Dy nxënës me origjinë shqiptare kanë sjellë një tjetër histori krenarie për shqiptarët, duke u ngjitur në podium në Finalet Botërore të Olimpiadës Ndërkombëtare STEM, të zhvilluara në Romë. Alper Gurler nga Turqia dhe Junus Aziri nga Maqedonia e Veriut u shpallën nënkampionë bote në kategoritë përkatëse të grupmoshave të tyre.
Alper Gurler është fëmijë i një familjeje shqiptare që jeton prej 13 vitesh në Stamboll. Talenti i tij në matematikë dhe shkencë është evidentuar që në moshë të vogël.
Që në klasën e parë ai u pranua në programin shtetëror turk për fëmijët me aftësi të veçanta, ndërsa një vit më vonë u shpall kampion i Turqisë në Olimpiadën e Matematikës të organizuar nga Universiteti i Singaporit.
Në të njëjtën olimpiadë u dallua edhe Junus Aziri, nxënës i Shkollës Fillore “Said Najdeni” në Dibër të Maqedonisë së Veriut. Pasi kaloi me sukses fazat kualifikuese, ai u shpall Nënkampion Bote në kategorinë e matematikës për klasat e pesta.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Junusi tërhoqi vëmendjen duke shpalosur një qilim tradicional me motive kulturore të Dibrës, një gjest simbolik që promovoi trashëgiminë shqiptare në një skenë ndërkombëtare.