E hëna shënon javën e parë të kthimit të nxënësve në shkolla, porse përgatitjet për sigurimin e teksteve shkollore mund të ngadalësojnë procesin mësimor.
Sigurimi i librave nga vetë prindërit mund të ndikojë në mospajisjen me kohë dhe përnjëherë të të gjithë nxënësve.
E vonesat në kompletim të teksteve shkollore gjatë muajit shtator, sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci, do të ngadalësojnë zhvillimin e plan-programit mësimor.
“Pajisja me libra është shumë me rëndësi, në veçanti për nxënësit e moshave të vogla të cilët në mesin e librave kanë një numër të konsiderueshëm të fletoreve të punës, të cilat duhet t’i plotësojnë si gjatë orëve të mësimit, ashtu edhe si për detyrë shtëpie, prandaj nëse mungojnë këta libra, atëherë me siguri që do të ketë një ngadalësim të procesit mësimor”, ka thënë Pupovci.
Gjatë periudhës së mungesës së librave, Pupovci thotë se duhet të shqyrtohen metoda alternative në ato shkolla që kanë mundësi të improvizojnë.
“Mësimdhënësit duhet të shohin zgjidhje alternative, eventualisht t’i shtypin ato faqet nëse kanë mundësi brenda shkollës, nëse kanë aparate fotokopjuese e kështu me radhë, sepse jo të gjitha shkollat te ne janë të pajisura në mënyrë që efektet negative të mungesës eventuale të librave të minimizohen sa më shumë”, ka deklaruar ai për KOHA.
Sipas tij, këta libra janë pothuajse të gjitha në dispozicion online.
“Mbetet që të shtypen faqet përkatëse dhe t’u shpërndahen aty ku ka mundësi, aty ku nuk ka mundësi me të vërtetë situata nuk do të jetë e mirë”, ka shtuar ai.
Ministria e Arsimit, këtë vit ka vendosur të shpërndajë ndryshe librat te nxënësit nga klasa e parë deri te e nënta. Ka obliguar prindërit të aplikojnë për subvencion dhe më pas t’i blejnë vetë librat. Procesi ka hasur në kritika të mëdha.
Në të kaluarën, nxënësve deri në klasën e nëntë u shpërndaheshin librat në ditën e parë të vitit shkollor.