Në Komunën e Lipjanit, ligjërimi i katër lëndëve nga i njëjti mësues, edhe pse ai nuk është i kualifikuar për to, nuk po konsiderohet i paligjshëm.
Për drejtorin e institucioneve arsimore, kjo situatë quhet “zgjidhje”, e jo shkelje. Arsimtari Zenë Qeriqi, i cili nuk ka përfunduar studimet për gjuhë gjermane e as për lëndët tjera që ligjëron, sipas tyre “është krejt në rregull”.
Për të kërkuar përgjigje rreth këtij paradoksi, Kiks Kosova u drejtua tek Drejtoria e Arsimit në Lipjan. Mirëpo, për ta, kjo nuk ishte asgjë e çuditshme vetëm një mënyrë për të dalë nga mungesa e kuadrove.
Drejtori i Arsimit, Rasim Hasani, tha se nuk ka arsye që situata të dramatizohet, pasi, sipas tij, “mësimdhënësi nuk është i kualifikuar vetëm për gjermanishten”. Ai shtoi se, ndonëse Qeriqi nuk i ka përfunduar studimet për këtë drejtim, “e zotëron mirë gjuhën”. Megjithatë, nga verifikimet e Kiks Kosova, rezulton se ai nuk e njeh as bazën e saj.
Hasani pranoi se arsyeja kryesore e kësaj situate është mungesa e kandidatëve për t’u angazhuar në fshatra të largëta, si dhe mungesa e arsimtarëve të kualifikuar për gjuhë të huaja dhe disa lëndë tjera. “Kjo gjendje do të vazhdojë derisa të gjendet një zgjidhje për punësimin e kuadrove të rinj”, tha ai.
Ndërkohë, derisa kjo ndodh para syve të të gjithëve, nxënësit vazhdojnë të humbin ditë e muaj të tërë pa mësuar asgjë në lëndët përkatëse.
Për këtë çështje, Kiks Kosova kërkoi përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit, por për disa javë me radhë, institucionet qendrore nuk janë përgjigjur. /KlanKosova