E shtunë, 27 Korrik, 2024

Drejtori Rrahim Bekteshi: Misionin e mësuesit e kisha në shpirt, ky mision rritej me kohën

- Advertisement1-

Intervistë e drejtorit të shkollës ”Emin Duraku” në Prizren, ma.sc. Rrahim Bekteshi e realizuar në vitin 2021 nga revista shkollore Ardhmëria.

Ardhmëria: Përshëndetje z. Drejtor, së pari faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë. Ju keni një përvojë të gjatë në çështjen arsimore dhe atdhetare, na tregoni pak nga përvoja juaj e hershme në arsim, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në TMK dhe së fundmi, drejtor i SHFMU “Emin Duraku“.

- Advertisement -

Rinia e brezit tonë është e brumosur me ndjenja atdhetare, pasi ne u përballëm që në moshë të re me pasojat e regjimit serb, andaj në këtë aspekt mund të them se ishim pjekur para kohe për ta kuptuar brengën e atdheut dhe t’i dallojmë me kohë të zezat e pushtuesit dhe joshjet e tij. Si pjesa më e madhe e të rinjve, që ëndërronim ta shihnim vendin e lirë, edhe unë si bashkëmoshatarët e mi, sapo përfundova shkollën e mesme, ia mësyva shkollimit të lartë, sepse doja që sa më shpejt të kontribuoja për atdheun në edukimin dhe shkollimin e të rinjve. Kjo dëshirë e imja, mbase e ka burimin edhe në bisedat e pleqve, që sa herë na takonin kur ktheheshim prej takimeve të fshehta na thoshin: “Nuk kemi pasë shkollë, nuk kemi pasë dije dhe nuk kemi pasë rrugë tjetër, se as ne nuk iu kemi besuar shkijeve!” Kështu në vitin 1986, në moshën 19 vjeçare, pasi kisha diplomuar në SHLP “Bajram Curri” në Gjakovë, fillova të punoj në SHF “Migjeni” në Gjinoc, me paralelet e ndara në Leshan dhe Tërrnje të Komunës së Therandës. Një vit më vonë kam punuar në QAMO “Jeta e Re” në Therandë (paralelet e ndara të vitit të I-rë dhe të II-të në Banjë të Malishevës). Në vitin shkollor 1987/88 u ktheva përfundimisht në SHF “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatrat Leshan dhe Tërrnje të Therandës deri në vitin 1991, kur më është ofruar mundësia që të kthehem në vendlindje në SHF “Dituria” në fshatin Samadraxhë të Therandës. Gjatë viteve 90-të krahas punës edukative-arsimore në shkollën fillore, u angazhova edhe në paralelet e shkollës së mesme “Jeta e Re” në shkollat shtëpi, që i mbanim aso kohe. Karshi angazhimit në arsim, kam qenë i angazhuar edhe në jetën kulturore, që më shumë në atë kohë bënim mobilizimin e të rinjve, duke dashur që të jemi të gatshëm për çdo të papritur të mundshme. Kështu, për 10 vite e kam udhëhequr edhe shoqërinë kulturo artistike “Dardanët “ në fshatin Samadraxhë, ku ishin të angazhuar kryesisht nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Së bashku me disa kolegë mësimdhënës historianë kemi formuar edhe shoqatën e historianëve “Hasan Prishtina”, ku u mobilizuam që të mbledhim të dhëna për vuajtjet e popullit shqiptar nga regjimi serb, vrasjet dhe masakrat në periudha të ndryshme kohore. Me një theks të veçantë jemi angazhuar që të mbledhim të dhëna e dokumente për masakrën e Tivarit. Gjatë kësaj kohe kemi intervistuar me dhjetëra dëshmitarë të kësaj masakre, përkatësisht të mbijetuar, të cilët deri më atëherë nuk kishin folur dhe nuk kishin treguar as para familjarëve nga frika se po t’i dëgjonte ato tregime, regjimi dhe do t’u hakmerrej familjarëve të tyre. Pra, kemi bërë një punë të madhe në baza vullnetare, sepse sot më ata të mbijetuar të masakrës së Tivarit nuk jetojnë më. Gjatë viteve 1997/98 kam punuar në dy shkolla, me dy norma, në fshatrat Leshan dhe Samadraxhë, sepse në këtë kohë mungonte kuadri arsimor, jo vetëm për faktin se nuk kishte pagë, por edhe shumë të rinj kishin mërsyer Perëndimin dhe kishte nevojë që të punonim në dy shkolla. Këto vite (1997/98) tregonin qartë se po lëvizte diçka në të mirë të kombit. Në fakt, lëvizjet kishin filluar edhe më herët, por ende nuk ishin bërë publike, prandaj veprimtaria ilegale po kalonte në legalitet dhe po përhapej në gjithë Kosovën. Në këtë mënyrë edhe unë, si pjesa më e madhe e të rinjve e në veçanti e mësimdhënësve në fillimin e pranverës së vitit 1998, isha në kontakt me ish nxënësin tim, që ishte ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai ishte komandant Çeliku – Fatmir Limaj. Pasi kisha të përfunduar një shkollë ushtarake të oficerëve rezervë në Banjallukë, fillimisht u angazhova në përgatitjen dhe trajnimin e luftëtarëve të lirisë gjatë muajit maj 1998. Me këtë rast duhet të shtojmë se të rinjtë që kishin vullnet dhe dëshirë për t’u inkuadruar në radhët e UÇK-së, kishin nevojë që t’i merrnin njohuritë e para për armët, meqë pjesa më e madhe e tyre nuk kishin qenë në shërbim ushtarak. Dhe kështu, pas ushtrimit dhe demonstrimit të disa ushtrimeve fillestare, me shumë të rinj, në qershor të vitit 1998, u ndava nga ditari dhe nxënësit e mi dhe e mora pushkën për liri, sepse ashtu e kërkonte atdheu dhe liria. Pas inkuadrimit në radhët e UÇK-së, u bashkëngjitën edhe një numër i madh i shumë nxënësve të mi që sot janë edhe dëshmorë të kombit. Gjatë luftës kam kryer detyra me rëndësi në hierarkinë e lartë ushtarake të UÇK-së, përkatësisht aty ka qenë më i nevojshëm kontributi im. Lufta e drejtë për çlirim kombëtar është vepra më madhështore e popullit tonë më në krye me UÇK-në e ndërkombëtarizuan si kurrë më parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën botërore dhe falë qëllimit, luftës së pastër, shumë shpejt UÇK-ja u bë partnere ndërkombëtare dhe fitoi simpatinë e shumë shteteve të botës. Në këtë mënyrë UÇK-ja u konsiderua ushtri e barabartë me ato të shteteve të Evropës dhe falë gatishmërisë për bashkëpunim me NATO-n nisën edhe bombardimet kundër Serbisë dhe forcave pushtuese të saj. Për një kohë kam qenë në disa zona të luftimeve, ndërsa me fillimin e operacionit vendimtar për çlirimin e Kosovës, gjatë operacionit “Shigjeta”, të organizuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me shumë bashkëluftëtarë kam qenë në Maje të Pashtrikut. Me përfundimin e luftës më 12 qershor 1999 dhe pas demobilizimit të UÇK-së dhe transformimit të UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, u emërova zëvendëskomandant i Batalionit të Gardës, detyrë që e kreva deri në vitin 2009, kur edhe u formua Forca e Sigurisë së Kosovës, që gjithashtu edhe në FSK u emërova shef i operatives në njësinë e Reagimit të Shpejtë në Gjilan. Aty punova vetëm 2 muaj dhe me vetë dëshirë u demobilizova dhe kështu vendosa t’i kthehem profesionit të vjetër, arsimit. Në tetor të vitit 2010, pas konkurrimit në dy shkolla të Prizrenit, u pranova në detyrën e drejtorit të SHFMU “Emin Duraku” në Prizren. Fillimisht ka qenë një lloj opinion ndoshta pak i gabuar, kinse unë, ushtarak nuk i njoh problemet arsimore, por koha shpejt e dëshmoi të kundërtën, në fakt e shpërfaqi profesionin tim, që e kam pasur qysh në moshën 19 vjeçare. Pra, mësues nuk bëhesh pse do dikush të të bëjë, por pse vetë njeriu është i përcaktuar për atë mision. Dhe unë këtë mision të mësuesit e kisha në shpirt dhe sa vinte dhe ky mision rritej edhe në kohën sa kam shërbyer si ushtarak. Në fillim kur e kam pranuar detyrën e drejtorit, objekti i shkollës sonë ishte i ri, por kishte vetëm banka dhe karrige, tre kompjuterë e asgjë tjetër. Atë kohë zëvendësdrejtor i shkollës sonë ishte Fevzi Karamuqo, me të cilin kemi bashkëpunuar ngushtë, por nuk mundem pa i përmend edhe ish drejtorin Nexhdet Kuqanin, Nexhat Hamelin, Nagip Jyrishin dhe kolegë të tjerë, të cilët i kisha bashkëpunëtorë të ngushtë, të cilët, duke parë seriozitetin dhe përkushtimin tim për punë, më dhanë edhe më shumë kurajo që shkolla jonë të bëhet shembull pozitiv në shkollat e Prizrenit. Për këto 10 vite punë jam i kënaqur që së bashku me mësimdhënësit e shkollës sonë e kemi ngritur imazhin e shkollës, pasi është ndër shkollat më të kërkuara nga nxënësit e qytetit tonë me rrethinë. Ajo, tani pas 10 viteve, është një shkollë tjetër, me një cilësi të lartë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, me kabinete moderne ( të Kimisë, Fizikës, Biologjisë, Informatikës, Artit Figurativ, Edukatës Muzikore), me kopsht parafillor, me sallë të Edukatës Fizike, me sallën e konferencave të pajisur me tabela të mençura interaktive. Serioziteti i punës sonë, ka hasur në mirëkuptim edhe në DKA, që na ka përkrahur çdo herë në infrastrukturë, por nuk kanë munguar as donacionet nga organizata të ndryshme ndërkombëtare. Jemi të pajisur me mikrobit, Llabox dhe në këtë vit shkollor ka filluar me punë edhe psikologja e shkollës, Rrita Çollaku, e cila është duke kryer një punë të shkëlqyeshme në ordinancën stomatologjike etj. Në këto suksese kuptohet që edhe pa një ekip të mirë dhe bashkëpunim me Këshillin Drejtues të Shkollës, sikurse edhe me prindërit, të cilët na janë gjendur gjithmonë pranë, nuk do të arriheshin. Falënderues i veçantë i jam edhe TIKA-s nga Turqia, e cila na ndihmoi mjaft në kompletimin dhe modernizimin e kabineteve. Andaj, me të drejtë, duke pasur parasysh gjendjen ekzistuese dhe sukseset e nxënësve të shkollës sonë, mund të them se shkolla e jonë është një shkollë model.

Ardhmëria: Ju keni dy mandate në shkollën tonë në detyrën e drejtorit, si ndiheni kur shkolla jonë mban epitetin si shkollë elitare në Prizren dhe në nivel të Kosovës?

Unë jam në përfundim të mandatit të dytë dhe ndihem krenar dhe shumë i kënaqur me sukseset e shkollës sonë dhe me këtë rast do ta përmend një thënie nga Stiv Xhobs: “Sukseset më të mëdha nuk ndodhin brenda natës, kërkojnë kohë.” Shkolla jonë tani është e kërkuar shumë nga prindërit arsimdashës sa që ka shumë prindër qe vijnë një vit përpara për ta rezervuar vendin për regjistrimin e fëmijëve të tyre. Kjo më motivon edhe më tepër për angazhimin tim dhe të kolektivit të mrekullueshëm të shkollës sonë, sepse drejtuesi i një shkolle pa përkrahjen e kolektivit nuk do të arrinte asgjë. As nuk do të kisha arritur sukses, sikur të mos e kisha pasur përkrahjen dhe përkushtimin e kolektivit. Tashmë jemi një kolektiv i përgjegjshëm dhe i përkushtuar në punë, ku vullneti dhe sukseset janë qëllimet dhe objektivat tona. Ne kemi marrë fjalë miradije edhe në vlerësimet që janë kryer në shkollën tonë, por edhe eksperti arsimit, prof. dr. Xhavit Rexhaj. Të gjitha këto na inkurajojnë dhe na motivojnë se duhet mbajtur lart moralin e punës si shkollë elite me një ekip elitar, ku për çdo ditë kemi kërkesa për projekte të reja novative dhe angazhim maksimal, që nxënësve t’u afrojmë çdo gjë nga vetja. Me pak fjalë, shkolla jonë është një fanar i dritës, ku të gjithë jemi të angazhuar që rrezet e kësaj drite të shpërndahen sa më shumë në mesin e nxënësve.

Ardhmëria: Sa jeni i kënaqur gjatë këtyre viteve me pjesën e mësimdhënies, mësimxënies, përkatësisht me stafin dhe nxënësit e shkollës sonë?

Falë angazhimit të madh të mësimdhënësve që punuan para luftës (1999), por edhe përkushtimit të madh të pasluftës, arsimi në Kosovë është në fazën përfundimtare të reformimit nga ai klasik tradicional, të reformuar me kurrikulë dhe teknika bashkëkohore të mësimdhënies me nxënësin në qendër.Trajnimet e shumta, përkushtimi i stafit të shkollës, por në përgjithësi i arsimit tonë, kanë bërë që edhe ne në Kosovë të jemi në hap me kohën, në hap me shtetet e zhvilluara, ani pse ende nuk janë të dukshme rezultatet, sepse jemi në hapat e parë, por këta hapa janë hapa gjigantë, sepse nxënësit tanë sot garojnë me nxënësit e vendeve që kanë një arsim më të avancuar dhe më besoni, kemi shumë raste kur nxënësit tanë i fitojnë garat ndërkombëtare. Gjithsesi, këto fitore i dedikohen stafit mirë të përgatitur të shkollës sonë. Këto reforma kanë marrë kohë, por kemi arritur që me sukses t’i zbatojmë edhe t’i implementojmë. Në këtë kontekst mund të them se shkolla jonë, ka qenë ndër shkollat e para pilot të zbatimit të KK. Për të qenë një lider i mirë, duhet të kesh një ekip të mirë. Jam i kënaqur me punën e mësimdhënësve, sepse ne në vazhdimësi ndjekim nga afër punën e tyre. Sa për ilustrim po e përmend që vetëm gjatë këtyre dy muajve të fundit koordinatorja e cilësisë msc. Fëllanza Kirajtani ka hospituar në secilën lëndë mësimore të mësimdhënësve tanë dhe shihet se mësimdhënia është në nivel të lartë, por edhe mësimnxënia gjithashtu, sepse kemi nxënës shumë të mirë të cilët i kanë argumentuar fuqishëm sukseset e tyre, siç është rasti me nxënësin Skënder Krasniqi, që në garën e lëndës së Fizikës ishte i dyti në Republikën e Kosovës.

- Advertisement -rrrrrrr

Ardhmëria: Ky vit ka qenë sfidues për të gjithë botën edhe për ne me pandeminë KOVID -19, si ja keni dalë me organizim të mësimit, ku dihet se ju menjëherë keni formuar Task Forcën, keni organizuar dezinfektimin ditor dhe javor të shkollës dhe shumë masa tjera në nivel shkolle?

T’ju them të drejtën, ne që nga fillimi i paraqitjes së pandemisë ishim ndër shkollat e para në Kosovë që filluam me mësimin online dhe kemi marrë të gjitha masat për dezinfektimin, dezinfektimin dhe deratizimin e shkollës, pasi këtë e kemi kryer tash e tri vite edhe para paraqitjes së Kovidit. Me paraqitjen e pandemisë, ne kemi qenë të mobilizuar të gjithë dhe jemi furnizuar me maska, dezinfektues, doreza, por edhe me preparate të prodhimit gjerman dhe makinën për spërkatje – dezinfektim të shkollës dhe hapësirave tjera, njëherësh kemi përgatitur edhe fokistin Nysret Muja, i cili çdo 48 orë ka kryer spërkatjen me preparatin për dezinfektim. Gjithashtu kemi formuar Task Forcën për luftën antikovid, ku në përbërje kemi pasur edhe dy mjekë dhe një psikolog, të cilët kanë kryer një punë të mrekullueshme, duke ardhur herë pas here në kontrollin sistematik të nxënësve dhe mësimdhënësve. Nga paraqitja e pandemisë të gjithë nxënësit, të cilët nuk kanë pasur maska, janë furnizuar nga shkolla, por edhe punëtorët teknikë kanë kryer një punë të mirë sa i përket pastërtisë.Me pak fjalë i gjithë stafi i shkollës ka qenë i mobilizuar, që ambienti i shkollës të jetë i sigurt për nxënësit dhe të mos kemi raste me simptome.

Ardhmëria: Me menaxhimin tuaj dhe të stafit, a mendoni se shkolla jonë ka arritur që të jetë model për shkollat e rajonit dhe Evropës, kur dihet se kemi të angazhuar stafin: koordinatoren e shkollës, sekretarin, zëvendësdrejtorin, psikologen e shkollës, kabinetet, bibliotekën dhe shumë ambiente kreative për seminare dhe aktivitete të ndryshme?

Unë edhe më sipër e potencova se ne kemi një ekip shumë të mirë dhe tani i delegojmë përgjegjësitë te secili, duke filluar nga zëvendësdrejtori, Akif Gashi, i cili është duke kryer detyrat si profesionist, koordinatorja e cilësisë, Fëllanza Kirajtani, është gjithmonë në krye të detyrës, duke monitoruar dhe sqaruar mësimdhënësit. Ajo është urë lidhëse në mes drejtorisë dhe mësimdhënësve. Kjo treshe drejtor- zëvendësdrejtor – koordinatore në vazhdimësi është në harmoni me takime dhe zgjidhje të problemeve dhe avancimin e çështjeve mësimore, sikurse edhe sfidat që dalin para nesh. Psikologja, ka kryer një punë të shkëlqyeshme, duke iu ndihmuar shumë nxënësve me probleme të ndryshme. Mësimi është kabinetik në lëndët Kimi, Fizikë, Teknologji me TIK, Art Figurativ. Kemi fituar projektin për Grantet e Zhvillimit të Shkollave nga Banka Botërore me vlerë prej 15.000 $ dhe kemi realizuar projektet për Mallra dhe Shërbime, sikurse kemi përcaktuar tri trajnime për mësimdhënës, pasi i kemi kryer të gjitha procedurat dhe jemi duke pritur konfirmimin nga MASHT-i për t’i mbajtur në shkollën tonë. Jemi të pajisur gjithashtu edhe me tri tabela të mençura interaktive, llabox dhe mikrobit. Këto mjete të konkretizimit, pajisje dhe kabinetet janë mundësi e mirë për t’i treguar vlerat e veta secili mësimdhënës. Aktivitetet në shkollën tonë nuk mungojnë asnjëherë. Edhe në kushte pandemie ne kemi mbajtur aktivitete, duke filluar nga kuizet, orët letrare, por gjithmonë duke e respektuar distancën. Kreativiteti është edhe një nga kriteret që duhet ta ketë secila shkollë dhe parakusht për sukseset e një shkolle.

Ardhmëria : Cili është sekreti juaj si individ dhe intelektual, nga e merrni këtë energji për shumë punë, rregull, disiplinë dhe marrëdhënie shumë të mira në raportet drejtor – mësimdhënës-nxënës-prind?

Sepse dihet se shkolla jonë ka pasur investime dhe menaxhim të mahnitshëm në mandatin e dytë të vlerësuar në nivel qyteti. Suksesi për një menaxher shkolle, në radhë të parë në krijimin raporteve të mira, është në mes stafit me drejtorin e pastaj stafit me nxënës dhe prindër, e kjo nuk ka munguar, sepse të jem i sinqertë, këtë gatishmëri e kam gjetur te stafi. Një ndikim të madh në mua ka ushtruar edhe angazhimi im në procesin mësimor që në moshë të re, ku si mësimdhënës e kam dashur gjithmonë punën, disiplinën dhe saktësinë. Natyra ime e punës është e atillë që të mos ndalem dhe problemet mundohem t’i zgjidh aty për aty, duke mos ia lënë kohës. Jam bashkëpunues, pranoj me lehtësi këshilla nga të gjitha ata që e duan arsimin. Por, sekreti, siç e quani ju të suksesit, është te disiplina në punë dhe pikërisht për këtë fakt, prindërit nga i gjithë qyteti i Prizrenit kërkojnë regjistrimin e fëmijëve të tyre në shkollën tonë, sepse është një ambient i sigurt, ku disiplina është ajo që iu duhet nxënësve dhe prindërve, e në veçanti në këtë kohë, kur ky faktor është lënë pas dore në shkollat tjera. Sa i përket investimeve ne e mbajmë flamurin, sepse janë të pakta shkollat në Kosovë që kanë pasur investime sa shkolla e jonë, por kemi marrë edhe projekte të shumta. Në fakt, projektet janë synimet tona, që të përfitojmë sa më shumë, sepse sa më shumë investime në shkollë, rezultatet janë më të mëdha. Shkolla është vend i shenjtë, ku të gjithë duhet të angazhohemi që të investojmë dhe të dimë se ku t’i orientojmë ato investime. Këshilli Drejtues i Shkollës së bashku me Këshillin e Prindërve kanë kryer një punë shumë të mirë dhe u jam mirënjohës, sepse këto dy organe të shkollës janë pasqyra ku ne shihemi për çdo ditë dhe i krahasojmë të arriturat dhe mangësitë tona. Pa punën e përbashkët dhe pa harmonizimin e vullnetit të të gjithëve edhe shkolla jonë do të ishte si shkollat tjera. Prandaj, të menaxhosh një shkollë është art në vete, i cili përvetësohet duke i krahasuar sukseset.

Ardhmëria: A mendoni se mandati i tretë do të ishte synimi për të bërë shkollën tonë më të mirë në vend dhe rajon?

Për dy mandatet e kaluara jam munduar të bëj maksimumin e mundur, duke e mbajtur lart imazhin e shkollës sonë. Disiplina, rregulli në ambientet në shkollë, pastërtia e shkollës, kanë ndikuar, që gjatë muajve mars – maj 2020, shkolla jonë të jetë qendër, ku janë instaluar studio e mësimit online në gjuhën turke dhe boshnjake për komplet territorin e Republikës së Kosovës dhe në vazhdimësi kemi qenë të vizituar nga instancat e larta shtetërore nga ministri i Ministrisë së Arsimit, nga Kryeparlamentari e deri të Kryeministri. Dhe përshtypja e të gjithë atyre që e kanë vizituar shkollën tonë ka qenë mbresëlënëse dhe inkurajuese. Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjithë kolegët e mi bashkëpunëtorë, të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës sonë për bashkëpunimin dhe për përkushtimin e treguar, sepse falë këtij bashkëpunimi së bashku edhe i kemi arritur sukseset. Sa i përket mandatit të tretë mbetet të shihet, është një thënie e Gandit ku thotë: “Kush punon për qëllime fisnike, nuk dështon kurrë”, unë do të jem ai që isha deri më tash dhe nuk e ndryshoj vullnetin për punë dhe për disiplinë e rregull në shkollë, sepse pa këto tipare nuk menaxhohet shkolla. Për mua është e rëndësishme që sukseset e shkollës sonë të vazhdojnë, këtë vazhdimësi e premtoj se do ta ketë shkolla, pasi çdo gjë është ashtu siç duhet.

Ardhmëria: z. Drejtor, për fund, cili do të ishte mesazhi juaj për stafin dhe për nxënësit e shkollës sonë?

Mesazhi im është që në secilin institucion, edhe në shkolla, duhet të ketë energji pozitive, të kultivohen marrëdhënie të mira ndërnjerëzore, të motivohen ata që punojnë dhe t’i jepet mundësia secilit që është punëtor ta tregojë veten. Mbi të gjitha, puna kolektive është çelësi i suksesit të një shkolle dhe këtë çelës dëshiroj që ta kenë çdo herë stafi i shkollës sonë dhe të punohet si ekip. Ky është edhe një kriter i doktrinës amerikane të lidershipit. Kur ne stafi jemi unik, nxënësit janë “çelik” dhe të pajisur me suksese e lëvdata.

Ardhmëria: z. Drejtor, suksese në misionin tuaj të shenjtë! Suksese edhe juve dhe të gjithë shkollës sonë!

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Argjent Latifi nga Podujeva diplomon në njërin prej universiteteve më të njohura në Londër

I riu kosovar Argjent Latifi, me origjinë nga qyteti i Podujevës, është bërë tashmë...

Thyhet akulli, zv.ministri i Arsimit takon Rrahman Jasharaj – flasin për koeficientin e pagave

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke iu përgjigjur ftesës, u takua me zëvendësministrin e...

ANKETA: Edukimi Medial të vendoset si lëndë obligative në shkollat e Kosovës

Duke pasur parasysh që konsumues të përmbajtjeve të mediave online janë të gjithë, përfshirë...

Zyrtarja e MASHTI-t: Arritëm ta ulim çmimin e teksteve shkollore, shtëpitë botuese ishin kundër

Kryetarja e Komisionit për negocimin e teksteve shkollore, Merita Januzaj është intervistuar për rreth...