Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, thotë se rishikimi i kurrikulave lëndore për klasat 1–9 është i nevojshëm, por duhet trajtuar me shumë kujdes dhe përgjegjësi.
Drejtori Shahini vlerëson hapjen e debatit, por pohon se ky proces nuk guxon të jetë i shkëputur nga realiteti i shkollave dhe përvoja konkrete e mësimdhënësve, shkruan AlbanianEducation.net.
“Ky proces kërkon bashkëpunim real, jo formal. Ministria, komunat, shkollat, ekspertët dhe prindërit duhet të jenë në të njëjtën tryezë dhe me të njëjtin qëllim”, ka shkruar Shahini në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Rishikimi i kurrikulave lëndore për klasat 1–9 është i nevojshëm, por duhet trajtuar me shumë kujdes dhe përgjegjësi. Si Drejtor i Arsimit në Kryeqytet, vlerësoj hapjen e debatit, por theksoj se ky proces nuk guxon të jetë i shkëputur nga realiteti i shkollave dhe përvoja konkrete e mësimdhënësve.
Në Prishtinë, mësimi tërëditor po zbatohet tashmë në 12 shkolla dhe së shpejti do të shtrihet në të gjitha. Kjo ka nxjerrë në pah nevojën urgjente për kurrikula më fleksibile, më të lehta dhe të ndërtuara ndryshe, që e kuptojnë ritmin e fëmijës dhe e shohin shkollën si hapësirë zhvillimi, jo vetëm si transmetim njohurish. Pa këtë përshtatje, çdo reformë mbetet gjysmake.
Një tjetër dimension që kërkon vëmendje serioze është teknologjia, inteligjenca artificiale dhe edukimi medial. Nxënësit tanë jetojnë në një realitet digjital që po ecën shumë më shpejt se shkolla.
Prandaj, edukimi digjital e medial duhet të trajtohet si nevojë urgjente, për nxënësit, për mësimdhënësit dhe për prindërit. Pa këtë, rrezikojmë të kemi fëmijë të ekspozuar ndaj dezinformimit, keqpërdorimit të teknologjisë dhe varësisë nga ekranet, pa mjetet për ta kuptuar dhe menaxhuar këtë realitet.
Ky proces kërkon bashkëpunim real, jo formal. Ministria, komunat, shkollat, ekspertët dhe prindërit duhet të jenë në të njëjtën tryezë dhe me të njëjtin qëllim. Vetëm kështu rishikimi i kurrikulave mund të kthehet në reformë të vërtetë dhe jo në një ndryshim në letër.