Tek kanë mbetur edhe dy javë para nisjes së vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë të martën se shpreson që librat për filloristët do të ndahen me kohë.
Ajo foli për disa anomali që janë evidentuar në këtë proces, në ditën kur nga Asociacioni i Komunave iu adresuan thirrje për shpërndarjen sa më të shpejtë të librave.
E një vit më parë, ajo e pati bërë zotimin për evitimin e vonesave dhe pati thënë që librat do të mbërrijnë te nxënësit që në korrik.
Dy javë para nisjes së vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shpreson që librat shkollorë do t’u ndahen nxënësve me kohë.
Një vit më parë, ajo e pati bërë premtimin se furnizimi me libra do të bëhet në fund të muajit korrik.
E në një konferencë shtypi, të mbajtur të martën, Nagavci ajo foli për disa anomali që janë evidentuar në këtë proces.
“Shpresoj që të arrijmë me kohë t’i furnizojmë nxënësit me tekste mësimore, gjithsesi jemi duke shqyrtuar mundësinë që të mos ketë vonesa në këtë drejtim që po krijohen për shkak të arsyeve të ndryshme. Me aq sa jam njoftuar nga ekipi që negocion kontratat për blerjen e teksteve, kam parë anomali mjaft të mëdha”, tha Nagavci.
Lidhur me vonesën në ndarjen e librave për filloristët, KOHA raportoi një ditë më parë. E të martën, Ministrisë i është drejtuar një kërkesë për shpërndarjen sa më të shpejtë të teksteve shkollore nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
“Asociacioni i Komunave kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit që sa më parë të nisë procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat e Komunave të Republikës së Kosovës. Kjo vonesë tepër e panevojshme mund të shkaktojë probleme dhe ngecje në fillimin e mbarë dhe të rregullt të vitit shkollor”, thuhet në kërkesën e AKK-së.
Gjatë konferencës, ministrja Nagavci njoftoi se viti shkollor 2023-2024 do të nisë më 1 shtator dhe se nxënësit do ta kenë edhe pushimin vjeshtor. Ai numëroi njashtu edhe ato që i kualifikoi si të arritura të ministrisë. Tha se sivjet do të shtohen profilet e arsimit dual dhe paralajmëroi se do të ketë edhe investime në infrastrukturën shkollore.
“E dini që ndërtimi i çerdheve të reja edhe përshtatja e legjislacionit për rritjen e gjithë përfshirjes në edukimin e hershëm ka qenë një nga premtimet tona. Në kuadër të kësaj, javën e kaluar kemi nënshkruar kontratën për ndërtimin e çerdhes në Fushë Kosovë, presim që gjatë javës së ardhshme do të fillojnë punimet dhe jemi në proces të nënshkrimit të kontratës edhe për ndërtimin e çerdhes në Batllavë të Podujevës dhe në Shtime”, theksoi Nagavci.
Qeveria Kurti, gjatë fushatës elektorale, pati premtuar që do të ndërtohen 160 çerdhe për 4 vjet, e deri më tani janë funksionalizuar 4 syresh.
Nagavci njoftoi edhe se Qeveria ka ndarë 250 mijë euro për blerjen e teksteve në gjuhën shqipe për nxënësit në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
© KOHA