshme. Ishte e pamundur për mua të vazhdoja të mbyllja sytë para një realiteti kaq të trishtë.
Ngërçi mes partive kishte lënë mësimdhënjen, e mësimnxënjen në këtë shkollë në mizori, e askush nuk kishte guximin, kurajon te bashkohej me mua ne kete kauzë, per te dale nga ky objekt i mallkuar ne objektin e ri.
Shkolla kishte filluar të ndërtohej para pesë vitesh dhe ishte lënë në harresë meqë, njerëzit ishin mesuar te ankoheshin vetem ne bisedat e tyre private, por kurre pa pasur guximin, kurajon te bejne nje aktveprim konkret proteste, as mësimdhënësit, as prindërit.
Me shumë guxim dhe dhimbje në zemër për nxënësit e mi, vendosa të veproj. Bile edhe u semura nga stresi. Publikova një postim në Facebook për të sensibilizuar shoqërinë dhe për të ngritur zërin kundër këtyre kushteve. Kauza ime mori përmasa të mëdha: mediat më mbështetën, gazetat dhe televizionet e bënë publike gjendjen, dhe zëri im u dëgjua kudo. Ajo që nisi si një iniciativë individuale u kthye në një lëvizje që nuk mund të ndalej.
Sigurisht, rruga nuk ishte e lehtë. Pas publikimit të parë, marrëdhëniet e mia me drejtorinë e shkollës dhe institucionet arsimore u përkeqësuan. Vendosa të bojkotoj mësimin derisa të ndërtohej një objekt i ri për nxënësit. Megjithëse më duhej të lija punën dhe të përballesha me pasiguri, nuk u dorëzova. Pas një viti dhe tre muajsh, nxënësit tanë më në fund kaluan pragun e një shkolle të re, falë një kauze të sinqertë, një aktivizmi qytetar që nuk njihte frikë dhe një zemre të palodhur që donte vetëm të përmirësonte jetën e brezave të ardhshëm.
Unë nuk e kam kthyer ende në punën time, por nuk ndjej keqardhje. Qëllimi im ishte i pastër: t’i jap dinjitetin që meritojnë nxënësit dhe mësuesit tanë. Kjo fitore nuk është vetëm për mua; është për gjithë shoqërinë tonë që e kupton rëndësinë e arsimit dhe të kushteve të tij.
Sot, e ndjej obligim moral ta ndaj këtë histori, jo për t’u mburrur, por për t’ju treguar se guximi, përkushtimi dhe dashuria për të tjerët mund të ndryshojnë gjërat. Falënderoj të gjithë ata që më mbështetën dhe që besuan në këtë kauzë. Ju ftoj që ta shpërndani këtë mesazh, që zëri i të gjithë atyre që vuajnë në heshtje të dëgjohet dhe të fitojë.
Urime nxënësëve, shume suksese tutje!.
Me respekt,
Një mësimdhënëse që nuk u dorëzua kurrë.
Zoja Lohaj Konjufca.