Dilema rreth propozimit, tashmë vendimit të MAShT-it për librat shkollor, pati ish-zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.
Ai u shpreh se ka probleme siç është vetpërcaktimi i lartësisë së pagesës, pasi çmimet mund të ndryshojnë varësisht nga libraria.
Tutje ai theksoi se, ka edhe prindër që i kanë llogaritë e bllokuara për shkak të borxheve, kështu iu pamundësohet marrja e mjeteve nga Qeveria.
“Zbatimi i një opsioni të tillë nuk është aspak i thjeshtë. Në aspektin praktik është punë shumë e vështirë të procesohen rreth 100 mijë aplikime për rimbursim nga prindërit dhe të ekzekutohen pagesat, me ç’rast duhet të verifikohen të dhënat për fëmijët: në cilën shkollë dhe klasë vijojnë mësimin, si dhe cilat tekste i ka përzgjedhur shkolla. Vet përcaktimi i lartësisë së pagesës është problematikë në vete, pasi çmimet mund të ndryshojnë varësisht nga libraria. Probleme tjera mund të lindin me njerëz që nuk i shpenzojnë mjetet për tekste, por për diçka tjetër, ose të tillë që i kanë llogaritë e bllokuara për shkak të borxheve”, theksoi ai për Indeksonline.
Pupovci u shpreh se nga përvoja e tij në ministri, shtëpitë botuese ndonjëherë janë joracionale me çmime, pasi për momentin, sipas tij, nuk ka mekanizma ligjorë për kufizimin e çmimeve.
“Disa prej tyre kanë qenë shumë jofleksibile me rastin e negocimit të çmimeve, ndërsa disa tjera i kanë zbritur çmimet edhe për 20-30% që dmth se edhe vet e kanë ditur se oferta fillestare ka qenë joreale. Pastaj, është e çuditshme se, në shumë raste, çmimi i tekstit që i ofrohet Ministrisë është më i lartë se çmimi me të cilin tekstin e shesin libraritë, e ku është i kalkuluar edhe marzhi i fitimit. Normalisht, do të duhej të ishte e kundërta”, tha ai.
Theksojmë se mbrëmjen e së enjtes, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci njoftoi se prindërit duhet t’i blejnë librat për fëmijët e tyre.
Hapet platforma për aplikim për subvencionim të teksteve shkollore