E premte, 20 Shtator, 2024

Drejtori i Arsimit në Rahovec, Avni Morina: Po injorohemi nga Ministria e Arsimit

- Advertisement1-

DISKUTIM NË TRYEZËN ME TEMË ”GJENDJA NË ARSIM – SFIDAT DHE MUNDËSITË”

Të nderuar të pranishëm!

- Advertisement -

Në diskutimin timin për gjendjen në arsim, do të fokusohem për gjendjen e arsimit parauniversitar, me të cilën po ballafaqohemi më së shumti, sidomos ne që drejtojmë arsimin parauniversitar në nivel komunal.

Problemet me të cilat po përballemi, janë siç vijon:

✅ Mungesa e bashkëpunimit dhe injorimi i vazhduar nga MASHTI

Për fat të keq, në 3 vitet e fundit ka munguar bashkëpunimi dhe komunikimi i mirëfilltë i MASHTIT me Drejtoritë Komunale për Arsim si dy hallka shumë të rëndësishme të sistemit tonë arsimor. Takime të rregullta mujore, të cilat i mbanim ne si drejtorë të DKA-ve me ministrat e mëparshëm, më nuk mbahen, ose mbahen shumë rrallë.

Ministrja aktuale e Arsimit as edhe njëherë të vetme nuk ka realizuar ndonjë vizitë zyrtare pune në DKA të Rahovecit, e po ashtu edhe në shumicën e DKA-ve të komunave.
Konsiderojmë se mungesa e vizitave nëpër komuna, përkatësisht nëpër DKA-të , është dobësi dhe papërgjegjësi shumë e madhe dhe është njësoj sikur një drejtor i DKA-së të mos i vizitojë shkollat e komunës, të cilat i menaxhon.
Drejtoritë Komunale për Arsim, janë “vija e parë e frontit”, të cilat më mirë se kushdo tjetër e dinë gjendjen infrastrukturore dhe fizike të objekteve arsimore, i dinë hallet që kanë fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit. i dinë nevojat e përditshme që kanë institucionet edukativo arsimore në komunat e tyre. DKA-të, i dinë më së miri se cilat janë nevojat më prioritare të shkollave. Kurdoherë e në çdo rrethanë, ne si drejtorë komunal për arsim kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë me ministrinë e arsimit, pa marrë parasysh se cila qeveri qeveris me vendin, por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me qeverisjen e tanishme dhe me ministren e tanishme të arsimit.

✅ Problemet e furnizimit me tekste mësimore falas

- Advertisement -rrrrrrr

Në fund të muajit gusht 2023, pikërisht 10 ditë para se të fillonte viti i ri shkollor 2023/2024, ne morëm një njoftim të papritur nga MASHTI, se këtë vit shkollor nuk do të ketë furnizim me libra e tekste shkollore nga MASHTI, por këto duhet t`i blejnë prindërit.
Në kohën kur drejtoritë komunale në koordinim të plotë me shkollat dhe me aktivat profesionale të të gjitha shkollave kishin bërë gati të gjitha katalogjet e teksteve shkollore, të cilat i kishin porositur për t`i marrë, DKA-të u vendosën para një akti të kryer, para një veprimi, të cilin ministrja e arsimit e bëri pa u konsultuar me Drejtoritë Komunale për Arsim dhe me Kolegjiumin për Arsim.
Në kohën kur nxënësit tanë prisnin t`i marrin librat dhe tekstet shkollore në duart e tyre, ministrja e arsimit ua rrëmbeu librat nga dora dhe i obligoi t`i kthenin ato në shkollat amë, librat dhe tekstet të cilat i kishin përdorur një vit të tërë shkollor.
Ky vendim i çuditshëm dhe i jashtëligjshëm i ministrisë, përveç që krijoi huti e kaos, shkaktoi edhe vonesë në furnizimin me libra e tekste shkollore për nxënësit e të gjitha shkollave të komunës sonë dhe të gjitha shkollave të vendit. Edhe sot e kësaj dite, shumica e nxënësve nuk i kanë tekstet e duhura shkollore, ndërsa nxënësit e klasave 6 deri 9 janë obliguar t`i përdorin tekstet e vjetra të viteve të kaluara, të kthyera nëpër shkolla nga nxënësit e vitit paraprak shkollor.
Konsiderojmë se;
Mungesa e furnizimit me tekste shkollore është ikje nga përgjegjësia ligjore që kishte MASHTI dhe Qeveria e Republikës së Kosovës;

Vendimi për mos furnizim, edhe pse vendim i keq, ishte tejet i vonuar dhe i zuri të papërgatitura DKA-të, shkollat, nxënësit dhe prindërit, në prag të fillimit të vitit shkollor;

Ky vendim paraqet shkelje të të drejtave të mësimdhënësve dhe aktivave të tyre profesionale, sepse për vite me radhë në vendin tonë ishte krijuar një sistem i mirëfilltë dhe shumë i mirë i furnizimit të nxënësve dhe shkollave tona me libra falas.
Vendimi për t`i kthyer librat e përdorur gjatë një viti të tërë, paraqet shkelje të të drejtave elementare të nxënësve tanë, jo vetëm të atyre nxënësve që i kthejnë librat, por edhe të atyre nxënësve që i marrin ato tekste, te cilat, përveç tjerash, mund të jenë të dëmtuara, të grisura, të shkruara e të rishkruara, me një fjalë, janë tekste të papërdorshme për ata nxënës që janë obliguar t`i marrin, dhe janë tekste të humbura për ata nxënës që janë obliguar t`i kthejnë;

✅ Vonesa të mëdha në realizimin e projekteve për investime kapitale në arsim

Shumica e komunave, por edhe komuna jonë jemi përballur me vonesa të papara dhe të pa justifikueshme në realizimin e projekteve kapitale në fushën e arsimit. Që 2 vite radhazi është planifikuar dhe buxhetuar të ndërtohet objekti I ri i SHFMU “Milaim Krasniqi” në Pastasel të komunës së Rahovecit, dhe procesi i ndërtimit të këtij objekti shkollor akoma nuk ka filluar.

Që 1 vit e gjysmë është planifikuar dhe buxhetuar ndërtimi i çerdhes për fëmijë në qytetin e Rahovecit, akoma edhe sot e asaj dite nuk është lidhur kontrata. Ministrja e Arsimit, në vend që t`i përshpejtojë procedurat tejet të vonuara e gati të harruara, ajo akuzon komunat kinse ato nuk janë të gatshme me evidentimin e parcelave ku do të ndërtohen çerdhet, gjë që nuk është e vërtetë.
Po ua jap veç një shembull: Komuna e Rahovecit, për më pak se 3 vite ka ndërtuar 3 çerdhe për fëmijë me buxhetin e saj, ndërsa, më thoni ju lutem, sa çerdhe për fëmijë i ka ndërtuar MASHTI gjatë 3 viteve të fundit?!
Që nga fundi i shtatorit 2023, pra që 5 muaj, MASHTI ka lidhur kontratë për furnizimin e çerdheve publike me inventar, edhe sot e asaj dite, akoma nuk ka ndodhur furnizimi i çerdheve, as në Rahovec e as në komunat tjera, të cilat mezi presin që çerdhet e ndërtuara me buxhet komunal t`i vëjnë në funksion të plotë.

✅ Mosfunksionimi i inspektoriatit të arsimit – numri shumë i vogël i inspektorëve dhe mungesa e Koordinatorit të Cilësisë

MASHTI në gjithë vendin ka një numër shumë të vogël të inspektorëve të arsimit, të cilët funksionojnë me kapacitete shumë të kufizuara në kuadër të Zyrave Rajonale të Arsimit në komunat më të mëdha. Numri i vogël i inspektorëve të arsimit pamundëson forcimin e mekanizmave të MASHTIT për inspektim, monitorim dhe kontroll të punës së mësimdhënësve.
Është absurde, që në sistemin tonë arsimor shkollat kanë Koordinatorë të Cilësisë, ndërsa MASHTI nuk ka. E kishte në qeverisjet e kaluara, por sot nuk e ka!
Sa inspektorë të arsimit ka MASHTI sot, për të pasur dhe siguruar cilësi në arsim, as Prishtinës nuk i mjaftojnë.
Cilësia në arsim nuk arrihet me këtë numër kaq të vogël të inspektorëve të arsimit. Cilësia në arsim kërkon zhvillimin e politikave arsimore dhe zhvillimin e forcimin e mekanizmave kontrollues e monitories, të cilat përmes profesionalizmit të tyre do të kontribuonin drejtpërdrejtë në shkolla, aty ku zhvillohet procesi edukativo-arsimor.
Si rezultat i mungesës së këtyre mekanizmave, cilësinë në arsim po e shtyn veç inercia e viteve të mëparshme dhe vullneti i mësimdhënësve, të cilët fatkeqësisht nuk janë shumë, për të punuar me nder dhe përkushtim maksimal.
Rezultatet e testeve ndërkombëtare, të cilat na rangojnë në fund të listave vlerësuese ndërkombëtare, janë këmbanë alarmi për ne, për shoqërinë tonë në përgjithësi. Andaj, të gjithë ne që ia duam të mirën arsimimit dhe edukimit të mirëfilltë të fëmijëve tanë, duhet të ulemi dhe ta trajtojmë me seriozitetin dhe përkushtimin maksimal rritjen e cilësisë në arsim.

E dimë që kjo nuk mund të arrihet brenda ditës, as brenda muajit apo vitit, por nëse përkushtohemi maksimalisht në punën tonë, nëse ngrisim mekanizma të mirëfilltë profesionalë dhe i vejmë në lëvizje, suksesi do të jetë i pashmangshëm edhe në testet ndërkombëtare.
Nuk janë rastësi sukseset e individëve tanë, qoftë në rrafshin kombëtar, qoftë në atë ndërkombëtar. Por testi ndërkombëtar PISA nuk vlerëson individët e një klase apo gjenerate nxënësish. Testi PISA vlerëson kolektivitetin. Në këtë aspekt, duhet patjetër të ndryshohet forma e qasjes sonë ndaj nxënësve dhe shkollave. Të mos punojmë vetëm me nxënësit e mirë, të shkëlqyeshëm, vetëm me ata që ngrisin dorën për t`u përgjigjur, por të punojmë me të gjithë, pa dallim duke i nxitur talentet dhe idetë kreative të të gjithë nxënësve.

MASHTI, Drejtoritë Komunale për Arsim dhe e gjithë hierarkia arsimore në vend, përveç se duhet të interesohen për mbarëvajtjen e procesit edukativo – arsimor në klasa të shkollave, ato duhet të interesohen që në në procesin e mësimdhënies të futen në përdorim edhe të gjitha mundësitë që i ofron teknologjia bashkëkohore, në mënyrë që të kemi mësimdhënie dhe mësimnxënie sa më cilësore.
Nuk mjaftojnë vetëm metodat dhe instrumentetet e vlerësimit, që i ofron Korniza Kurrikulare, nuk mjaftojnë vetëm hartimet e planeve dhe planprogrameve mësimore, në qoftë se ato nuk zbatohen. Nuk është e mjaftueshme vetëm të shkruhet në letër apo kompjuter ajo që planifikohet të bëhet, por ajo edhe duhet të bëhet.
Dhe, fatkeqësisht, ne çalojmë në të bërit të asaj që e themi, sepse mungojnë mekanizmat e monitorimit, kontrollit, testimit dhe të llogaridhënies, të cilat duhet t`i ndërtojë, strukturojë dhe funksionalizojë MASHTI!

✅ ÇFARË DUHET TË BËJMË ?

Fëmijët dhe nxënësit tanë meritojnë trajtim më dinjitoz. Me nxënësit dhe prindërit e tyre duhet ngritur niveli i komunikimit të përditshëm. Fatkeqësisht, në shumicën e shkollave tona Këshillat e Prindërve, edhe pse janë të formuara, ato janë pothuajse jofunksionale.
Tashmë, kur infrastruktura e shumicës së shkollave është shumë më e mirë sesa shumë vite më parë, e kjo nuk është meritë e kësaj qeverie, ne duhet që shkollat tona t`i pajisim me mjete kokretizimi dhe laboratorike, t`i pajisim me tabela digjitale, t`u ofrojmë platforma komunikimi, në të cilat kanë qasje edhe nxënësit, edhe mësuesit edhe prindërit. Ambientet shkollore duhet t`i bëjmë aq tërheqëse, sa që nxënësit të kenë dëshirë e vullnet të rrinë në shkollë, e jo të ikin nga shkolla.
Për t`i realizuar të gjitha këto synime, duhet që të mbështeten dhe të financohen projekte edhe nga MASHTI dhe nga DKA-të e të gjitha komunave.
Ne nga DKA përkrahim dhe mbështesim realizimin e projekteve që sigurojnë cilësi në arsim, dhe jemi të mendimit se duke punuar pa u ndalur dhe duke u angazhuar me synime të qarta, të realizohet në tërësi ky mision, i cili realisht, nuk është mision i pamundshëm.

Prishtinë, 1 mars 2024.

Dr.sc: Avni Morina
Drejtor i Drejtorisë Komunale për Arsim në Rahovec.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Armend Perolli, nxënësi shembull nga Prizreni: Punoi gjatë verës dhe nuk shkoi në pushime – me paratë që dhuroi u blen materiale shkollore për 12...

Një shembull i jashtëzakonshëm vije nga një nxënës i klasës së pestë të shkollës...

Shkencëtari kosovar Besnik Krasniqi, përfshihet në listën e shkencëtarëve më me ndikim në botë

Një arritje e jashtëzakonshme për shkencën kosovare ka ardhur këtë vit, pasi Profesori Besnik...

Këshilla për mësuesit dhe prindërit që të organizojnë mbledhje të frytshme në shkollë

Organizimi i një mbledhjeje të frytshme mes mësuesve dhe prindërve për të diskutuar mbarëvajtjen...

14 persona pre e mashtrimit të mësueses nga Peja

Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesën për masën e paraburgimit ndaj mësimdhënës, Gjylfidane...