Siguria në shkolla mbetet akoma shqetësim për udhëheqësit e shkollave, prindërit dhe policinë. Drejtorët e shkollave kërkojnë bashkëpunim më të përafërt me prindërit për t`iu shmangur çfarëdo rreziku që mund t`i kërcënojë ata.
Në një kohë kur siguria në shkolla po bëhet gjithnjë e më shumë temë diskutimi, institucionet arsimore në vend po përballen me sfida të reja çdo ditë e më shumë.
Në shkollat e kryeqytetit shqetësimet nisin nga bashkëpunimi prind-mësimdhënës, disiplina e deri te përdorimi i cigareve ‘wape’, tashmë trendi i fundit.
Drejtori i shkollës së mesme të ulët, ‘Emin Duraku’, Visar Osmani, thotë që mungon bashkëpunimi me prindër, që shpesh sjell edhe shqetësime më të thella. Madje, në shumë raste gjatë kontrollit te dera e shkollës janë gjetur edhe mjete jo të përshtatshme si cigaret ‘wape’ apo të tjera mjete.
“Trendi i fundit që po përballemi janë cigaret elektronike apo ‘wape’, na i kontrollojmë nxënësit tonë, me tonën mundohemi me i monitorua te dera i kontrollojmë, por s’mundemi me i kontrollua edhe lokalet që i shesin, i lajmërojmë prindërit”
Osmani ngriti edhe një shqetësim tjetër, që është stacioni i autobusëve në hyrje të shkollës, që sipas tij, përpos që pengon qarkullimin, grumbullon ndërrimet e nxënësve të kësaj shkolle por edhe shkollave të tjera që shpesh qon edhe në përleshje mes tyre.
E për këtë shqetësim folën edhe prindërit ku fëmijët e tyre vijojnë mësimin në këtë shkollë.
“Edhe pse djalin e kam në klasën e 5, unë e sjell e e marrë prej shkollës, se nuk ndihem hiq e sigurt, së pari nga stacioni këtu, bëhet kallabllak shumë, edhe përzihen nxënës të ndryshëm, e shpesh edhe po kapen mes vete”, ,tha një prind.
Ndërkaq, sa i përket sigurisë në shkolla, zyrtarë të Komunës thonë që është përpiluar plani në që përfshin sigurinë brenda dhe jashtë rrethojave të shkollës.
“Na veç sa kemi nis një përpilim të planit për sigurinë në shkollat në bashkëpunim me policinë, po kemi me e shtua kujdesin edhe monitorimin nga policët brenda dhe jashtë rrethojave të shkollës, pastaj edhe transportin që fëmijët të jenë të sigurt jo vetëm nga problemet por edhe rrugët të jenë të ndriçuara, pra të ketë siguri parësore”, tha Lulzim Fushtica, drejtor i Emergjencave në Komunën e Prishtinës.
E për shqetësimin e ngritur rreth stacionit në hyrje të shkollës, Fushtica tha se është larguar linja për Podujevë, që e ka liruar pak qarkullimi, por do të zhvendoset shumë shpejt për zgjidhje afatgjate.
Si dukuri shoqërorë, sipas sociologut Genc Xërxa, problematikat e sigurisë në shkolla me theks së fundmi përdorimi cigareve elektronike, nuk është vetëm çështje disipline, por sinjal për probleme më të thella shoqërore.
E, sipas të dhënave të policisë, disa nga rastet më të theksuara dhe numri tyre për vitin 2024: lëndim i lehtë trupor 170 raste, lëndim i rëndë trupor 28, sulm 287 raste, ngacmim seksual 10 raste. Ndërkaq, gjatë vitit 2025, disa nga rastet më të theksuara dhe numri tyre: Lëndim i lehte trupor 121 raste, lëndim i rëndë trupor 8, Sulm total 183 raste, ndërkaq ngacmim seksual 7 raste. /RTK