Fjala e plotë e drejtorit për Arsim në Komunën e Rahovecit, Avni Morina, në organizimin për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit.
Ai ka thënë se e gëzon suksesi i mësimdhënësve, e sidomos suksesi i nxënësve i treguar në gara të ndryshme shkollore, komunale, shtetërore dhe ndërkombëtare.
Megjithatë, ka shtuar drejtori Morina se sukseset nuk bën kurrsesi të i ndalojnë dhe të mbeten në nivelin e vetkënaqësisë.
“Prandaj, të dashur nxënës e të nderuar mësimdhënës e prindër, ju ftoj që ta rrisim përkushtimin dhe angazhimin tonë të përditshëm për ngritjen e nivelit të cilësisë në Arsim”, ka deklaruar ai, shkruan Albanian Education
FJALIMI IM I SOTËM NË PROGRAMIN FESTIV PËR DITËN E MËSUESIT
Të dashur nxënës!
Të nderuar edukatorë, mësues, arsimtarë e mësimdhënës lëndorë, të nderuar prindër!
Të nderuar qytetarë të pranishëm!
Sot u bënë 136 vite që nga 7 Marsi i vitit 1887, që nga dita kur në Korçë u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe. Pas shumë luftërave, përpjekjeve dhe sakrificave të rilindasve tanë, në këtë ditë u hap Mësonjëtorja e Parë. Mësonjëtorja e Parë ishte shkollë me karakter kombëtar e laik, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare, të prirë nga mësuesi dhe drejtori i parë Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami, Thanas Sina e atdhetarë të tjerë. Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar, kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha deri në flijim, për zhvillimin e arsimit kombëtar.
Hapja e Shkollës së parë shqipe veç tjerash, si ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve nuk lejohej nga pushtuesi Osman. Perandoria Osmane që pushtoi tokat tona për 500 vjetë me radhë, në njërën anë lejonte shkolla në çdo gjuhë tjetër, lejonte hapjen e shkollave në gjuhën greke, turke, serbe e bullgare, por vetëm shkollën dhe gjuhën shqipe nuk e donte dhe nuk e lejonte të hapej. Edhepse në kushte të vështira të mësimit të gjuhës shqipe për shkak të rrethanave të krijuara nën sundimin osman, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjetë. Shkrimi, Këndimi, Gramatika e Gjuhës Shqipe, Historia, Gjeografia, Aritmetika, Dituria natyrore dhe Edukimi fizik ishin lëndët mësimore me 35 nxënësit e parë të shkollës së parë shqipe. Në vitin e dytë të funksionimit të saj, kjo shkollë numëronte 200 nxënës.
Kontributi i madh që atdhetarët dhe veprimtarët e shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dije në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i kushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të atdhetarizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë tërësisht kombëtare të mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për çlirim kombëtar.
Mësuesit shqiptarë, në çdo kohë e në çdo krahinë, kanë qenë jo thjeshtë profesionistë të arsimit, por në radhë të parë ishin atdhetarë dhe njerëz të emancipuar, ata ishin rreze drite shqiptarie që ngado që përhapeshin, sillnin dije e kulturë, sillnin frymë kombëtare dhe ishin lajmëtarët e parë të lirisë që po i vinte kombit tonë, pas shumë shekujve në robëri.
Sot, secili nga ne, e kemi të skalitur në kujtesën tonë dhe e mbajmë në zemër figurën e Mësuesit tonë të parë, të cilit i falemi me mirënjohje. Pra, çdonjëri nga ne, pavarësisht se kush jemi dhe çfarë detyre kemi sot, kemi qenë dikur nxënës dhe kemi patur përballë Mësuesin dhe Mësuesen tonë, që s’kursenin kohën, frymën, pasionin dhe madje as jetën e tyre, për të na brumosur me dije, me kulturë dhe edukatë.
Drejtoria Komunale për Arsim së bashku me të gjitha shkollat, gjatë këtyre viteve arritëm të korrim suksese të reja. Neve këto vite na gëzon fakti se arritëm të ndërtojmë shkolla e çerdhe të reja, renovime në shkolla dhe të tjera objekte shkollore që janë në ndërtim e sipër. Na gëzon fakti që në shumë shkolla kemi arritur të bëjmë furnizime të bibliotekave me libra, mjete teknologjike, konkretizimi e laboratorike, të investojmë në ndërrmarrjen e masave të efiçiencës së energjisë në shkolla e të ngrisim edhe 2 Qendra të Karrierës. Arritëm të krijojmë dhe ta vëmë në zbatim Pakon Pedagogjike unike për klasat 0 deri 5, dhe tani ta zgjerojmë edhe për klasat e larta 6 deri 12. Neve na takon, që jo veç t`i themi këto të arritura, por edhe t`i zbatojmë ato me përpikmëri në funksion të rritjes së cilësisë në arsim.
“TË KALOJMË NGA E THËNA NË TË BËRË”
Neve na gëzon edhe suksesi i mësimdhënësve, e sidomos suksesi i nxënësve tanë i treguar në gara të ndryshme shkollore, komunale, shtetërore dhe ndërkombëtare. Megjithatë, sukseset tona nuk bën kurrsesi të na ndalojnë dhe të mbetemi në nivelin e vetkënaqësisë. Prandaj, të dashur nxënës e të nderuar mësimdhënës e prindër, ju ftoj që ta rrisim përkushtimin dhe angazhimin tonë të përditshëm për ngritjen e nivelit të cilësisë në Arsim.
Të nderuar të pranishëm!
I përket moralit tonë kolektiv, që breza të tërë mësuesish dhe edukatorësh, të të gjitha kohërave, jo vetëm t’i kujtojmë, por edhe t’i nderojmë për kontributin dhe veprat e tyre ndër breza. Ju ftoj të gjithëve që profesionin tonë të mos e marrim vetëm si të tillë, por ta marrim si mision fisnik, arsimin ta marrim si detyrë mbi detyrat, pa zhvillimin i të cilit shoqëria jonë do të ngecë prapa. Ju ftoj të gjithëve t’i kthejmë sytë nga shkollat tona dhe nga e ardhmja e fëmijëve tanë!
Të nderuar mësues dhe mësuese të shkollave fillore, të nderuar edukatorë dhe edukatore, të nderuar mësimdhënës dhe mësimdhënëse të shkollave të mesme, ju mësues tashmë të pensionuar dhe që një jetë të tërë ia keni kushtuar edukimit dhe arsimimit të shumë brezave:
Gëzuar 7 Marsin, festën më të madhe tuajen dhe timen, njërën nga ngjarjet dhe festat më me peshë kombëtare!
Avni Morina
Rahovec, 7 Mars 2023