Në një ceremoni falënderimi dhe mirënjohjeje, komuniteti i shkollës “Gëzim Hamza-Piktori” në Rahovec ka vlerësuar punën dhe kontributin shumëvjeçar të drejtorit Enis Berisha, i cili përmbylli 15 vite në drejtimin e institucionit arsimor.
Gjatë aktivitetit u rikujtua rrugëtimi i tij profesional, i karakterizuar nga përkushtimi, përgjegjësia dhe angazhimi i vazhdueshëm për avancimin e procesit arsimor dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe stafin e shkollës.
Sipas përfaqësuesve të shkollës, periudha 15-vjeçare e drejtimit të Berishës është shoqëruar me sfida të shumta, por edhe me arritje të rëndësishme që kanë ndikuar në zhvillimin dhe përparimin e institucionit. Në fjalët e tyre u theksua se ai ka dëshmuar vazhdimisht vendosmëri, durim dhe vizion në udhëheqje, duke mbetur i përkushtuar ndaj misionit të arsimit.
Kontributi i tij u vlerësua si një trashëgimi e rëndësishme për shkollën, duke lënë gjurmë te gjenerata të shumta nxënësish, mësimdhënësish dhe prindërish. Profesionalizmi dhe përkushtimi i treguar ndër vite u cilësuan si shembull për komunitetin arsimor.
Në këtë ngjarje, stafi i shkollës shprehu mirënjohje për punën, sakrificat dhe vendimet e marra gjatë viteve të drejtimit, duke e falënderuar Enis Berishën për rolin e tij në forcimin dhe zhvillimin e SHFMU “Gëzim Hamza-Piktori”.
Në përfundim, atij iu uruan shëndet, lumturi dhe suksese në vazhdim, ndërsa u theksua se kontributi i tij do të mbetet pjesë e historisë dhe kujtesës institucionale të shkollës.