Drejtorët e shkollave në Deçan u pritën sot nga Drejtori i DKA-së, Besnik Hulaj, në një takim pune ku u trajtuan tema të rëndësishme për mirëmenaxhimin e procesit mësimor.
Në fokus të diskutimit ishin:
• Përfundimi i gjysmëvjetorit të parë dhe fillimi i mbarë i gjysmëvjetorit të dytë për vitin shkollor 2024/2025.
• Procesi i vlerësimit të mësimdhënësve, si një element kyç për rritjen e cilësisë në arsim.
• Sfida e gripit sezonal dhe masat e ndërmarra për menaxhimin e situatës.
Gjatë takimit, drejtorët prezantuan analizat e suksesit për gjysmëvjetorin e parë dhe raportuan mbi mbarëvajtjen e procesit në fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.
Drejtori Hulaj vlerësoi përkushtimin e drejtorëve për menaxhimin efektiv të situatave sfiduese, veçanërisht në lidhje me gripin sezonal. Ai theksoi rëndësinë e përgatitjes dhe koordinimit të mirë për të siguruar një proces mësimor cilësor dhe të sigurt për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte zhvillimi profesional i vazhdueshëm i mësimdhënësve, duke theksuar rëndësinë e organizimit të trajnimeve që adresojnë nevojat dhe interesat e tyre.
Drejtori Hulaj përmbylli takimin duke shprehur mirënjohjen për përkushtimin dhe punën e palodhur të stafit të shkollave, duke nënvizuar se bashkëpunimi dhe puna e mirë nuk kanë të ndalur.