Shkrim nga drejtori i Arsimit në Rahovec, Avni Morina, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor:
ROJMË QË KY TË JETË VITI I FUNDIT I FILLIMIT TË VËSHTIRË
Të dashur nxënës!
Nesër, 2 shtator 2024, fillon viti i ri shkollor 2024-2025.
Dita e parë e shkollës do të ishte mirë t’ju gjente me tekstet shkollore në duar dhe në bankat e shkollës. Por, fatkeqësisht, ashtu sikur vitin e kaluar Ministria e Arsimit e pa të udhës që obligimin për blerjen e teksteve shkollore t’ua lë barrë prindërve tuaj.
Ne, edhe sot nuk e dimë nëse prindërit tuaj i kanë blerë tekstet, apo jo. Po ashtu, ne nuk e dimë dhe ju ende nuk e dini se çfarë tekstesh shkollore ju duhen juve. Nuk e dimë akoma se tekstet tuaja të preferuara ndodhen apo jo në librarinë e qytetit dhe gjithashtu nuk e dini se cilat janë tekstet tuaja të preferuara (parapëlqyera).
Andaj, që nga dita e nesërme, ju, në vend që ta filloni procesin mësimor, do të keni nevojë që përmes mësuesve tuaj ta mësoni se cilat tekste ju duhen e më pastaj këtë informatë t’ua përcillni prindërve tuaj, të cilët të subvencionuar mjaftueshëm apo jo, do t’ua blejnë tekstet nëse ato ndodhen në librarinë e qytetit.
Të nderuar prindër!
Nesër, më 2 shtator 2024, e fillojmë vitin e ri shkollor, vit ky, i cili do të jetë i mundimshëm dhe me shumë telashe për ju, për fëmijët tuaj dhe për mësuesit e fëmijëve tuaj.
Urojmë që ky të jetë viti i fundit i fillimit të vështirë të vitit shkollor.
Për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, uroj që ta keni përkushtimin dhe durimin e mjaftueshëm, që edhe këtë vit shkollor ta fillojmë, përkundër vështirësive të shkaktuara!
URIME FILLIMI I VITIT TË RI SHKOLLOR!