E sot pas 25 vite punë unë them me gojën plot se kur e do shumë diçka, ti e arrin. Koha më mësoi të kem respekt për veten dhe nxënësit e mi, t`i vlerësoj ata objektivisht, t`u mësoj se klasa është një familje e madhe…
M`u kujtua fëmijëria ime …E rritur mes fletoresh që korrigjoheshin për orë të tëra në shtëpi, të cilat u merrnin kohën time, prindërve të mi, mes bisedash për nxënës që nuk asimilonin dot mësimin dhe rrugët që do gjendeshin për kalimin e situatës së tyre, objektivash të arritura a jo, lodhjen e ditëve të dezhurnit në shkollë dhe orën që nuk i doli ndonjëherë në pritshmëritë e tyre. E ndjeja përkushtimin e lodhjen e prindërve të mi dhe përsëri dëshira për t`u bërë mësuese nuk u fik asnjeherë. Ndizej dhe rindizej kur dëgjoja për prindërit e mi fjalët më të mira në qytet, e ndieja kudo respektin që kishin për ta dhe doja që dhe unë të bëhesha si ata. E çdo ditë brenda meje rritej dëshira, një zë që thërriste e i fliste prindërve të mi: “Dua të bëhem si ju, mësuese!”
Rritesha me figurën e dashur të mësuesit që ishte modeli, i cili me profesionalizmin e tij bënte klasën magjike. Mësuesi ishte ai njeriu i rreptë dhe ndëshkues rrallëherë dhe pa shkak, ajo figura deri diku mistike që ishte qendra e dijes, sikur të ishte qendra e botës, e pakapshme nga ne. Një përshëndetje me kokë na lumturonte. Na donin si fëmijët e tyre, por me një dashuri të akullt, autoritare, por fisnike.
“Mësuesi ishte ai njeri që i bënte më të lehta, gjërat e vështira”. Nuk e dija në atë kohë se kjo ishte një thënie e Emersonit, por unë dhe bashkëmoshatarët e mi e ndjenim këtë në të përditshmen tonë. Mësuesi ajo figura që nuk mund të gabonte asnjëherë dhe gjithkush kishte si unë atë klithmën që i thërriste skutave të ëndrrës: “Dua të bëhem mësuese!”
E kështu kaluan vitet. Figura e tij rritej e rritej para meje. Në vitet e para si mësuese e kisha shumë të vështirë të imitoja ish mësuesit e mi, nuk doja të isha kopje e tyre, por një origjinal sado i shëmtuar të ishte. Askush nuk do të më respektonte, nëse nuk do të krijoja një profil timin, ndaj më duhej punë për të. Sa më shumë kalonin ditët, muaj, vitet, aq më shumë e dashuroja mësuesinë. Dhe në ditët më të trishta të mësimdhënies, nuk u zmbrapsa, nuk u tuta, por luftova të krijoja individualitetin tim. Doja që brezat të flisnin për mua
E sot pas 25 vite punë unë them me gojën plot se kur e do shumë diçka, ti e arrin. Koha më mësoi të kem respekt për veten dhe nxënësit e mi, t`i vlerësoj ata objektivisht, t`u mësoj se klasa është një familje e madhe, të dëgjojnë në mënyrë kritike të tjerët dhe të mos kenë frikë të shprehen, të kenë pasionin dhe dashurinë time për profesionin, t`u mësoj se jeta është e bukur dhe në momentet më të errëta dhe se vështirësitë kalohen me durim, t`u mësoj të kapin rastin kur u jepet të mos frigohen para askujt, t`u mësoj mësimin e bazuar mbi hulumtim, t`u mësoj të duan veten dhe të tjerët e të mos lënë askënd t`ua shkelë dinjitetin… E kur shoh sytë e nxënësve të mi që çdo ditë më shohin me dashuri nuk pendohem që ndoqa klithmën e fëmijërisë sime: “Dua të bëhem si ju, mësuese!”
(Luiza Myrtaj Nezha; Portali Shkollor)