Drejtori i Drejtorisë për Arsim në Komunën e Vushtrrisë, Albanez Tahiraj, ka ngritur alarmin për rrezikun që paraqet loja e quajtur “Sfida e Supermenit”, e cila po përhapet me shpejtësi në platformën TikTok.
Në një reagim publik, ai u ka bërë thirrje prindërve të jenë të kujdesshëm dhe të angazhohen më shumë për mbrojtjen e fëmijëve nga ky fenomen shqetësues.
“Loja përfshin një seri sfidash që kanë potencial të lartë për të dëmtuar shëndetin fizik dhe psikik të fëmijëve. Përveç rrezikut fizik, angazhimi në këto lojëra mund të shkaktojë stres, ankth dhe presion për të përmbushur kërkesat e sfidave,” ka theksuar Tahiraj.
Drejtoria Komunale e Arsimit ka kërkuar nga shkollat që të ndërmarrin masat e duhura, duke informuar nxënësit dhe prindërit për rreziqet e kësaj loje.
Në fund të reagimit, Tahiraj apelon tek prindërit që të bisedojnë me fëmijët për rreziqet e “Sfidës së Supermenit” dhe t’i orientojnë ata drejt aktiviteteve që promovojnë një zhvillim të shëndetshëm dhe të sigurt.
“Është detyra jonë të sigurojmë që fëmijët tanë të rriten në një ambient pozitiv dhe të sigurt,” përfundon ai.
Ky reagim vjen si një përpjekje për të parandaluar pasoja të rënda që mund të shkaktojë ky trend viral në TikTok.