Prej vitesh në shkollën “Gjon Serreçi” në qytetin e Ferizajt dhe në shkollën e fshatit “Dy dëshmorët”në fshatin Talinoc është zhvilluar mësimi me tri ndërrime shkaku i mungesës së hapësirave shkollore. Por, tani pas disa investimeve që ka bërë komuna e Ferizajt, mësimi po rikthehet në dy ndërrime, madje në kushte mjaftë të mira teknike.
Drejtori për Arsim në komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se deri tash kanë pasur këto dy shkolla që kanë funksionuar me tri ndërrime, andaj sipas tij ekzekutivi është përkushtuar mjaftë shumë që kjo gjendje të përmirësohej.
“E mira është se ne kemi pasur dy shkolla të cilat kanë qenë me tri ndërrime, është shkolla e “Gjon Serreçi”, në të cilën tani më kemi kaluar në e dy ndërrime nga një shtatori i këtij viti falë një intervenimi të cilin e kemi bërë ne si Komuna e Ferizajt me ndërtimin e aneksit dhe rregullimin komplet në katin e parë dhe të dytë. Pastaj ajo çfarë është shumë e rëndësishme dhe që duhet ta potencojmë është edhe përfundimi i shkollës së mesme “Dy dëshmorët” në fshatin Talinovc, ku ne tani vetëm po presim përurimin e asaj shkolle dhe po besoj se javën e ardhshme do e bëjmë një gjë të tillë, ku nxënësve e kësaj shkolle të kalojnë në një shkollë krejtësisht të re me kushte moderne”, ka thënë Llabjani.
Sipas Llabjanit, po ashtu komuna ka bërë edhe investime të tjera pas kërkesave që kanë pranuar nga drejtorët e shkollave.
“Nga kërkesat që kemi pasur nga drejtorët e shkollave kemi arritur që të intervenojmë në disa shkolla, të cilat ka qenë si e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë. Vlen të theksojmë se kemi intervenuar në shkollën “Muharrem Shemsedini” në Bibaj, kur kemi bërë komplet renovimin e shkollës, gjë që tani mund të themi se kemi krijuar kushte jashtëzakonisht të mira të një niveli të duhur dhe të një standardi të duhur për të zhvilluar procesin mësimor, e njëjta vlen edhe për shkollën “Imri Halili” në fshatin Gaçkë, po ashtu që kemi bërë intervenimin në dysheme dhe në mure, duke krijuar kushte shumë të mira”, ka thënë Llabjani.
Sipas tij, komuna po ashtu ka intervenuar edhe në shkollën “Ramadan Rexhepi” në Sojevë, në shkollën gjimnazi “Kuvendi i Arbrit”, në Ferizaj. Sipas Llabjanit, është intervenuar edhe në shkollën, “Vizer Jashari”, në shkollën e Slivovës “Mic Sokoli” dhe në disa shkolla të tjera të cilat varësisht nga kërkesat dhe varësisht nga prioritetet të cilat i kanë marrë nga drejtuesit e shkollave.
“Kemi intervenuar, në mënyrë që të bëjmë kushte sa më të mira për nxënësit. Po vazhdojmë edhe me disa shkolla të tjera, jemi duke intervenuar edhe në rregullimin e oborreve, siç është rasti në Slivovë brenda dhe jashtë shkollës, për të vazhduar pastaj me shkollën “Besim Rexhepi’, në fshatin Komodllavë, duke vazhduar pastaj edhe me shkollën “Vezil Jashari”, prapë në ambiente të oborrit. Duke ecur kështu deri edhe te shkolla “Abetarja” në Softaj”, ka thënë më tej Llabjani.
Sipas tij, parashihen investime brenda dhe jashtë objektit edhe në shkollën “Arsim Rexhepi, në fshatin Sazli, për të vazhduar në Doganaj në shkollën “Naim Frashri”. Sipas tij, edhe në shkollën “Riza Matoshi” në fshatin Nikadin, tashmë kanë nisur investimet në renovimin gjeneral të kulmit.
“Në këto shkolla të cilat kemi intervenuar dhe në ato të cilat po intervenojmë, po besojmë se po krijojmë kushte shumë më të mira për të gjithë nxënësit e komunës së Ferizajt, për mësimdhënësit dhe po krijojmë kushte të favorshme për një mësimdhënie dhe një mësimnxënie shumë më të mirë”, ka shtuar Llabjani.