Ka dy vite që Fatmire Mehmeti ecën në këto korridore si mësimdhënëse e gjuhës gjermane.
Në shkollën profesionale të Shtimes, ajo ligjëron gjermanisht, edhe pse ka përfunduar vetëm një kurs të gjuhës, raporton Kiks Kosova.
Në vend që të mësonte lëndën për të cilën është e kualifikuar, duket se gjeti rrugë më të lehtë për punësim në një fushë tjetër.
Përveç shkollës profesionale, ajo ligjëron këtë lëndë edhe në shkollat fillore në fshatrat Muzeqinë, Rashincë e Gjyrkovc.
Se Mehmeti nuk e ka të përfunduar fakultetin e gjuhës, e ka konfirmuar edhe drejtori i kësaj shkolle, Labinot Rexhaj.
Ai tha se kjo e fundit ka përfunduar dy nivele të kursit të gjuhës gjermane, andaj në mungesë të kuadrove e kanë punësuar.
Rexhaj thotë se nuk e ka idenë as për lidhjen familjare të saj me drejtoreshën e Arsimit në komunë, Yllka Fejzullahu, dhe se e njëjta ka ardhur me vendim të drejtorisë.
I pyetur nëse ndonjëherë ka pasur ankesa nga nxënësit lidhur me njohuritë e Mehmetit në gjuhën gjermane, Rexhaj tha se asnjëherë nuk ka marrë ankesa të tilla sa i përket njohurive.
Për krejt këtë paradoks, Kiks Kosova foli me zyrtarin e Arsimit në Komunën e Shtimës, Lulzim Sahiti.
Ai, përmes telefonit, i tha Kiksit se nuk ka informacione për lidhje familjare, mirëpo arsyetimi i tij për pranimin e Mehmetit ishte se ka mungesë të kuadrove, andaj është pranuar.
I pyetur nëse është e drejtë që dikush që ka përfunduar vetëm një kurs gjermanishteje të pranohet përballë një kandidati me universitet, ai tha se për rastin e B.S. kriteret nuk janë plotësuar, edhe pse ajo ka përfunduar universitetin. /Klankosova.tv