Drejtoria e shkollës “Katër Dëshmorët” në Ratkoc thirrje prindërve: Ejani në mbledhjet me mësimdhënësit

- Advertisement -

Drejtoria e shkollës fillore “Katër Dëshmorët” në Ratkoc ka lëshuar një njoftim drejtuar prindërve, përmes të cilit u bën thirrje që të jenë më të pranishëm dhe më aktivë në takimet e organizuara nga mësimdhënësit, shkruan AlbanianEducation.net.

- paragrafi 1 -

Në njoftim thuhet se këto takime janë thelbësore për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve.

- Advertisement -

Tutje theksohet se bashkëpunimi ndërmjet shkollës dhe prindërve mbetet një ndër faktorët kryesorë që ndikon drejtpërdrejt në suksesin e nxënësve, shkruan AlbanianEducation.net.

Njoftimi i plotë:

Të dashur prindër,

- Advertisement -

Ju ftoj me shumë mirësi që të merrni pjesë në mbledhjet që organizohen nga mësimdhënësit. Ato janë të rëndësishme sepse lidhen drejtpërdrejt me fëmijët tuaj,me sjelljen, përparimin dhe mirëqenien e tyre në shkollë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se ta njohim sa më mirë fëmijën, jo vetëm në shtëpi, por edhe në mjedisin ku ai kalon pjesën më të madhe të ditës. Prandaj bashkëpunimi ynë duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i sinqertë.

Shpesh i njohim fëmijët sipas sjelljes së tyre në shtëpi, por në shkollë ajo mund të jetë e ndryshme. Askush nuk e di më mirë se mësimdhënësi se si sillet, si komunikon dhe çfarë vështirësish mund të ketë një fëmijë gjatë procesit mësimor. Për këtë arsye është e rëndësishme të jeni prezentë, të informuar dhe të angazhuar.

Ne e dimë që si prindër jeni të angazhuar dhe me shumë përgjegjësi, por ndonjëherë është mirë të lëmë gjithçka anash dhe t’u kushtojmë më shumë kohë fëmijëve tanë. Komunikimi me mësimdhënësit është thelbësor, në mënyrë që të kuptojmë së bashku çdo nevojë, vështirësi apo zhvillim pozitiv që ka fëmija.

Dera ime si drejtoreshë është gjithmonë e hapur nga ora 07:30 deri në 17:30, dhe mësimdhënësit janë të gatshëm t’ju përgjigjen kurdo që keni nevojë. Qëllimi ynë i përbashkët është një: rritja dhe edukimi më i mirë i fëmijëve tanë.

Ju lus me shumë mirëkuptim që, kur lind ndonjë shqetësim, të mos nxitoheni të kërkoni fajtor, por të bisedojmë së bashku, me qetësi dhe respekt. Ne të gjithë jemi në të njëjtën anë, dhe secili prej mësimdhënësve punon me zemër për të mirën e çdo nxënësi.

Fëmijët tuaj janë edhe fëmijët tanë. Me bashkëpunim, komunikim dhe mirëkuptim, jo vetëm që do të jeni të informuar për çdo gjë, por edhe do të marrim vendimet më të drejta për ta.

Me respekt dhe mirënjohje,
Drejtoresha