Fjalimi i drejtorit të Arsimit në Rahovec, Avni Morina, në tryezën e diskutimit, organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së dhe udhëheqës e përfaqësues komunalë të arsimit).
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj tryeze diskutimi!
Në fund të muajit gusht, pikërisht 10 ditë para se të fillonte viti i ri shkollor 2023/2024, pikërisht në kohën kur një vit më parë dhe gjithashtu edhe shumë vite më parë ne shpërndanim tekstet mësimore për nxënësit tanë nëpër shkolla, pra pikërisht në këtë kohë, ne morëm një njoftim të papritur nga MASHTI, përkatësisht nga ministrja e arsimit, se këtë vit shkollor nuk do të ketë furnizim me libra e tekste shkollore nga MASHTI, por këto duhet t`i blejnë prindërit.
ë kohën kur drejtoritë komunale, në koordinim të plotë me shkollat dhe me aktivat profesionale të të gjitha shkollave kishin bërë gati të gjitha katalogjet e teksteve shkollore, të cilat i kishin porositur për t`i marrë, pikërisht në këtë kohë DKA-të u vendosën para një akti të kryer, para një veprimi, të cilin ministrja e arsimit e bëri pa u konsultuar me anjërën nga Drejtoritë Komunale për Arsim.
Në kohën kur nxënësit tanë prisnin t`i marrin librat dhe tekstet shkollore në duart e tyre, ministrja e arsimit ua rrëmbeu librat nga dora dhe i obligoi t`i kthenin ato në shkollat amë, librat dhe tekstet të cilat i kishin përdorur një vit të tërë shkollor.
Vendimi i MASHTI-t për të mos bërë furnizimin me tekste shkollore shkollat dhe nxënësit, 10 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, shkaktoi huti dhe çudi, jo vetëm tek DKA-të, por edhe tek prindërit dhe nxënësit.
Ky vendim i çuditshëm dhe i jashtëligjshëm i ministrisë, përveç që krijoi huti e kaos, shkaktoi edhe vonesë në furnizimin me libra e tekste shkollore për nxënësit e të gjitha shkollave të komunës sonë dhe tek të gjitha shkollave të vendit. Edhe sot e kësaj dite, shumica e nxënësve nuk i kanë tekstet e duhura shkollore, ndërsa nxënësit e klasave 6 deri 9 janë obliguar t`i përdorin tekstet e vjetra të viteve të kaluara, të kthyera nëpër shkolla nga nxënësit e vitit paraprak shkollor.
Ky vendim i çuditshëm dhe i jashtëligjshëm i ministrisë, i vuri në siklet edhe prindërit, të cilët nuk dinin se çfarë tekste të blinin, por shumë prej tyre edhe nuk dinin dhe nuk kishin mundësi të aplikonin në platformën e-Kosova për rimbursim.
Konsiderojmë se;
✅ Mungesa e furnizimit me tekste shkollore është ikje nga përgjegjësia ligjore që kishte MASHTI dhe Qeveria e Republikës së Kosovës;
✅ Vendimi për mos furnizim, edhe pse vendim i keq, ishte tejet i vonuar dhe i zuri të papërgatitura DKA-të, shkollat, nxënësit dhe prindërit, në prag të fillimit të vitit shkollor;
✅ Ky vendim paraqet shkelje të të drejtave të mësimdhënësve dhe aktivave të tyre profesionale, sepse për vite me radhë në vendin tonë ishte krijuar një sistem i mirëfilltë dhe shumë i mirë i furnizimit të nxënësve dhe shkollave tona me libra falas.
Mësimdhënësit dhe aktivat profesionale përzgjedhnin tekstet shkollore, plotësoheshin katalogjet dhe tekstet shkollore vinin nëpër shkolla ashtu siç përzgjidheshin nga aktivat profesionale të të gjitha fushave kurrikulare;
✅ Vendimi për t`i kthyer tekstet e përdorur gjatë një viti të tërë, paraqet shkelje të të drejtave elementare të nxënësve tanë, jo vetëm të atyre nxënësve që i kthejnë tekstet, por edhe të atyre nxënësve që i marrin ato tekste, te cilat, përveç tjerash, mund të jenë të dëmtuara, të grisura, të shkruara e të rishkruara, me një fjalë, janë tekste të papërdorshme për ata nxënës që janë obliguar t`i marrin, dhe janë tekste të humbura për ata nxënës që janë obliguar t`i kthejnë;
✅ Ky veprim i ministrisë është veprimi më i keq i mundshëm, që mund ta bënte deri më sot dhe në masë të madhe i ka dëmtuar nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe cilësinë në arsim.
Prishtinë
8 shtator, 2023.